Politika

Komisioni hetimor vendos të hetojë lidhjet mes anëtarëve të KLD-së

Nën kontroll pasuria e dy anëtarëve Çefa dhe Lelçaj

Braho – “Është e domosdoshme të hetohen lidhjet familjare të anëtarëve të KLD-së, të stafit, si dhe pasuria e Çefës dhe Lelçajt”

NGA ARTEMISA HOXHA

komisionin hetimorHetimi i Parlamentit nuk do të fokusohet vetëm te puna e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, por dhe te pjesëtarët e tjerë të këshillit. Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së. Në mbledhjen e djeshme është vendosur hetimi i pasurisë së Çefës dhe Lelçajt, por mbi të gjitha dhe lidhjet familjare mes të gjithë anëtarëve të tjerë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kërkesa për hetimin e pasurisë së Çefës dhe Lelçajt erdhi dje nga anëtari i komisionit hetimor, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, në mbledhjen e parë të komisionit parlamentar. “Mendoj se është e domosdoshme të hetohen edhe lidhjet familjare të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të stafit të KLD-së, si dhe pasuria e Çefës dhe Lelçajt. Janë çështje që kanë krijuar problematikë dhe ka të dhëna edhe nga shtypi, kështu që ta hetojmë edhe këtë pjesë”, tha Braho. Kreu i komisionit hetimor, Armando Subashi, shpjegoi edhe procedurat që do të ndjekë ky komision për të zbardhur shkeljet që kanë bërë dy anëtarët e KLD-së, duke filluar që nga procesverbalet e mbledhjeve në KLD apo dhe vendimeve të marra në këtë organ. Pjesë e kërkesave të komisionit hetimor për të verifikuar shkeljet që janë bërë nga Lelçaj dhe Çefa do të jenë dhe testimet profesionale që janë ndjekur për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatat Administrative. “Do t’i kërkojmë shkresë zyrtare, në radhë të parë KLD-së, për të na dërguar brenda një afati të arsyeshëm të gjithë dokumentacionin përkatës që ka të bëjë me procesverbalet e mbledhjeve, me vendimet e marra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Do t’i kërkojmë gjithë dokumentacionin e nevojshëm lidhur me procedurën që është ndjekur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në rastin e testimit profesional të gjyqtarëve, lidhur me emërimin në Gjykatat Administrative. Në kërkesat tona duhet të shtojmë edhe gjithë mënyrën e emërimit të administratës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, tha kryetari i komisionit, Armando Subashi.

Duke lexuar objektivat e këtij komisioni, deputeti socialist Subashi tha se një tjetër moment i hetimit nga ana e pesë anëtarëve të mazhorancës ka të bëjë me kërkesat që kanë bërë ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë dhe ish-prokurorja e përgjithshme lidhur me emërimin e tyre në Gjykatën e Apelit. Anëtari i këtij komisioni, Taulant Balla, kërkoi që ky komision të përmbushë misionin e tij brenda afateve të caktuara me ligj, në mënyrë të tillë që të mos kërkohet shtyrje afati nga Kuvendi. “Komisionet hetimore kanë krijuar traditë në Komisionin Parlamentar. Dhe ky komision do të jetë në kuadër të kësaj tradite. Kjo rregullore është e konsultuar dhe me opozitën parlamentare sot. Ajo bazohet në Rregulloren e Kuvendit dhe në atë paragraf kushtetues. Ndaj ta miratojmë Rregulloren, pasi është udhërrëfyesi i punës sonë dhe nuk kërkon kohë. Vetëm te neni 21 duhet bëhet një ndryshim. Duhet të përmbushim afatet, dhe të mos shkojmë deri në fund, duke dashur që Kuvendi të shtyjë afatin. Kjo ka qenë problematikë e komisioneve të mëparshme”, tha Balla. Në të njëjtën kohë, komisioni hetimor do të hetojë edhe për procedurën e ndjekur për emërimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, korrespondencat me ministrat e Drejtësisë. Sipas kreut të komisionit, anëtarët e tij kanë afat deri të enjten për të mbledhur këto informacione dhe më pas, në bazë të tyre, do të përcaktohen se cilët persona do të thirren në Komision dhe më pas do të nisë hetimi.

DetajeHetim i Kuvendit

Komisioni – Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë, Armando Subashi, kryetar; Ulsi Manja, sekretar; anëtarët Taulant Balla, Besnik Bare dhe Spartak Braho

Anëtarët – Opozita, së cilës sipas rregullores i takojnë që të ketë katër anëtarë në këtë komision hetimor, nuk ka pranuar të jetë pjesë e tij

3 tetor – Të premten do të jetë mbledhja e radhës së Komisionit, i cili ka si detyrë të hartojë pas 30 ditëve raportin final ndaj dy 2 anëtarëve

Firmëtarët

39 deputetë të PS-së dhe LSI-së firmosën kërkesën për shkarkimin nga detyra të nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe anëtarit të saj, Lulzim Lelçaj.

Ministri

“Në 5-6 vite, 212 kryetarë gjykatës vazhdonin si të komanduar”

Naço: Anëtarët e KLD-së, me axhendë personale

21 kryetarë gjykatash vazhdonin deri në 5-6 vjet të deleguar dhe të komanduar

Dy anëtarët kanë fjetur, ose kanë pasur axhendë tjetër personale gjatë ushtrimit të detyrës

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Nasip Naço, ka folur për herë të parë pas vendimit të Kuvendit për ngritje të komisionit hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, pasi të dy kanë ndjekur një axhendë personale në emërimet e gjyqtarëve. Për këtë arsye, duke iu referuar dhe ligjit të KLD-së, ata duhet të largohen nga detyra. “21 kryetarë gjykatash vazhdonin deri në 5-6 vjet të deleguar dhe të komanduar. Mjafton ky fakt, për të treguar që dy anëtarët në KLD, të zgjedhur nga Kuvendi kanë fjetur, për sa kohë nuk kanë zbatuar atë vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili përcaktonte që një kryetar gjykate mund të komandohej deri në tre muaj. Nëse ikin 5 vjet, unë besoj dhe them sërish që dy anëtarët kanë fjetur, ose kanë pasur axhendë tjetër personale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si anëtarë të KLD-së”, tha Naço. Duke iu referuar përbërjes së KLD-së, Naço tha se ajo që synon të bëjë qeveria është pikërisht sjellja e një fryme të re, e cila do të garantonte dhe më shumë pavarësinë në këtë institucion. “Absolutisht ne kërkojmë të ndryshojmë vetëm frymën në KLD. Nuk duam të ndryshojmë numrat, kjo nuk është çështje numrash. Pavarësia e gjyqësorit është e garantuar. Ju e dini, që KLD përbëhet nga 15 anëtarë, ku 9 zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare dhe kryetari i Gjykatës së Lartë, bëhen 10. Pra, raporti është gjithnjë 10 me 5, për shkak edhe të politikës”, tha Naço. Referuar edhe zërave të fundit në media për një rikthim të ish-prokurores së përgjithshme, Ina Rama, ministri i Drejtësisë tha se të gjithë janë të lirë të kandidojnë për këtë post, atë të nënkryetarit apo anëtarit të KLD-së. Mazhoranca tashmë ka ngritur një komision hetimor për të kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa (njëherësh nënkryetar i KLD-së) dhe Lulzim Lelçajt, pas shkeljeve të evidentuara nga dy zyrtarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button