Opinion

Videot dhe rrahjet që Berisha ka harruar qëllimisht!

ARBEN MANAJ

Arben ManajVideoja e dhunës ndaj deputetit Strazimiri të partisë së Berishës, përbën një shëmti që çdo njeri normal do të duhet ta dënojë me forcën më të madhe, nëse nuk vjen nga ndonjë bekgraund dhune.

Por kërkesa për ta mbajtur këtë video çdo shqiptar në celularin e vet, derisa të bëhet drejtësi, vjen ironikisht dhe pikërisht nga njeriu më i gabuar dhe ai që ka iniciuar dhe frymëzuar dhunën, e mbi të gjitha atë politike në Shqipëri.

Sali Berisha mbetet njeriu që simbolizon inspiruesin më të identifikueshëm të dhunës në Shqipëri dhe njeriu për të cilin është regjistruar dhuna më e madhe në Shqipëri që nga koha e daljes së tij në skenën politike pas rënies së komunizmit.

Si parantezë, ajo që ndodhi me deputetin e Partisë Demokratike, do duhet të jetë prova me të cilën do të duhet të bëhet një shembull, që të mos përsëritet më në Shqipëri, ashtu siç ndodhi me një deputet laburist që ushtroi dhunë ndaj kolegëve të tij konservatorë në ambientet e Uestminsterit, edhe pse nën influencën e alkoolit në atë rast.

Pa folur pastaj për mënyrën sesi u demonstrua, që nuk përbën, edhe në bazë të kodeve të pashkruara të burrërisë qoftë të gegëve a të toskëve, as modelin sesi mund të “sqarohen”, këto çështje, siç bëjnë rëndom halabakët.

Edhe në bazë të kodeve të kalorësisë së vjetër të Mesjetës europiane, kundërshtari thirrej në duel ballë përballë, në dyluftim me pisqollë, e jo siç u qëllua Strazimiri në pabesi e prapa shpine.

Të kuptohemi, nuk evokoj asnjë përleshje fizike, sepse aty ku ka dhunë nuk ka logjikë, madje mungon edhe ajo më elementarja dhe dhuna e kësaj natyre është veçse primitivizëm njerëzor e aq më tepër mes njerëzve politikë, pa përmendur institucionin ku u krye.

Por, le të kthehemi sërish tek ai që kërkon drejtësinë përmes mbajtjes së këtyre videove. Sali Berisha siç mund ta kujtojë dhe kuptojë çdo shqiptar, do të duhet t’u kërkojë qytetarëve, që përveç kësaj videoje të mbajnë edhe videot e 21 janarit, të Gërdecit e ato të ‘97-s, e ndonjë video tjetër.

Këto janë videot që do të duhet të ishin të parat që do të duhet të krijonin drejtësinë e munguar në Shqipëri dhe janë videot që janë regjistruar në kohën kur ky njeri ka drejtuar Shqipërinë.

Janë videot që do të duhet ta kishin çuar te “shtatë penxheret” pikërisht këtë politikan, i cili i ka shkaktuar ato dhe ka mbijetuar përmes dhunës fizike dhe verbale në Shqipërinë postkomuniste.

Është ky njeri që ka iniciuar dhunën politike, dhe kujtoj këtu dhunën përmes falangave të tij ndaj njerëzve të medias, që nga “Koha Jonë” e asaj ndërkombëtare, ndaj Adi Krastës e deri tek ajo ndaj gazetës së Mero Bazes e atij vetë, e mbi të gjitha, dhunën fizike ndaj Kryeministrit aktual, Edi Rama, kur ai nuk ishte formalisht në ndonjë formacion politik, edhe pse i angazhuar masivisht në shoqërinë civile.

Kjo është ironia e deklaratës së Berishës, i cili ka edhe guximin dhe tallet akoma, për të bërë politikë me videon e Strazimirit dhe dhunën ndaj tij, duke e keqpërdorur atë faktikisht, për shkak të deklaratave që ai deputet i opozitës bën në Parlament, deklarata për të cilat, në bazë të rregullores në fuqi, deputetët shqiptarë nuk mbajnë përgjegjësi, sado absurde që mund të tingëllojë kjo.

Dhe këtë Berisha e bën sepse shteti shqiptar dhe institucionet e drejtësisë së tij, për ato arsye që dihen, nuk kanë mundur akoma të bëjnë drejtësi në këtë vend.

Dhe, për sa kohë vazhdon të mos bëhet drejtësi edhe për këto video dhe rrahje të harruara qëllimisht nga Berisha, ai do të vazhdojë “të rrahë” mediatikisht shqiptarët me deklarata të tilla, duke u thënë atyre se nuk keni ç’të më bëni, edhe duke u kujtuar dhe shkaktuar reagimin instiktiv ndër ta, se ky njeri është autori dhe ideatori i videove dhe rrahjeve që kanë shëmtuar dhe përdhunuar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Dhe ky nuk është faji i Berishës, por merita e tij regjisoriale, që do duhet t’ia njohim, për frustrimin e të gjithëve, për aq kohë sa videot e tij, janë pronë e kujtdo dhe jo të së njëjtës Prokurori, që po operon me videon Strazimiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button