Home / Politika / Rama përplaset me biznesin e vogël. Nasto: Janë mbyllur 82 mijë biznese. Kryeministri: Ku i gjeni këto shifra?

Rama përplaset me biznesin e vogël. Nasto: Janë mbyllur 82 mijë biznese. Kryeministri: Ku i gjeni këto shifra?

Përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u përplasën me Kryeministrin Edi Rama gjatë një tryeze të përbashkët të zhvilluar këtë të premte.
Kjo kategori e biznesit ngirit shqetësimin tek taksat e larta, kontrollet e shpeshta dhe uljen e pragut të TVSH-së. Kryetari i shoqatës, Albert Nasto i kujtoi Kryeministrit kundërshtimin e përbashkët që i bën uljes së pragut nga 8 milionë në 5 milionë lekë të reja nga ana e Qeverisë “Berisha”. Nasto thotë se kjo masë do të mbylle shumë sipërmarrje. Por Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi.

Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: TVSH-në e kemi kundërshtuar vendosjen e tavanit, ashtu siç kundërshtuam bashkë kalimin nga 8 mln në 5 mln në kohën e Berishës. Gati 60 për qind e biznesit që u fut në atë fashë ka falimentuar sot.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është kështu, por vazhdo.

Albert Nasto: Nga 2014 deri në 2017 janë mbyllur 82 mijë biznese.

Kryeministri Rama: Ku i gjeni këto shifra?

Albert Nasto: Të marra nga QKR, është shumë e saktë.

Kryeministri Rama: Është e pasaktë, por vazhdo.

Albert Nasto: Shkaku janë taksat e larta, jo vetëm të qeverisë qendrore, por edhe të bashkive që kanë rritur taksat nga 2-3 herë. Çmimi i energjisë; na u premtua që do të ulej, por u rrit nga 142 lek në 182 lekë sot që paguan biznesi. Karburanti, mos të flasim për cilësinë, është më i shtrenjti. Këto dy kollona janë kryesoret për një ekonomi. Gjysma e biznesit sot harxhon shumë energji dhe jep kosto të madhe për të. Rënia e fuqisë blerëse në këtë kohë, edhe për shkak të krizës europiane. 43 për qind ka rënë fuqia blerëse sipas nesh. Korrupsioni është bërë një gangrenë e madhe. Kontrollet e shpeshta, gjobat e majme, ka pasur raste një biznes në 2015 është kontrolluar 9 herë në ditë dhe disa inspektorë, ka 16 lloje drejtorish që kontrollojnë.

Kryeministri Rama: Këtu jemi në botën e fantazive, sepse sot ne kemi shumë më tepër biznese se sa kishim para 4 viteve. Sot kemi më shumë konsum. Nuk është e vërtetë që ka rënë fuqia blerëse.

Në këtë tryezë, Kryeministri Edi Rama sfidoi biznesin e vogël që të protestojë në lidhje me uljen e pragut të TVSH-së, por e cilësoi protestën të paargumentuar dhe të nxitur politikisht.

Po ashtu, edhe Qeveria njoftoi edhe rritjen e tavanit të Tatimit për Fitimin nga 80 milionë lekë të vjetra, paguajnë aktualisht 5 për qind tatim-fitim, në 100 milionë lekë të vjetra.

Leave a Reply

Your email address will not be published.