Home / Politika / Mother Jones denoncon tjetër lobim shqiptar në SHBA, këtë herë për LSI

Mother Jones denoncon tjetër lobim shqiptar në SHBA, këtë herë për LSI

 Në artikullin e titulluar “Kush e paguan Bcuk McKeon-in në favor të një partie shqiptare? Si përdori kompania misterioze një kongresmen republikan për të lobuar me Trumpin dhe Kongresin?”, Mother Jones përmend veprimet misterioze të kompanive “offshore” në favor të Lëvizjes Socialist për Integrim.

Artikulli nga “Mother Jones”

Mënyra se si një kompani guaskë përdori një ish kongresmen që të lobojë te Trump dhe Kongresi Amerikan. 

Kush e pagoi Buck McKeon-in në emër të një partie politike shqiptare?

Vitin e shkuar, Howard “Buck” McKeon, një ish kongresmen republikan që kryesonte Komisionin e Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, u pagua për të lobuar në favor të një partie politike shqiptare që donte të lidhej me administratën e presidentit Trump dhe republikanët e Kongresit. Por shumica e shërbimeve të firmës mbulohej financiarisht nga një kompani “guaskë” qipriote, Dorelita Limited. Mbulimi nëpërmjet firmës ishte krijuar nga një avokat qipriot, i specializuar në krijimin e korporatave “offshore” dhe që kishte bashkëpunuar me kompani të lidhura me oligarkë rusë. Megjithatë, kompania guaskë tani kontrollohet (të paktën në letër) nga një avokat me bazë në Athinë, i cili ka qenë këshilltar i një miliarderi grek shumë të debatueshëm. Burimi i parave që kalonin nga Dorelita te grupi McKeon, firma lobuese e krijuar nga McKeon në vitin 2015, pasi la Kongresin, mbetet e mjegullt. Në fakt, ky mund të jetë gjithë qëllimi.

Këto manovrime ngrenë pyetje se kush ka paguar për lobimin në Amerikë në favor të një partie të vogël shqiptare, fuqi e tretë, LSI, para zgjedhjeve të vitit të shkuar. Marrëveshja misterioze jep një tjetër shembull të interesave të dyshimta që shfrytëzojnë kompani “offshore” të cilat përdorin sistemin politik të SHBA-ve për të ndikuar politikën në Ballkan. Muajin e shkuar, Mother Jones raportoi se Nicolas Muzin, një ish ndihmës i Senatorit Ted Cruz, i cili kishte punuar edhe për fushatën e Donald Trumpit, ishte paguar nga një kompani “guaskë” skoceze që kishte lidhje me shtetas rusë të cilët lobonin për opozitën në Shqipëri.

Puna e McKeon për Dorelitan vë në dukje se si ligjet amerikane për lobim ua lehtësojnë punën enteve me interesa të huaja që të përdorin kompani “guaskë” dhe grupe të ndryshme, duke shtyrë axhendat e tyre në Uashington edhe pa zbuluar identitetin apo qëllimin e vërtetë të këtyre lëvizjeve. Kjo tregon se si aktorë të ndryshëm nëpër botë përdorin kompani “guaskë” (të cilat mund të krijohen shumë shpejt në vende që kanë shumë pak kërkesa për hapjen e tyre), për të fituar ndikim politik në mënyrë anonime në SHBA dhe në vende të tjera.

“Qëllimi kryesor i kompanive ‘guaskë’ në vende si Qiproja është që të fshehin veprimtaritë për çështje delikate”, thotë Jeffrey Winters, shkencëtar politik në Universitetin Northwestern, i cili studion rrjetet financiare dhe se si të pasurit shfrytëzojnë kompanitë “guaskë”. “Kjo marrëveshje është mbushur plot me sinjale alarmuese”, shton ai.

“Një marrëdhënie e mirë dhe shumë e veçantë”

Në Janar të vitit 2017, Grupi McKeon nënshkroi një kontratë 15,000 dollarëshe me LSI-në, partinë e tretë politike në Shqipëri, që të lobonte për ta në Uashington dhe të promovonte kryetarin e tyre, Ilir Meta, në atë kohë kryetar parlamenti. Shqipëria në atë kohë po përgatitej për zgjedhjen e presidentit të ri në Prill dhe për zgjedhjet parlamentare në Qershor.

LSI ka luajtur historikisht rolin “kingmaker”,  atë të partisë së vogël që bëhet e domosdoshme për të krijuar koalicione fituese. Në atë kohë ishte në koalicion me partinë Socialiste, por aleanca e tyre po prishej dhe shumë shpejt LSI do të bashkohej me të djathtët e Partisë Demokratike. Meta, ndërkohë, po synonte postin e presidentit, që ka më shumë rol ceremonial, por që megjithatë do t’i jepte përmirësim të dukshëm partisë.

Meta ka shumë vite në skenën politike shqiptare. Ai ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë nga viti 1999 deri në vitin 2002. Në vitin 2012 u shpall i pafajshëm për një skandal të debatueshëm korrupsioni me një ish-ministër. Sipas Freedom House, Meta perceptohet nga shumë qytetarë si simboli i korrupsionit.

Burimi thotë se qëllimi kryesor i kontratës së Dorelitas ishte që Meta të kontaktonte me Presidentin Trump, në ndonjë takim ose për të bërë foto bashkë.

Sipas kontratës së McKeon me LSI, firma duhej t’i mundësonte Metës pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump, si dhe të organizonte takime me figura të rëndësishme në Uashington gjatë festimeve. Pas betimit të Trump-it, sipas kontratës, firma e lobimit do të ndihmonte që të zhvillohej një marrëdhënie e veçantë dhe shumë e mirë me administratën e presidentit Trump dhe me Kongresin amerikan. Kontrata ishte firmosur jo nga zyrtarët e LSI-së, por nga një i njohur i një anëtari të partisë, një avokat nga Athina me emrin Iraklis Fidetzis.

Në mes të Janarit Meta udhëtoi në Uashington për të marrë pjesë në përurimin e presidentit Trump. McKeon ndërmjetësoi takime për politikanin shqiptar me republikanë, si senatorët republikanë Orrin Hatch dhe Pat Roberts; kongresmenët Mike Conaway, Mike Turner dhe Ed Royce, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Kongresin Amerikan.
Uashingtoni është plot me agjentë lobimi që përfaqësojnë regjime dhe interesa të huaja, kështu që nuk ka qenë diçka e çuditshme për LSI-në të përpiqej të gjente mbështetës aty. Vitin e shkuar, të tre partitë kryesore të Shqipërisë paguan agjentë lobimi për t’u afruar me politikanët e Uashingtonit. E veçanta është ajo që ndodhi pasi grupi McKeon raportoi në Shkurt të vitit 2017 se e kishin mbyllur kontratën me LSI-në.

Muajin pasardhës, Grupi McKeon lidhi një tjetër kontratë të firmosur nga Fidetzis, këtë herë për Dorelita Limited, e cila i ka zyrat në të njëjtën adresë, në Athinë, si firma ligjore e Fidetzit. Një burim që ka njohuri për kontratën tha se Fidetzis ka sugjeruar të paguajë Grupin McKeon që të vazhdojë të punojë për LSI-në nëpërmjet korporatës së tyre. Kontrata e re e lobimit, e cila mbulonte shërbimin për një vit, kishte një kosto tri herë më të lartë se ajo që kishte fituar grupi McKeon nga kontrata e mëparshme me LSI-në: 5000 dollarë në muaj, plus shpenzimet e tjera.
Burimi thotë se qëllimi kryesor i kontratës së Dorelitës ishte t’i mundësohej Ilir Metës një takim ose fotografi me Presidentin Trump. Kjo përpjekje shkoi dëm.

Kontrata dhe shkresat e tjera që McKeon regjistroi për shërbimin ndaj Dorelitas nuk e përmendin LSI-në. Regjistrimi që bëri firma te Departamenti i Drejtësisë për të përfaqësuar Dorelitan (detyrim që buron nga Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj, thoshte se firma e McKeon-it do të përpiqej të organizonte takime midis zyrtarëve qeveritarë të SHBA-ve dhe Dorelita Limited. Shkresat, me pak fjalë, thoshin që grupi McKeon po lobonte për një kompani që kishte axhendën e vet të pavarur. Por nuk ishte ashtu.

“Prandaj përdoren kompanitë guaskë”

Doli se Dorelita ishte një kompani guaskë e që kishte vetëm një qëllim: të jepte pagesën për lobimin që McKeon do të bënte për LSI-në. Firma u inkorporua në vitin 2013 nga një avokat grek, i quajtur Andreas Petrou. Ai ka një zyrë të vogël ligjore në kryeqytetin e Qipros, e cila krijon dhe administron kompani guaskë. Një e treta e klientëve të kësaj firme janë rusë, dhe madje kompania ka te reklama një numër enkas për klientët që flasin rusisht. Sipas regjistrimeve të bizneseve ruse dhe qipriote, firma e Petrout ishte e përfshirë me kompani me bazë në Qipro, të lidhura me Oleg Deripaskan, manjatin rus të biznesit të aluminit, i cili është përfshirë në skandalin e lidhjeve ruse të presidentit Trump për shkak të bizneseve që ka pasur me Paul Manafort, kreun e fushatës së Trump-it që është nën hetim. Dy biznese të lidhura me Deripaskan e kishin bazën në të njëjtën adresë si firma ligjore e Petrout:  EN+ Corporate Services Limited dhe ACL Aluminum Constructions Limited janë kompanitë ku Petrou figuron drejtor, sipas zyrës së regjistrimit të bizneseve në Qipro. Regjistrimet e korporatave ruse vënë në dukje se Petrou ka pasur lidhje edhe me katër biznese të tjera ruse të cilat kanë qenë pjesë e perandorisë së aluminit të Deripaskas. Në fillim të këtij muaji, Deripaska dhe shumë kompani të tjera nën kontrollin e tij kanë marrë sanksione nga Departamenti i Thesarit në SHBA.

Mother Jones i dërgoi një listë pyetjesh konglomerates ruse të aluminit, me bazë në Moskë, pronë e Deripaskas. Pyetjet ishin për lidhjet e Petrous me oligarkët, por kompania u përgjigj në e-mail se këto deklarata ishin të rreme, të pabaza dhe shpifje, e madje kërcënuan se do të merrnin masa ligjore. Por si përfundim, një zëdhënës konfirmoi se firma ligjore e Petrou-t ishte kontraktuar nga një prej kompanive të Deripaskas për të ofruar “shërbime sekretariale dhe korporate”. Deripaska e ka përdorur Qipron për vite të tëra, ashtu si dhe zona të tjera “offshore”, për disa nga bizneset e veta. Zëdhënësi mohoi se ka pasur lidhje midis Dorelitas dhe Deripaskës, dhe tha se oligarkët rusë nuk kanë interesa biznesi në Shqipëri.

Mother Jones dërgoi një gazetar në zyrën e Petrout në Qipro, ku në një tabelë ishin shkruar emrat e 40 kompanive të tjera që ishin regjistruar në të njëjtën adresë. Petrou, për të cilin një ndihmës tha që nuk ndodhej aty, u përgjigj më vonë me e-mail. Ai tha se kishte ofruar “shërbime më emër të klientit” për dy “guaska” që kishin lidhje me Deripaskan. Kjo do të thotë që  bizneset e kishin paguar që të shërbente si përfaqësues që vepronte zyrtarisht në emër të një aksioneri. Këto metoda përdoren për të maskuar pronarët e vërtetë të një kompanie. Petrou tha që ishte duke e mbyllur marrëdhënien e biznesit me Deripaskan për shkak të sanksioneve që ka vendosur qeveria amerikane ndaj oligarkut dhe bizneseve të tij.

“Emri Dolerita është refuzuar disa herë nga klientët sepse dukej si emri i një balerine meksikane në një klub nate”, tha ai.

“Veprimtaria kryesore e zyrës sime për 25 vitet e fundit është inkorporimi i kompanive në Qipro dhe në juridiksione të tjera jashtë vendit, dhe ofrimi i shërbimeve përfaqësuese në emër të klientëve”, Petrou thotë në e-mail. Ai tregoi pak për historinë e Dorelitas. Shpjegoi se kompania ishte mbajtur në zyrat e tyre si kompani “shelf”, që do të thotë se është korporatë që krijohet dhe mbahet e paaktivizuar deri sa i shitet një blerësi, qoftë për të shmangur bezdinë e inkorporimit të një kompanie të re, ose duke kërkuar përdorim “guaskë” nga një korporatë ekzistente.

Sipas Petrout, kriza bankare që goditi Qipron në vitin 2013 e ka ulur kërkesën për biznesin e tij, dhe si rrjedhojë shumë kompani “shelf” kanë mbetur pa shitur. Dorelita, sipas tij, ishte shumë e vështirë për t’u shitur. “Emri Dorelita refuzohej nga klientët sepse u tingëllonte si balerinë meksikane nëpër klube nate”, thotë ai.

Por si përfundim e gjeti një blerës. Në 22 Shkurt të vitit 2017 ia shiti Jakovos Taliadoros, drejtorit të përgjithshëm të një firme llogaritare në Nikosia, për vetëm 1000 euro. Petrou thotë se pas kësaj lëvizjeje nuk ka pasur më punë me Dorelitan, ndaj nuk dinte gjë për strukturën, pronësinë apo veprimtaritë e kompanisë. Taliadoros refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të Mother Jones për Dorelitan.

Menjëherë pasi Dorelita ndryshoi duar, Iraklis Fidetzis, i cili u konfirmua si klient nga Taliadoros, u caktua drejtor i kompanisë. Sipas firmës ligjore me bazë në Athinë, “Papaconstantinou & Partners”, (ku Fidetzis shërbente si këshilltar), ai është i specializuar për çështje financiare dhe investime, dhe ka përvojë të gjerë ndërkombëtare në zona të tilla.

Fidetzis, i cili nuk iu përgjigj pyetjeve, ka punuar si këshilltar për Dimitris Kontominasin, një miliarder grek dhe pronar i një stacioni televiziv që në vitin 2016 u dënua për evazion fiskal dhe për pastrim parash. Kontominas është përballur me akuzat e një sërë krimeve financiare gjatë karrierës së tij, pa u dënuar ndonjëherë. Një ish zyrtar i shërbimit informativ të Maqedonisë tha në vitin 2014, në një deklaratë të marrë nga Komisioni Amerikan i Sigurisë dhe Shkëmbimeve, se Fidetzis ka qenë i pranishëm në një takim të vitit 2005, kur Kontominas arriti t’u japë ryshfet kryeministrit të Maqedonisë dhe zyrtarëve të tjerë, në emër të një kompanie telekomunikacioni të quajtur “Magyar Telekom”. Ryshfetet e përmendura në akuzë thuhej se ishin paguar nëpërmjet kompanive “guaskë” qipriote të kontrolluara nga Kontominas. Komisioni i Sigurisë dhe Shkëmbimeve e hetoi rastin në fjalë sepse kompania e telekomunikacionit ishte nën pronësi të Deutsche Telekom, që në atë kohë ishte e regjistruar në Bursën e Nju Jorkut. Deutsche Telekom dhe Magyar Telekom paguan 95 milionë dollarë gjobë në vitin 2011 për shkelje të Ligjit Amerikan për Praktika Korruptive të Huaja. Dy ish drejtorë të Magyar Telekom paguan 400,000 dollarë gjoba në SHBA, në Prill të vitit 2017, për të mbyllur paditë individuale të hapura kundër tyre. Kotominas nuk u akuzua individualisht.

Muajin që Fidetzis mori nën kontroll Dorelitan, në fillim të vitit 2017, ai firmosi marrëveshjen e re të lobimit me McKeon Group dhe kompaninë guaskë. Regjistrimi që bëri firma e lobimit në Departamentin e Drejtësisë ka informacion që nuk përputhet për sa i përket punës me Dorelitan. Në Dhjetor, Grupi McKeon regjistroi te Departamenti i Drejtësisë se e kishin ndërprerë përfaqësimin për Dorelitan që nga 28 Marsi i vitit 2017. Por ajo është e njëjta ditë kur firma është regjistruar për të punuar për Dorelitan dhe kontrata u firmos pas katër ditësh.

Sipas regjistrimit të bërë në Dhjetor, kompania e lobimit i kishte ndërprerë marrëdhëniet me kompaninë guaskë para se të realizohej ndonjë punë. Por nuk kishte ndodhur kështu. Në Prill të vitit 2017, Grupi McKeon u lidh me një përfaqësues të republikanëve në Kongres që të organizonte takime për Dorelitan, sipas një tjetër regjistrimi që McKeon ka bërë te Departamenti i Drejtësisë. Burime të shumta kanë thënë për Mother Jones se disa prej këtyre takimeve kishin lidhje me LSI-në. Një zëdhënës për senatorin Mike Lee, i cili u takua me zyrtarët e LSI-së, thotë që ata “nuk kishin ndonjë kërkesë specifike, dhe që ishte më shumë si formë prezantimi”. Dorelita, sipas zëdhënësit të Lee, nuk ishte diskutuar. Deklaratat shpjeguese të lobimeve, të cilat grupi McKeon i ka regjistruar në Kongres, tregonin se firma kishte vazhduar ta përfaqësonte Dorelitan deri në Dhjetor të vitit 2017.  Kompania thoshte se kishte fituar 65,000 dollarë në total për punën që kishin kryer për Dorelitan. 15,000 ishin paguar nga LSI.

