Ekonomia

Hapja e negociatave me BE-në nxit investimet e huaja

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian nxit investimet e huaja në vend dhe rrit aksesin e Shqipërisë në programet e financimit, sidomos ato që lidhen me asistencën teknike. Në një intervistë për ATSH-në, zv/ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Klea Maliqi ndalet te përfitimet që do të ketë Shqipëria nga çelja e negociatave me Bashkimin Europian, si dhe te stacionet e radhës që e presin vendin në këtë proces. Semaforët jeshilë për Shqipërinë tashmë janë hapur, u shpreh Maliqi, duke shtuar se “gara e meritës ka filluar”. “Është koha që të bashkojmë forcat, për të krijuar rezultate të reja dhe për të folur me një zë si shqiptarë për Shqipërinë që duam si gjithë Evropa. Ky është momenti historik për të gjithë ne si popull që mbi bazën e meritës të paraqitemi me dinjitet para Europës, si një vend që meriton të nisë rrugën e gjatë të transformimit me vizion të qartë përkatësie në bashkësinë europiane”, tha Maliqi.

Hapi i radhës është Samiti i Sofjes, thekson zv/ministrja Maliqi, duke u ndalur te disa data të rëndësishme që ka para vendi në këtë proces. Pas marrjes së raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë në 17 prill 2018, ku u dha rekomandimi i pakushtëzuar për çeljen e negociatave, vendi ka para disa ngjarje të rëndësishme:

    • Samiti i Sofjes BE-Ballkani Perëndimor, 17 maj 2018
    • Takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, 26 qershor 2018
    • Mbledhja e Këshillit Europian, 28 qershor 2018

Negociatat, rrugë e mundimshme reformash 

Maliqi thekson se “hapja e negociatave nuk do të thotë që Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së pa kaluar në rrugën e mundimshme të reformave dhe pa e merituar anëtarësimin”. “Hapja e negociatave është sinjali i inkurajimit dhe i mbështetjes për ne që të vijojmë rrugën tonë të transformimit me besimin se nuk jemi vetëm, se nuk jemi ndryshe, se ndajmë të njëjtat vlera edhe pse jo të njëjtën mirëqenie”, tha ajo. Këtu ku kemi mbërritur nuk kemi ardhur as për një vit dhe as për pak vjet, shprehet Maliqi. Ndaj sipas saj, edhe procesi i transformimit nuk do të zgjasë as një vit të vetëm dhe as pak vjet. “Do të jetë një rrugë e gjatë, por e bukur progresi për ndërtimin e Shqipërisë që duam si gjithë Euvropa”, tha Maliqi për ATSH.

Përfitimet e Shqipërisë nga çelja e negociatave

Përfitimi më i madh i hapjes së negociatave, për zv/ministren, “është asistenca teknike e përforcuar që do t’ i jepet qeverisë shqiptare për zbatimin e reformave”. “Shqiptarët nëse do të përfitojnë diçka nga ky proces është ndihma për të reformuar çdo sektor të jetës dhe për t’ u qeverisur më mirë”, tha ajo. Megjithatë hapja e negociatave ka edhe disa përfitime të tjera. Maliqi shprehet se ato janë konfirmim i rëndësishëm politik se Shqipëria i përket BE-së dhe e ardhmja e saj është në BE. Po ashtu, hapja e negociatave “ngre nivelin e marrëdhënieve politike dhe komunikimit politik midis institucioneve”. Hapja e negociatave, tha Maliqi, nxit investimet e huaja dhe Shqipëria mund të ketë një lloj rritje të aksesit në programet e financimit, sidomos ato që lidhen me asistencën teknike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button