Ekonomia

Në 2017, institucionet prokuruan 1 miliard USD për mallra e shërbime

Të gjitha institucionet në vend si ato të nivel qendror, ato të varësisë, të pavarura apo lokal kanë detyrimin që për mallrat apo shërbimet që marrin, të zhvillojnë procedura prokurimi sipas ligjit. Për vitin 2017, në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik janë publikuar 7317 procedura me një fond limit prej 109 miliardë lekësh apo më shumë se 1 miliard USD.

Por jo të gjitha këto procedura janë përfunduar. Të dhënat tregojnë se në të vërtetë kanë vijuar 4889 tenderë, kurse diferenca është anuluar. Kjo ka bërë që të kemi edhe një rënie të fondit limit të prokuruar, që llogaritet rreth 850 milionë USD. Nga shpallja e fituesit tek nënshkrimi i kontratës sërish mund të ketë një rënie të fondit që ka shkuar realisht tek operatoret ekonomikë pasi në shumë raste nuk arrihet marrëveshja.

“Nga të dhënat e pasqyruara në tabelën më sipër, rezulton se nga 7317 procedurat e shpallura për t’u zhvilluar në sistemin e prokurimit elektronik, 2428 prej tyre janë anuluar, shifër e cila është dukshëm më e madhe se në vitin 2016, ku numri total i procedurave të anuluara ishte vetëm 493. Ndër arsyet teknike përmendim gabimet teknike njerëzore të kryera në sistemin elektronik të prokurimit.

Kurse ndër arsyet ligjore që çojnë në anulimin e procedurave përmendim vendimet e anulimit nga Komisioni Prokurimit Publik, mungesë konkurrence gjatë zhvillimit të procedurave, anulimeve për shkak të mbylljes së vitit buxhetor. Një rast tjetër që vlen të përmendet në funksion të analizës së anulimeve është dhe rasti kur procedurat shpallen me lote. Sipas të dhënave, numri më i madh i anulimeve (1400 procedura) u takon procedurave të prokurimit të shpallura me lote” thuhet në raportin vjetor të APP.

Mbi 80% të anulimeve të procedurave me lote i takojnë procedurave për blerje të medikamenteve dhe materialeve të shërbimit shëndetësor, ku kryesisht janë anuluar ato lote që prokurohen për sasi me vlera të vogla të medikamenteve.

Por si ka rezultuar kursimi në para falë garës që mundëson sistemi elektronik. APP thekson se, nga fondi limit që është tavani që vendos një institucion për shumën tek vlera reale me të cilën janë nënshkruar, kontrata ka një kursim prej 8.9 për qind. Në vlerë fondi i kursyer falë garës është 81 milionë dollarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button