Home / Ekonomia / BB me parashikime pozitive për Ballkanin Perëndimor, emigrimi mbetet sfidë

BB me parashikime pozitive për Ballkanin Perëndimor, emigrimi mbetet sfidë

Në prezantimin e Raportit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, i cili u prezantua sot në të gjitha zyrat e BB-së në vendet e këtij rajoni, u theksua se BB sheh trend pozitiv në këtë rajon.

BB thotë se dobësia ngadalëson rritjen, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u zvogëlua nga 3,1 për qind në vitin 2016 në 2,4 për qind në vitin 2017, mirëpo shton se zhvillimi parashikohet të rritet në 3,2 për qind në vitin 2018 dhe 3,5 për qind në vitin 2019.

Të dhënat në raport tregojnë se një nga sfidat e raajonit është emigrimi i njerëzve me arsim të lartë. Nga atje theksuan se shumica e emigrimit janë nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, ku 50 për qind e popullsisë emigroi, ndërsa të dhënat për Maqedoninë tregojnë se 25 për qind e popullsisë ka emigruar.

– Banka Botërore me parashikime pozitive për Maqedoninë

Në prezantimin e Raportit të rregullt ekonomik, BB sheh parashikime pozitive për rritjen ekonomike në të ardhmen e afërt në Maqedoni.

“Ndikimi ekonomik i krizës politike në Maqedoni ishte më i gjatë se sa pritej. Rritja u ngadalësua në zero në vitin 2017 për shkak të rënies së madhe të investimeve. Por, ekonomia ka filluar të shërohet në vitin 2018, e udhëhequr nga konsumi dhe shëtimi i invesimeve”, tha Marco Mantovanelli, Drejtori i Zyrës së BB-së në Maqedoni,

Sipas BB-së, integrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) mund të përshpejtojë reformat strukturore dhe të rrisë besimin e investitorëve, ndërsa rritja e përshpejtuar do të ndihmojë konsolidimin fiskal.

BB rekomandon përpjekje të vazhdueshme të konsolidimit fiskal, zbatimin e reformave tatimore, duke përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e shpenzimeve sociale, racionalizimin e subvencioneve sidomos në bujqësi, sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve, për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe investimeve publike.

Në fund ai theksoi se përmirësimi i politikave fiskale në investime në kapitalin njerëzor dhe fizik është esencial për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

– Rritja ekonomike në Shqipëri nxiti krijimin e vendeve të punës

Rritja ekonomike në Shqipëri vlerësohet të ketë arritur në 3.8 për qind në vitin 2017, nga 3.4 për qind që ishte vitin 2016. BB parashikon që ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri të ngadalësohen në 3.6 për qind gjatë vitit 2018.

“Rritja ekonomike u forcua në vitin 2017 dhe mbështeti krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë. Perspektiva ekonomike është pozitive, por rritja e qëndrueshme ekonomike ka nevojë për reforma strukturore. Sektori i shërbimeve dha kontributin më të madh në hapjen e vendeve të reja të punës gjatë vitit 2017”, tha Shijaku, ekonomiste pranë zyrës së BB në Tiranë.

BB thekson se rritja ekonomike që nxiti krijimin e vendeve të punës në Shqipëri u forcua si rezultat i investimeve dhe investimet do të vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike, por në një masë më të vogël se në 3 vitet e fundit.

Sipas raportit niveli i punësimit u rrit me 3.3 për qind në vitin 2017 dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës u rrit në 58.3 për qind.

Më tej theksohet se rritja ekonomike parashikohet të ngadalësohet në 3.6 për qind në vitin 2018, sipas BB-së, për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha në sektorin e energjisë dhe më pas rritja parashikohet të jetë mesatarisht 3.5 për qind në dy vitet e ardhshme.

Përpjekjet për konsolidimin e financave publike, reduktimi i borxheve, fillimi i reformave në sektorët e energjisë, financave dhe në gjyqësor, sipas BB-së janë me rëndësi kritike për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

– “Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4.4 për qind në 2017”

Ekonomist në Zyrën e BB-së në Prishtinë, Agim Demukaj, i cili prezantoi raportin për vendin tha se Kosova gjatë vitit 2017 ka shënuar një rritje të shëndetshme e vlerësuar në 4.4 për qind më e lartë se në vitin paraprak që ka qenë 4.1 për qind. Ai tha se kjo rritje është mbështetur nga ringjallja e eksporteve dhe investimeve më të larta.

Duke bërë të ditur se të hyrat buxhetore janë përmirësuar vitin e kaluar ai bëri të ditur se deficiti fiskal është rritur pak më shumë se në vitin paraprak për shkak të invesimeve më të larta dhe transfereve sociale (veteranët dhe pensionet).

Sa i përket punësimit në vend, Demukaj tha se gjatë vitit 2017 ka ndodhur një rritje më e shpejtë në prodhim dhe shërbime krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, megjithatë shtoi se është një ngadalësim i punësimit në krahasim me vitin 2016.

“Në rastin e rritjes së numrit të fuqisë punëtore brenda vitit ku më shumë njerëz kërkojnë punë atëherë edhe pse është krijuar më shumë punësim me 25.300 vende të reja të punës megjithatë norma e papunësisë është rritur rreth 30.4 për qind’, tha Demukaj.

Lidhur me kërkesën për eksporte, Demukaj tha se vendi ka përfituar nga eksportet në turizëm dhe nga rritja e çmimeve të mallrave bazë.

Sipas raportit, Demukaj foli edhe për rritjen ekonomike të paraparë në Kosovë për 2018 dhe 2019 e cila ëshë rreth 4.8 për qind për këtë vit dhe 4.8 për qind për vitin e ardhshëm por prospekti është i ndjeshëm ndaj rreziqeve të jashtme dhe të brendshme (përfshirë ato politike).

Si rreziqe të mundshme ai nënvizoi jostabilitetin politik, pjesëmarrjen më të lartë të shpenzimeve joproduktive, rritjen më të ulët që pritet në BE që shpie në zvogëlimin e eksporteve, IHD-ve dhe dërgesave të diasporës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.