Rajoni

Maqedoni: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

Ideja e mazhorancës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme apo të përgjithshme parlamentare këtë vit vlerësohet si bllof politik nga analistët. Ata thonë se Maqedonia ka nevojë për një dialog të mirëfilltë politik.

Koordinatori i grupit parlamentar të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Ilia Dimovski, në deklaratën dhënë disa mediave vendase ka thënë se nëse deputetët e opozitës maqedonase, të kryesuar nga Lidhja Social Demokrate-LSDM nuk kthehen në parlament, atëherë do të shqyrtohet mundësia që në nëntor të shpallen zgjedhje për 31 mandatet e opozitës apo zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Ai këtë e arsyetoi me faktin që po skadojnë afatet kushtetuese dhe duhet t’i jpet fund krizës politike me mospjesmarrjen e opozitës maqedonase dhe shqiptare në punimet e parlamentit.

LSDM : Pa qeveri teknike nuk pranojmë zgjedhje

LSDM-ja opozitare ka reaguar menjëherë duke thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë lloj zgjedhjesh të parakohësme, qofshin ato të pjesshme apo të përgjitshhme për aq kohë sa ato nuk shpallen nga një qeveri teknike. Sipas zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilegov, qeveria teknike është e vetmja garanci për zgjehje të lira dhe demokratike. Gjithnjë sipas bllokut opozitar maqeondas, ideja e partisë në pushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme në nëntor, flet për mungesë të vullnetit politik për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

“LSDM nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të cilat nuk do të jenë të organizuara nga ana e një qeverie teknike. Me kërcënimin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme apo zgjedhjeve të përgjitshhme, vetëm se thellohet kriza politike në Maqedoni“, është shprehur zëdhënësi i LSDM-së Shilegov.

Partia shqiptare në pushtet BDI i bën apel opozitës që të kthehet në punimet e parlamentit sepse vetëm aty mund të zgjidhen të gjitha problemet me të cilën ballafaqohet vendi.

“Vendi i opozitës është në Parlament sepse kanë fituar besimin e qytetarëve e për t’i përfaqësuar në Parlament. Deputetët e LSDM-së dhe PDSH-së, kanë përgjegjësi para qytetarëve që t’i mbrojnë dhe përfaqësojnë interesat e tyre në legjislativ. BDI inkurajon kthimin sa më të shpejtë të deputeteve të opozitës në Kuvend”, ka thënë deputeti i BDI-së Artan Grubi.

A ka arsye për zgjedhje të parakohshme

Analistët politikë vlerësojnë se kriza politike në vend mund të zgjidhet me dialog dhe jo me organizimin e zgjedhjeve të shpeshta . Analisti Naser Zyberi thotë se ideja e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohëshme, është një presion drejtuar deputetëve të opzitës për ti kthyer ata në Kuvend.

“Në prag të skadimit të afateve të mandateve, VMRO tenton të bindë opozitën të kthehet në Parlament. Kjo është e pamundur dhe nuk do të prodhojë asnjë efetk, meqë opozita së paku deri më tani, është e qartë se mbetet në kërkesën për formimin e qeverisë teknike. Zgjedhje mund të ketë për ato vende ku mandatet i ka fituar opozita dhe kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Zgjedhje të përgjithshme nuk mund të organizohen sepse mospjesmarrja e opozitës në to, do ti bënte zgjedhjet edhe jo më të vlefshme”, shprehet Naser Zyberi.

Arsovski: Zgjedhjet si alibi i dështimeve

VMRO-DPMNE është mësuar të luajë me zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe të njejtat i ka alibi çdo herë kur ballafaqohet me problem të ndryshme , thotë analisti Petar Arsovski.

“VMRO-DPMNE vazhdimisht u ka ikur problemeve duke e ndjerë veten më të sigurtë duke shkuar në zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Gjithmonë kemi dëgjuar të njejtat gjëra në premtimet parazgjedhore nga ana e kësaj partie, por shohim se bëhet gjithnjë e më keq. Tani është koha që vendi të kalojë një periudhë pa zgjedhje të parakohëshme parlamentare”, thotë Petar Arsovski

Pa dialog politik nuk ka tejkalim të krizës

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës nëse do të ketë apo jo zgjedhje të parakohëshme parlamentare në nëntor, kanë thelluar edhe më shumë dallimet mes dy blloqeve politike. Mbajtja eventuale e zgjedhjeve në nëntor nuk do të zgjidhte problemet në Maqedoni, përkundrazi, kriza edhe më tej do të thellohej, thotë profesori universitar Nano Ruzhin. Propozimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në nëntor është vetëm një formë frikësimi për opozitën thotë Ruzhin.

“Kur janë në pyetje tezat maksimaliste dhe minimaliste, duhet gjetur një mes. Në këtë rast mesi është se zgjedhjet e ardhshme nuk mund t‘i organizojë kjo qeveri. Prandaj teza për një qeveri 6 mujore teknike është e pranueshme. Por që të arrihet kjo, duhet të fillojë një dialog i mirfilltë politik mes pushtetit dhe opozitës”.

Dialogu politik është elementi më i rëndësishëm për BE-në kur flitet për Maqedoninë. Pa dialog politik dhe pa marrëveshje me partinë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE nuk do të mund të funksionojë në një sistem politik në korniza legjitime. Nëse si çelës për zgjidhjen e problemeve shikohet çdoherë organizimi i zgjedhjeve, atëherë kjo është një politikë që dëmton vetë VMRO-DPMNE-në thotë Nano Ruzhin .

Edhe për analistin Ibraim Mehmeti, mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohësme parlamentare, do të jetë vetëm një lojë politike

“Problemi qëndron në faktin se partitë në pushtet me vetë forcën e numrave mund të bëjnë manipulime dhe kombinime të ndryshme sipas nevojës së politikës ditore. Sa herë që partitë në pushtet dëshirojnë të dërgojnë një mesazh për të treguar forcën e tyre, ato përdorin zgjedhjet si argument. Në demokracitë e shëndosha zgjedhje të parakohëshme zakonisht kërkon opozita dhe jo partia në pushtet”, vlerëson Ibraim Mehmeti.

Profesori universitar Nikolla Dujovski thotë se nëse edhe më tej vazhdon bojkoti i punimeve të parlamentit nga ana e opozitës maqedonase dhe shqiptare, pasojat e krizës politike mund të jenë edhe më të mëdha . Sipas tij, në Maqedoni pas çdo cikl zgjedhor ka kontestim të rezultateve dhe kjo është një sinjal i keq për politikë bërjen në vend.

“Kjo po bëhet praktikë në Maqedoni dhe nuk është gjë e mirë. Edhe gjatë zgjedhjeve të fundit opozita kontestoi rezultatet . Si rezultat i kësaj nuk mund të realizohet asnjë dialog real politik apo të kemi ndonjë konsensus për çfarë do qoftë çështjeje”, shprehet Dujovski.

Në muajin nëntor skadon afati ligjor për plotësimin e vendeve të zbrazura të deputetëve të opozitës maqedonase. Sipas ligjit, kryetari i parlamentit mund të shpallë zgjedhje të pjesërishme për plotësimin e mandateve të lira, por opozita këmbëngul se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje pa u formuar qeveri teknike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button