Home / Kronika / Adriatik Llalla ikën nga Shqipëria në mes të hetimeve

Adriatik Llalla ikën nga Shqipëria në mes të hetimeve

Në një kohë kur për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla në media çdo ditë e më shumë flitet për hetim dhe arrestimin e tij, nga Gjermania ku ndodhet prej disa kohësh Adriatik Llalla ka zgjedhur të përballet me drejtësinë nëpërmjet avokatit.

Avokati i Llallës nga kjo e hënë është juristi Sokol Hazizaj i cili ka mohuar që ndaj Llallës të kenë një hetim. Hazizaj mohon që ndaj ish Kryeprokurorit të ketë një procedim të regjistruar pranë prokurorisë së krimeve të rënda.

Hazizaj ka pranuar se me anë të një prokurore është përzgjedhur nga ish kryeprokurori Llalla për ta mbrojtur ligjërisht dhe do ta përfaqësoja të edhe pranë kolegjit të posaçëm të Apelimit ku do të shqyrtohet nëse duhet apo jo të rihapet procesi i vettingut për Llallën.

Avokati i Adriatik Llalla Sokol Hazizaj deklaroi:
“Nuk jam njoftuar për procedim apo fillim hetimi për klientin tim. Sa kohë jam mbrojtës ligjor i tij, unë do të isha personi i duhur për t’u njoftuar për procedimin penal apo hetimin ndaj tij. Prokurën përmes së cilës ish-kryeprokurori ka lëshuar, kam tagrin për ta përfaqësuar. Do jem i pranishëm edhe në seancën e KPA, pasi është apeluar vendimi i KPK që ka pranuar dorëheqjen e Llallës nga radhët e drejtësisë”.

Por paçka këtij qëndrimi më 15 mars 2018 prokuroria e Durrësit deklaroi se ndaj Llallës kishte nisur një hetim me 4 akuza përfshi dhe fshehjen e pasurisë e mos deklarimin e të hollave në kufi. Çështja penale kundër Adriatik Llallës është transferuar tek krimet e rënda.

Në vitin e fundit të mandatit të tij, Llalla pati konflikt të hapur me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, duke e akuzuar këtë të fundit si person që kishte ndikuar tek ai për arrestimin e Ilir Metës dhe për mbylljen e një procedimi penal në Fier, që bënte fjalë për kompaninë e naftës “Bankers Petrolium”. Nga ana tjetër Lu e ka quajtur Llallën si person të korruptuar dhe që ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. Nga ana e tij, Llalla reagoi në një media amerikane, duke thënë që “vendimi i Departamentit të Shtetit është marrë për shkak të keqinformimit me dashje që është bërë nga ambasadori Lu”.

Ndërkohë që disa javë pas vendimit të Departamentit të Shtetit, Prokuroria e Durrësit nisi hetimin ndaj Adriatik Llallës, për disa vepra që lidhen me pastrimin e parave. Tashmë kjo çështje i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published.