Home / Bota / Ofensiva plot sharm e Macronit ndaj Trumpit, pjesë e synimeve për të udhëhequr Europën

Ofensiva plot sharm e Macronit ndaj Trumpit, pjesë e synimeve për të udhëhequr Europën

Epo si të gjitha pyetjet, edhe kjo ka nevojë për një përgjigje.

Në Europë apo në SHBA, fokusi përreth Emmanuel Macronit ka prodhuar shpresa dhe ankthe, thuajse në të njëjtën masë. Liberalët e dashurojnë atë si një djalë kopertine për centrizmin radikal të tij në epokën e kufizimit të demokracisë dhe populizmit të tërbuar, ndërsa ekstremistët e të dyja krahëve, të majtë e të djathtë, kanë zbuluar kërcënimin që ai përfaqëson ndaj botëkuptimeve të tyre, e për këtë arsye e sulmojnë.

Ashtu si Donald Trump, Macroni është i ndërgjegjshëm se ka dalë në skenë nga një epokë polarizimi i tejskajshëm. Por fuqia që kanë këto dy burra është, më e pakta, tepër e ndryshme.

Udhëtimi i parë presidencial i Macronit në Shtetet e Bashkuara vjen çuditërisht nën petkun e rrëfenjës së jashtëzakonshmërisë franceze, sipas së cilës Franca ka një rëndësi disi unike në botë, të përhapur nga “spin doktorët” (zëdhënës që interpretojnë në mënyrë favorizuese për qeverinë ngjarje të ndryshme).

Nuk ka asgjë në botë që të mund të lëvdojë krenarinë franceze, sesa një president francez në skenën botërore, në krah të udhëheqësit të atij që mbetet ende vendi më i fuqishëm në botë.

Fakti që Macron dhe Trump formojnë në të vërtetë një çift tepër të çuditshëm, në stil e thelb, e bën edhe më interesante.

Me Britaninë thuajse të lënë jashtë, jo vetëm si rezultat i “Brexit”-it, dhe Angela Merkelin (që do ta takojë Trumpin të premten) që vuan nga konsumimi 13-vjeçar në detyrë, si dhe armiqësinë personale të Trumpit, sigurisht që ka mundësi të qarta e të dukshme për një udhëheqës francez, i cili di sesi të marrë më të mirën nga ky moment me fat.

Por, a ka me të vërtetë ndonjë shans Macroni që të bindë Trumpin mbi disa çështje të lidhura me Iranin, tregtinë, apo ndryshimet klimatike, kjo mbetet ende një pyetje e hapur dhe pa një përgjigje konkrete. Megjithatë, intriguese është magjia që ka prodhuar kjo përballje, sikurse edhe lavdërimi thuajse “pas vdekjeje” i shkruar përtej Atlantikut mbi planet europiane të Macronit, apo besimit të tij centrist, shpesh i konsideruar si i dënuar për të dështuar apo i pasinqertë.

Opinionet e kohëve të fundit në SHBA i kanë bërë jehonë fjalimit të fundit të Macronit në Europë, në të cilin ai foli për rrezikun e “përgjumjes” në mesin e një lloj nacionalizmi që mund të nxisë një “lloj lufte civile”. Trauma e liberalëve të Amerikës për ardhjen e Trumpit në pushtet duket se kërkon të gjejë shpëtimtarë, ndoshta edhe francezë.

Paralajmërimi i Macronit mbi fantazmat e së shkuarës së Europës ishte shumë i rëndësishëm, e gjithashtu një tjetër përpjekje për të marrë kryesimin e kontinentit të vjetër. Nëse, siç tha për “Fox News” me një gjysmëshaka, synimi i tij është për ta bërë Francën “të madhe sërish”, ai e di mirë që kjo mund të arrihet vetëm duke e bërë Europën më të fortë, e Francën të fuqishme brenda saj.

Pengesat janë ndoshta më të pakta në Francë (ku mbështetja për greva e protesta kundër planeve reformuese të Macronit po pakësohet) sesa në Gjermani. Me gjasë, dyshimet e gjermanëve mbi propozimet e tij mbi Eurozonën e kanë bindur edhe më shumë Macronin se, rivitalizimi politik europian është vonuar shumë, ndaj dhe atij i duhet të përpiqet ta realizojë.

Afati përfundimtar nuk është “Brexit” (një rrëmujë madhështore ndaj së cilës do të përpiqet t’i dedikojë shumë pak kohë për ta menaxhuar), por zgjedhjet europarlamentare të majit të vitit 2019. Askush nuk e di sesi Macron do t’i luajë letrat e tij, veçanërisht tani që ideja e tij për një listë kandidatësh paneuropianë është refuzuar. Por, shumë pak dyshime mbeten mbi faktin që ai do të kërkojë të kopjojë në nivel europian, formulën “as të majtë e as të djathtë” të përçarjes politike, që funksionoi më së miri për të në Francë.

Kundër këtij sfondi, kritikat e bëra ndaj Macronit nga ekstremi i majtë, sikurse edhe nga ekstremi i djathtë, thjesht i shërbyen interesave të tij. Sa më radikale ishin ato sulme, aq më mirë për të. Ato e ndihmuan atë të dukej si një reformator racional. Edhe pas sulmeve ajrore nga SHBA-Franca-Britania në Siri, ekstremi i majtë u përpoq të shkundte shtrirjen e saj me ekstremin e djathtë, teksa preferoi të kritikonte më shumë veprimet e Perëndimit, sesa ato të autokratëve dhe vrasësve masivë.

Po, është e vërtetë se Macroni ka shumë pak, përtej fjalimeve, për të treguar përpjekjet e tij për rinisur Europën. Por shikoni manovrimin e tij me centristët e “Ciudadanos” në Spanjë (tashmë më të fuqishëm sesa ‘Podemos’), apo taktikat e tij që synojnë të përçajnë rrymat kryesore të të djathtëve europianë, pjesë të të cilëve duket se po flirtojnë hapur me neofashistët në Hungari apo gjëkund tjetër. Megjithatë diçka mbetet e diskutueshme: politikat e brendshme të Macronit për azilkërkuesit dhe emigrantët përllogariten të zënë terrenin qendror.

Ky udhëtim në Shtetet e Bashkuara është një ndihmë për presidentin francez, jo thjesht për shkak të pompozitetit apo mahnitjes nga një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë. Macron duket se është hedhur në strofullën e luanit, të një presidence amerikane që përfaqëson një rrezik real ndaj Europës. Trump është njëkohësisht një kërcënim strategjik (tronditja mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin), një kërcënim ekonomik (mendon për luftra tregtare) dhe një kërcënim ideologjik (kujtoni sesi Marion Marechal-Le Pen i Frontit Nacional francez u shfaq në një mbledhje të fundit të konservatorëve amerikanë). “Bromanca” (marrëdhënia e ngushtë joseksuale mes dy meshkujve) Macron-Trump është një burim për kryetitujt e medieve botërore, por vështirë se kamuflon dobësinë e Europës përballë tekave apo kapriçove amerikane. Dobësia e kontinentit të vjetër është thelluar edhe më shumë nga ekspozimi ndaj forcave rajonale që nuk mund t’i kontrollojë, e që shpreson t’i adresojë vetëm përmes shfrytëzimit të forcës së SHBA-ve.

Ajo që të bie në sy është se, ambiciet europiane të Macronit varen jo vetëm nga axhenda e reformave të brendshme, por edhe nga masa që ai do të mund të rrisë profilin e tij në Uashington, e tërheqja e besueshmërisë në Europë prej këtij profili. Macron është i ndërgjegjshëm se presidenca e tij u bë e mundur vetëm falë Kushtetutës së vitit 1958 të Charles de Gaulle, që lejon anashkalimin e partive ekzistuese të themeluara e ngritjen e një të reje (ai në fakt pëlqen ta përshkruajë veten dhe Trumpin si rebelë).

Ai di gjithashtu se francezët “vdesin” për një udhëheqës me autoritet dhe se europianët kërkojnë mbrojtje. Ai beson se vendosja nën breshërinë e sulmeve nga të majtë e të djathtë, e sigurisht rezistimi përballë tyre, e ndihmon atë të sigurojë pozicionin e tij në Europë.

“Përgjigjja nuk është një demokraci autoritare, por autoritet i demokracisë”, tha Macron gjatë fjalimit të tij në Strasburg. Megjithatë, nëse Trumpi kupton plotësisht ndonjërën nga këto, kjo është krejtësisht një çështje tjetër, padyshim. Privatisht, Macron me siguri qesh me këtë. Ai beson se po luan me një mendje të dobët europiane dhe është i bindur se vetëm sa ka filluar. Ndoshta është një paradoks historik për një francez, por rruga e Macronit drejt Europës kalon nga Uashingtoni.

Leave a Reply

%d bloggers like this: