Kosova

Analizë e Gazetës Express: Darka shokuese në Bled

Historia e të ardhmes së raporteve Kosovë – Serbi (1): Çka do të ndodhte sikur liderët shqiptarë t’ia thoshin një fjali të vetme, në një darkë, në prani të diplomatëve perëndimorë, Aleksandar Vuçiqit

Në një kthesë të pashembullt në politikën shqiptare të Kosovës të dhjetëra viteve të fundit, liderët kryesorë të saj, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ia bënë me dije ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, që duan urgjentisht të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryepolitikanët e tjerë të Serbisë.

Pesëshja kosovare që si asnjëherë më parë prezantohej e bashkuar, i tha kryediplomatit amerikan në Kosovë që ata nuk e kanë problem as të udhëtojnë drejt Beogradit për t’u përballur me Vuçiqin dhe ndihmësit e tij kryesorë.

Aleksandar Vuçiq ua ktheu atyre, përmes Kyle Scottit, ambasadorit të SHBA-së në Beograd, që nuk vjen në konsiderim të takohen në kryeqytetin e Serbisë, sepse tre prej këtyre pesë politikanëve shqiptarë, ose Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, do të arrestohen si ta kalojnë pikën kufitare në Merdare. Ai nuk mund dot të të bëjë asgjë që të shmanget ky arrestim i tre ish-liderëve të UÇK-së. Ai respekton Ligjin në Serbi.

Vuçiq pastaj shtoi që nuk ka gjë kundër që ky takim të bëhet kudo qoftë në Evropë, ose edhe diku në rajon, sepse është parimisht në favor të çdo dialogu me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.

Pas disa propozimeve për vendin e përballjes, te dy palët dakordohen të mblidhen në Lubjanë, sepse Qeveria e Sllovenisë ishte ofruar të jetë nikoqire e këtij takimi që vlerësohej se do të jetë historik.

Takimi do të bëhej në Bled, në liqenin e bukur afërt Aeroportit të Lubjanës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditëve para se përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do të udhëtonin për Slloveni, u interesua në të gjitha anët çfarë e kanë ndërmend t’i thonë atij dhe politikanëve të tjerë serbë liderët shqiptarë, dhe pse tash u arrit një pajtim i tillë i madh i këtyre liderëve që të pestit si janë, rëndom kanë qenë të shpërndarë pikë e pesë për temat kryesore të Kosovës.

Ai i thotë ambasadorit amerikan Scott, që i druan këtij uniteti shqiptar, i cili në këtë formë, ka qenë i pranishëm vetëm në ato javët e Konferencës Paqësore të Rambouilletit (shkurt, mars 1999).

Atëherë ishte luftë në Kosovë. Çka duan tash shqiptarët, me këtë porosi të unitetit? Çka do t’i thonë Thaçi, Veseli, Haradinaj, Mustafa dhe Kurti atij dhe zyrtarëve të tjerë më të lartë të Serbisë? A mos e kanë ndërmend politikanët shqiptarë t’i shpallin luftë Serbisë, pyeti Vuçiq ambasadorin amerikan?

Scott i përgjigjet që as ai dhe Delawie në Prishtinë nuk e dinin saktësisht për çka bëhet fjalë në këtë rast, por që Washingtoni, Brukseli dhe Berlini janë të bashkuar në qëndrimin që Vuçiqi dhe kolegët e tij serbë, duhet gjithsesi ta përkrahin këtë propozim të politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Vuçiq pastaj pyeti Scottin mos ka gisht këtu Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, megjithëse kur kishte biseduar me te në telefon, Rama i kishte thënë që edhe ai vetë është goxha i befasuar me këtë veprim të pesë politikanëve kryesorë shqiptarë të Kosovës. Ai nuk kishte pritur që diçka e tillë do t’u binte ndërmend politikanëve të Kosovës. Megjithatë, ashtu si edhe e gjithë bota, edhe Rama i kishte thënë Vuçiqit që në vendin e tij, tashmë do ta bënte gati valixhen për të udhëtuar në Lubjanë.

Lajmi për takimin midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, bëri bujë në Ballkan, në Evropë e edhe në SHBA.

Diçka e tillë, një Takim publik i kryepolitikanëve të Prishtinës dhe Beogradit, madje, i iniciuar nga njëra anë, pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, ka qenë i paimagjinueshëm në rajon dhe në Evropë.

Të gjithë përshëndetën organizimin e këtij Takimi dhe natyrisht, të gjithë dëshironin të bëhen hisenikë në këtë sukses të madh politik të Ballkanin Perëndimor.

Të dy palët mirëpritën praninë, në sallën e mbledhjes në Bled, të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit, të Zyrës së Federica Mogherinit, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe natyrisht, të Qeverisë së Sllovenisë që ishte organizatore e kësaj ngjarjeje madhore politike.

Para se të niseshin për rrugë, në Aeroportin e Prishtinës dhe të Beogradit, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë dhanë deklarata shumë shpresëdhënëse që Mbledhja e Bledit (siç quhej tashmë ky ballafaqim i autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit), do të shënojë kthesë historike në raportet tragjike midis Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë arritën në Lubjanë me aeroplan, me pak diferencë kohore.

Qeveria e Sllovenisë, si nikoqire e këtij Takimi, në koordinim me diplomacinë amerikane dhe evropiane, kishte paraparë që Mbledhja të nisë në mbrëmje, me një darkë, për të vazhduar pastaj edhe dy ditët e tjera, sepse pritej, me të drejtë, bazuar në prononcimet mediatike të të dy palëve, që ky Takim do të sjellë rezultate të mëdha në bisedimet e Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti serb Vuçiq u kishte thënë zyrtarëve sllovenë që ai është i gatshëm të rrijë sa duhet në Bled. Siç shtoi, është interes i paqes dhe stabilitetit të Ballkanit që të ketë Marrëveshje me shqiptarët e Kosovës.

Delegacioni i Kosovës ia kishte dërguar një komunikatë me shkrim Lubjanës zyrtare, në të cilën me pak fjalë kishte pohuar që në realitet, së paku ky Takimi i parë nuk parashihet të zgjasë, sipas parashikimit të pesëshes kosovare, më shumë se disa orë, në atë mbrëmjen e parë. Sidoqoftë, në këtë Deklaratë me shkrim, Delegacioni i Unitetit  (siç ishte emëruar në opinionin kosovar), po ashtu kishte shtuar që do të jetë i gatshëm të qëndrojë edhe në ditët e tjera në Bled.

Delegacionet nuk do të kishin më kurrfarë prononcimi mediatik para se të mblidheshin në Bled, në orën tetë në mbrëmje, në darkën që shtrohej bashkarisht nga Presidenti dhe kryeministri i Sllovenisë, me praninë e diplomatëve të Washingtonit, Brukselit dhe Berlinit.

Megjithatë, CNN, BBC dhe të gjitha televizionet e njohura botërore, ishin duke pritur përfundimin e darkës dhe deklaratat e të dy palëve.

Nikoqirët nuk kishin paraparë që qysh në këtë darkë të nisnin bisedimet e mirëfillta të politikanëve shqiptarë dhe serbë. Llogaritej që gjatë ushqimit dhe pijeve të një darke ceremoniale, nuk do të ketë fort gatishmëri të pesë liderëve shqiptarë dhe dy liderëve serbë (Vuçiq kishte marrë me vete vetëm Ivica Daçiqin, që edhe ashtu kishte përvojë të madhe të takimeve me politikanë shqiptarë dhe Marko Gjuriqin, shefin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë), për të hapur temat e bisedimeve.

Megjithatë, pala kosovare e hapi pas gjellës kryesore, dhe teksa pritej ëmbëlsira me kafe, temën kryesore të këtij Takimi.

Një herë foli presidenti Thaçi, por më pas, edhe katër politikanët e tjerë shqiptarë i përsëritën të njëjtat fjalë, për të evituar dilemat te Presidenti Vuçiq dhe Ivica Daçiq, si dhe te diplomatët perëndimorë të pranishëm në këtë darkë, se a ka unitet të plotë te liderët shqiptarë për këtë çështje.

Thaçi, Veseli, Haradinaj, Mustafa dhe Kurti e thanë të njëjtën gjë për Vuçiqin.

Liderët shqiptarë u shprehën shkurt dhe qartë: Ata duan të negociojnë me Vuçiqin dhe politikanët e tjerë serbë, kushtet për bashkimin e Kosovës me Serbinë.

Vuçiq dhe Daçiq një herë nuk ditën çfarë të thonë. Ata e shikuan njeri-tjetrin me habi të madhe. Ata nuk u besonin veshëve të tyre dhe fjalëve që i dëgjuan prej politikanëve shqiptarë.

Më pas Vuçiq u ngrit në këmbë, shumë i nervozuar dhe iu drejtua politikanëve shqiptarë me këto fjalë: Kjo është një lojë e juaj e poshtër. E kam ditur që prej fillimit që ju do të talleni me mua!

Më pas doli jashtë sallës së Takimit me Daçiqin dhe zyrtarët tjerë të Delegacionit të Serbisë.

Ëmbëlsira dhe kafeja nuk u servuan fare.

Kush nuk diti të shpjegojë çfarë ndodhi në këtë mbrëmje.

Nesër: Kur flitet për inkuadrimin e Serbisë në BE, ajo (Serbia) është njëfish peng i Kosovës, por në anën tjetër, Kosova është disafish peng i Serbisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button