LSI i ka mohuar lidhjet me Dorelitan. Një zëdhënës i partisë ka thënë se “kishin zero kontakte dhe zero njohuri për kompaninë”. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i rëndësishëm i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se Tavo kishte miratuar pagesën 15,000 dollarëshe nga LSI për grupin McKeon. Tavo, doktor dhe anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, udhëtoi në SHBA në Prill të vitit 2017, disa ditë para se Ilir Meta të zgjidhej president nga parlamenti shqiptar. Ai ndodhej në Uashington gjatë ditëve që McKeon kishte organizuar takimet me anëtarët e Kongresit në emër të Dorelitas, duke ngritur mundësinë që ai mund të ketë qenë pjesë e këtyre takimeve. Tavo nuk iu përgjigj kërkesës së Mother Jones për të komentuar.

Arben Cici, drejtor i kabinetit të Presidentit Meta, tha në një e-mail se që pas zgjedhjes, Meta nuk ka pasur më marërdhënie me agjentë lobimi apo me forca politike. Cici nuk u përgjigj për lidhjet e Metës me Fidetzisin apo Dorelitan.

McKeon refuzoi të flasë për Mother Jones në lidhje me punën e firmës së tij për kompaninë guaskë. Djali i McKeon-it, Howard McKeon Jr., i cili punon me të atin dhe që është përfshirë në projektin me Shqipërinë, po ashtu refuzoi ta diskutojë këtë çështje. Gruaja e McKeon-it, Patricia, e cila është regjistruar si kontakti që do të ofrojë informacion për dokumentet e regjistruara në Kongres në lidhje me Dorelitan, e mbylli telefonin sapo u kontaktua nga gazetarët.

Nuk ka asnjë ligj kundër pranimit të pagesave nga kompani të huaja “guaskë”, sipas ekspertëve të ligjeve të lobimit. Por Ligji i Regjistrimeve të Agjentëve të Huaj kërkon që të jepen emrat e qeverive ose të partive politike që përfitojnë nga lobimet, dhe grupi McKeon nuk e ka identifikuar LSI-në e Shqipërisë si përfituese të punës së tyre për Dorelitan. “Nëse McKeon e di, apo ka arsye të jetë në dijeni, se puna e tij po drejtohet në fakt nga partia, dhe nëse ata janë klienti i vërtetë, atëherë ai duhet ta përmendë në deklarim”, thotë Joseph Sandler, një avokat në Uashington, ekspert për Ligjin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj. “S’ka rëndësi se kush paguan. Sipas ligjit, përfituesi i huaj është personi të cilit i shërben si agjent. I gjithë qëllimi i ligjit është që të jepen emrat e personave për të cilat punohet realisht”, thotë ai.

I gjithë qëllimi i një kompanie “guaskë” është të fshehë interesat e vërteta që fshihen pas. “Prandaj përdoren kompanitë guaskë. Për fshehtësinë”, thotë Jack Blum, avokat në Uashington , ekspert për evazion fiskal ndërkombëtar. Në fakt, pak gjasa ka që Fidetzis, i cili nuk duket se ka interesa në Shqipëri, ta ketë financuar vetë fushatën e kushtueshme të lobimit të Dorelitas. Ai mund të ketë qenë duke vepruar në emër të një pale tjetër. Pyetja mbetet: “Kush e ka financuar lobimin në favor të LSI-së në SHBA, dhe cili ka qenë qëllimi pas kësaj fushate për ndikim? Heqja e lëkurëve të Dorelitës nuk mjafton për ta qartësuar situatën. Por ngjarja pas kësaj kompanie guaskë tregon se sa mjegulltazi bëhet loja e ndikimeve të huaja në Uashington.

Nga Dan Friedman dhe Hannah Levintova, për “Mother Jones”

Ka ndihmuar edhe Achilleas Zavallis, nga Qipro

Leave a Reply

Your email address will not be published.