Opinion

A do ta ndalim Trumpin përpara se të bëhet tepër vonë?

 

Fashizmi sot përbën kërcënim shumë më serioz sesa kurdoherë më parë, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 28 prill 1945 – 73 vjet më parë – italianët e varën kokëposhtë kufomën e ish-diktatorit të tyre, Benito Mussolini, pranë një pompe benzine në Milano. Dy ditë më vonë, Adolf Hitleri, bëri vetëvrasje në bunkerin e tij nën rrugët e shkatërruara prej lufte të Berlinit. Fashizmi, siç dukej, kishte vdekur.

Për t’u siguruar se nuk do të ringjallet, të mbijetuarit e luftës dhe Holokaustit i bashkuan forcat për t’i krijuar Kombet e Bashkuara, i themeluan institucionet globale financiare dhe – nëpërmjet Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut – e forcuan sundimin e ligjit. Më 1989, Muri i Berlinit ra ndërsa furia e krenarisë së qeverive të zgjedhura u përhap jo vetëm në Evropën Qendrore, por edhe në Amerikë Latine, Afrikë dhe Azi. Dukej se pothuajse kudo diktatorët kishin rënë dhe demokratët ishin ngritur. Liria po mbizotëronte.
Sot ndodhemi në një epokë të re, duke testuar nëse flamuri i demokracisë mund të valojë ende në mes të terrorizmit, konflikteve sektare, kufijve të brishtë, mediave mashtruese sociale dhe skemave cinike të burrave ambiciozë.
Përgjigja nuk është fort e qartë. Ne mund të trimërohemi se shumica e njerëzve në shumicën e shteteve ende duan të jetojnë të lirë dhe në paqe, por nuk mund të injorohen retë e stuhisë që tanimë janë grumbulluar. Në fakt, fashizmi – dhe tendencat që shpënë drejt fashizmit – përbëjnë një kërcënim shumë më të madh tani sesa kurdoherë më parë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ndër shenjat paralajmëruese janë grabitjet e pamëshirshme të autoriteteve gjithnjë më të madh nga partitë qeverisëse në Hungari, Filipine, Poloni dhe Turqi – që të gjitha aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zemërimi që e ushqen fashizmin është i dukshëm kudo në Atlantik në formën e shtimit të lëvizjeve nativiste që e kundërshtojnë idenë e një Evrope të bashkuar, përfshirë këtu edhe Gjermaninë, ku djathtistja “Alternativa për Gjermaninë” po shfaqet si partia kryesore opozitare.
Rreziku i despotizmit është shfaqur në Rusinë e Vladimir Putinit – pushtuesit të Ukrainës, ndërhyrësit në demokracitë e huaja, vrasësit të akuzuar politikë, gënjeshtarit të pacipë dhe të birit krenar të KGB-së. Putini sapo është rizgjedhur për një mandat të ri gjashtëvjeçar, derisa në Venezuelë, Nicolas Maduro, një ideolog i pamëshirshëm, pritet të triumfojë në votimet e manipuluara të muajit të ardhshëm. Në Kinë, Xi Jinping, e bindi Kongresin e dëgjueshëm Kombëtar të Popullit që ta heqë kufizimin kushtetues për qëndrimin e tij në pushtet.
Përgjatë Mesdheut, premtimi dikur shpresëdhënës i Pranverës Arabe është tradhtuar nga liderët autokratikë, siç është puna e Abdel Fattah el-Sisit të Egjiptit (po ashtu i rizgjedhur së fundmi), i cili e përdor letrën e sigurisë për ta justifikuar burgosjen e gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Falë aleatëve në Moskë dhe Teheran, tirani Bashar al-Assad po e ruan kontrollin e tij mbi pjesën më të madhe të Sirisë. Në Afrikë, presidentët që shërbyen më së gjati janë të shpeshtën e rasteve më të korruptuarit, duke e shumëfishuar dëmin që e shkaktojnë prej vitit në vit. Ndërkohë, gjasat që fashizmit t’i ofrohet një shans i ri për t’u hedhur në skenën botërore po rriten falë presidencës së paqëndrueshme të Donald Trumpit.
Që liria t’i përballojë sfidat e shumta që i shfaqen, nevojitet urgjentisht një lidership amerikan. Ky ishte një prej mësimeve të pashlyeshme të shekullit 20. Mirëpo, bazuar në atë çfarë ka thënë, ka bërë dhe ka dështuar të bëjë, Trumpi e ka pakësuar vendosmërisht ndikimin pozitiv të Amerikës në këshillat globalë.
Në vend se t’i mobilizojë koalicionet ndërkombëtare për t’i marrë përsipër problemet botërore, ai këmbëngul në doktrinën “secili shtet për vete” dhe e ka lënë Amerikën në izolim për sa u përket tregtisë, ndryshimeve klimatike dhe paqes në Lindjen e Mesme. Në vend se të angazhohet në diplomaci kreative, ai i ka ofenduar fqinjët dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara, duke u tërhequr prej marrëveshjeve kryesore ndërkombëtare, është tallur me organizatat multilaterale dhe ia ka mohuar Departamentit të Shtetit vetë rolin dhe burimet e tij. Në vend se të ngrihet për vlerat e një shoqërie të lirë, përbuzja e tij e shpeshtë për demokracinë dhe zotimi për ndërtimin e mureve ka shërbyer për forcimin e diktatorëve. Ata nuk kanë më nevojë t’i frikësohen kritikës së Amerikës për sa u përket të drejtave të njeriut apo lirive civile. Përkundrazi, ata tani mund t’i drejtojnë gishtërinjtë e edhe i drejtojnë kah Trumpi për t’i justifikuar veprimet e tyre represive.
Me këtë apo rastin tjetër, Trumpi e ka sulmuar gjyqësorin, i ka tallur mediat, e ka mbrojtur torturën, e ka arsyetuar brutalitetin policor, i ka nxitur mbështetësit të grumbullohen dhe – me apo pa shaka – i ka barasvlerësuar marrëveshjet e thjeshta politike me tradhti. Është munduar ta minojë besimin në procesin zgjedhor të Amerikës nëpërmjet një komisioni të rremë këshillues për integritetin e votuesit. Në mënyrë rutinore i përgojon institucionet federale të zbatimit të ligjit. Shpif kundër imigrantëve dhe shteteve prej të cilave ata vijnë. Fjalët e tij aq shpesh bien ndesh me të vërtetën sa që mund të duken injorante, ndonëse në fakt janë të kalkuluara që t’i përkeqësojnë ndasitë fetare, shoqërore dhe racore.
Përtej oqeanit, në vend se të ngrihet kundër ngacmuesve, Trumpit duket se i pëlqen ngacmuesit, ndërsa ata mahniten nga fakti se pikërisht ai e përfaqëson brendin amerikan. Nëse dikush do ta hartonte ndonjë shkrim që e paraqet kronologjinë e ringjalljes së fashizmit, atëherë abdikimi i lidershipit moral të Amerikës do ta zinte vendin e parë në listë.
Po kaq alarmuese është mundësia që Trumpi t’i vërë në lëvizje ngjarjet që as ai dhe as dikush tjetër mund t’i kontrollojë. Politikat e tij karshi Koresë Veriore ndryshojnë dita-ditës dhe mund së shpejti të kthehen në gjëmime lufte nëse Feniani dëshmohet kokëfortë para ose gjatë bisedimeve. Kërcënimi i tij për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me Iranin mund ta zhbëjë një pakt që e bëri botën vend më të sigurt dhe mund ta rrezikojë reputacionin e Amerikës si një fuqi e besueshme në një moment kritik. Mbështetja e tij për tarifat proteksioniste bën thirrje për hakmarrjen e partnerëve të mëdhenj tregtarë – duke krijuar konflikte të panevojshme dhe i rrezikuar me miliona vende të punës që varen prej eksportit.
Spastrimet e fundit në ekipin e tij të sigurisë kombëtare ngrenë pikëpyetje të reja lidhur me kualitetin e këshillës që ai do të marrë. John Bolton e nis punën në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Çfarë mund të bëhet?
Së pari, të mbrohet e vërteta. Shtypi i lirë, për shembull, nuk është armik i popullit amerikan; është mbrojtës i popullit amerikan. Së dyti, duhet ta fuqizojmë parimin që askush, madje as presidenti, të mos jetë mbi ligjin. Së treti, secili prej nesh duhet ta kryejë detyrën e vet për ta aktivizuar procesin demokratik me anë të regjistrimit të votuesve të rinj, me anë të të dëgjuarit me respekt të atyre me të cilët nuk pajtohemi, me anë të trokitjes në dyer për kandidatët e favorizuar dhe me injorimin e këshillës cinike: “Nuk ka se çfarë të bëhet”.
Unë jam 80-vjeçare, por ende frymëzohem kur i shoh të rinjtë tek bashkohen për të kërkuar të drejtë studimi pa pasur nevojë të veshin jelekë antiplumb.
Duhet, po ashtu, të reflektojmë rreth definicionit të madhështisë. A mund një shtet ta meritojë këtë emërtim, ndërsa rreshtohet përkrah diktatorëve dhe autokratëve, i injoron të drejtat e njeriut, e hap sezonin e ri të gjahut në fushën e ambientit dhe e përbuz përdorimin e diplomacisë në kohën kur faktikisht secili problem serioz kërkon bashkëpunim ndërkombëtar?
Për mua, madhështia shkon diç më thellë sesa sasia e mermerit që e vendosim në hyrje të hotelit tonë apo nëse e kemi një paradë ushtarake të stilit sovjetik. Ç’është e mira, Amerika është vend ku njerëz të sfondeve të ndryshme punojnë bashkërisht për mbrojtjen e të drejtave dhe për pasurimin e jetëve të të gjithëve. Ky është shembulli që gjithnjë kemi dashur ta paraqesim dhe modeli që njerëzit përreth botës do të dëshironin ta shihnin. Dhe asnjë politikan, madje as ai në Zyrën Ovale, nuk duhet lejuar që ta shuajë këtë ëndërr.

(Madeleine Albright, autore e librit: “Fashizmi: Një paralajmërim”, ka qenë sekretare amerikane e Shtetit gjatë viteve 1997- 2001. Ky vështrim është botuar në të përditshmen amerikane “The New York Times”)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button