Home / Arte / Kush ishte IDIOTI i Dostojevskit?

Kush ishte IDIOTI i Dostojevskit?

“Idioti” është një ndër romanet më të ndërlikuara të Dostojevskit, tragjizmi i të cilit kalon përtej çdo parashikimi apo imagjinate të mendjes njerëzore.

Vepra e ndarë në katër pjesë është mishërimi i parimeve krijuese të Dostojevskit, zotësia e të cilit arrin majat me rrëfimin e historisë së dhimbshme të princit fatkeq Mishkin, Rogozhonit xheloz  dhe Nastasia Filipovnës vetëshkatërruese.

Tragjizmi i romanit qëndron në faktin se Mishkini, heroi i shkrimtarit, pavarësisht përpjekjeve për të mposhtur forcat armiqësore viktimë e të cilave bëhet ai vetë, nuk ia del të lumturojë personazhet e tjera, apo të përmirësojë sado pak jetët e tyre.

Protagonisti, Lev Nikollajeviç Mishkin, është pasardhës i një familje të vjetër fisnikësh. Ai është bjond, i ri, epileptik dhe u rikthye në Rusi pasi kishte 4 vjet që kurohej në Zvicër. Ai vishet, sillet dhe vepron si i huaj, por më e papranueshme për shoqërinë ruse ishte mosrespektimi i normave të aristokracisë.

Mishkini nuk i ndjek rregullat e shoqërisë dhe nuk ka frikë nga veprime, të cilat mund ta bëjnë të duket qesharak. Të shkuarit në shtëpitë e të tjerëve i paftuar nuk përbën turpërim për atë, dhe nëse e përqeshin ai do të qeshte bashkë me ta. Për më tepër ai është i hapur dhe i sinqertë në bisedë me të tjerët. Duke u nisur nga naiviteti i tepruar që e karakterizon princin Mishkin, të gjithë personazhet në roman e quajnë idiot. Te “IDIOTI”Dostojevski kërkon të portretizojë njeriun ideal, i cili përfaqëson të gjitha cilësitë e mira në qenien njerëzore dhe është pikërisht mirësia e tij e tepërt, që i përcakton diagnozën.

Gjatë gjithë veprës vihen përballë personazhe që i përkasin skajeve të kundërt të shoqërisë si: i pasuri me të varfërin, i bukuri me të shëmtuarin, i virtytshmi me të përulurin ndaj interest etj etj.

Në disa fragmente është lehtësisht e dallueshmë  ndërgjegja dhe mendjekthjelltësia e protagonistit, gjë që bie ndesh me  përcaktimin e tij si të sëmurë. Atëherë kush është idioti i vërtetë i Dostojevskit? Të gjithë ne nga pak, dhe asnjëri plotësisht.

Disa fragmente nga vepra:

“Mua të gjithë, nuk e di pse më marrin edhe për idiot, unë vërtetë dikur kam qenë aq i sëmurë, sa atëherë ngjisja me idiotin; po çfarë idioti jam tani, kur dhe vetë e kuptoj që mua më marrin për idiot?”

“Natyra është tallëse! Për ç’arsye ajo lind krijesa më të mira, me qëllim që pastaj të tallet me to?”

“Absurditet i gërryer nga sqima! A nuk e sheh ti vallë se të gjithë janë të çmendur nga krenaria dhe sqima?”

“Ligji i vetëshkatërrimit dhe ligji i vetëruajtjes janë njësoj të fuqishëm në rracën njerëzore! Djalli njësoj sundon njerëzimin deri në kufirin, që ende nuk e dimë”.

“Papa pushtoi tokën, hipi në fron dhe mori shpatën; që nga ajo kohë çdo gjë kështu dhe ecën, veçse shpatës i shtuan gënjeshtrën, dinakërinë, mashtrimin, fantazimin, besëtytnitë, kriminalitetin, luanin me ndjenjat më të shenjta,më të vërteta, më të thjeshta,  më të flakta të popullit, çdo gjë, të gjitha, i ndërruan për para, për pushtetin e ulët tokësor. Dhe kjo a nuk është teori anti-Krisht?”

Leave a Reply

%d bloggers like this: