Home / Ekonomia / Ana tjetër e medaljes së integrimit; Bizneset shqiptare nuk janë gati të përballen

Ana tjetër e medaljes së integrimit; Bizneset shqiptare nuk janë gati të përballen

Anëtarësimi në BE mbështetet në tre parime të përcaktuara në Këshillin e Kopenhagës në vitin 1993, një prej të cilëve është “Kriteri Ekonomik” (ekonomi tregu funksionale dhe e aftë për të përballuar konkurrueshmërinë brenda tregut të përbashkët europian). Sipas progres-raportit, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për funksionimin e ekonomisë së tregut. Komisioni dha nota jo kaluese për zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe investimeve në shkencë dhe teknologji. Bizneset që rrezikojnë të dëmtohen nga integrimi.

Blerina Hoxha

Kroacia është vendi i fundit ballkanik që iu bashkua Bashkimit Europian duke kaluar një proces të gjatë negociatash gati 9 vite, nga 2004 deri në vitin 2013. Pas Sllovenisë, Kroacia ishte vendi më i zhvilluar i rajonit. Industria e anijeve dhe turizmi i sillnin vendit 10 miliardë euro eksporte një vit para anëtarësimit, por tani katër vite pas bashkimit me BE-në, vendi po kalon një periudhë të vështirë. Borxhi publik është rritur në 10 pikë përqindje nga viti 2013, ndërsa deficiti në tregtinë e mallrave është thelluar më tej teksa vendi po përballet nga plakja e popullsisë dhe emigracioni i lartë që nxiti anëtarësimi.

Vitet e fundit, u përball me vështirësi nga falimenti i Agrocor, kompanisë më të madhe në vend që punësonte 60 mijë punonjës, pasi veç të tjerash nuk mundi t’i bëjë ballë konkurrencës nga hapja e tregjeve në BE. Por anëtarësimi i ka forcuar më tej institucionet dhe demokracinë në vend, në të gjitha nivelet dhe qytetarët kroatë përfituan nga hapja e tregtisë me BE-në, duke blerë mallra më cilësore me çmime më të lira. Investimet e huaja kanë qenë në rritje dhe biletat e udhëtimit ajror u bënë më të lira.

Pas Kroacisë, vende të tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia, janë në proces negociatash për anëtarësim me BE dhe pritet t’i bashkohen BE-së deri në 2025, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia pritet të marrin dritën jeshile në qershor për hapjen e bisedimeve që mund të çojnë në anëtarësim në dekadën e ardhshme. Sfida më e madhe e Shqipërisë është përballja me hapjen e tregjeve të BE-së dhe përgatitja e bizneseve shqiptare për t’u bërë konkurrues në këtë proces.

Ndryshe nga i gjithë rajoni, në Shqipëri bujqësia zë një pjesë të madhe të ekonomisë (20% në PBB dhe rreth 40% në punësim). Komisioni Europian, në Raportin e fundit të Progresit, dha vlerësim të ulët për këtë sektor, në krahasim me kapitujt e tjerë që morën më së shumti vlerësim mesatar. “Gjatë procesit të negociatave, Shqipërisë i duhet të diversifikohet në sektorë me vlerë të shtuar dhe të gjejë rrugën për t’u bërë pjesë e ekonomisë së shkallës në BE.

Vendi duhet të marrë masa realiste për periudhën para dhe pas anëtarësimit, përfshirë këtë edhe nevojën për të përgatitur kapacitetet e duhura tek operatorët ekonomikë”, thotë Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Ekonomia shqiptare karakterizohet nga biznese të vogla me 1-4 punonjës, që përbëjnë mbi 90% të totalit të ndërmarrjeve, ku mbizotëron vetëpunësimi dhe që shpesh janë në kufijtë e ekzistencës dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përshtatur standardet, që do të duhet të përmbushin detyrimisht, teksa vendi do të integrohet gradualisht.

Adi Haxhiymeri, përfaqësues i industrisë së përpunimit të miellit, thotë se klima e biznesit në Shqipëri e ka bërë industrinë vendase jokonkurruese edhe në rajon dhe sigurisht të paaftë për t’i bërë ballë hapjes së tregjeve me BE-në.
Por kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Luan leka, administrator i kompanisë EHW, ka pritshmëri të tjera për hapjen e tregjeve. Sipas tij, heqja e barrierave tregtare sjell gjithmonë zhvillim dhe përmirësime në cilësi. Duke analizuar industrinë e përpunimit të mishit, zoti Leka tha se hapja e tregjeve i mundëson atij hyrje edhe në vende të tjera, për të cilat aktualisht ka vështirësi për shkak të barrierave tregtare.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka ndryshuar politikat e zgjerimit, pasi është duke vlerësuar të njehsojë fillimisht tregjet në Ballkan. Duke synuar krijimin e një “lagje të fortë”, BE e ka vënë Shqipërinë në garë të dyfishtë, së pari për t’u pozicionuar në rajon dhe, më pas, në BE. Në hapat e para të saj, gara me rajonin duket se na ka vënë në vështirësi pasi industria e përpunimit në vend (mielli dhe birra) po konkurrohet ashpër nga prodhimet në vendet fqinjë.

Nisur nga këto zhvillime, bizneset shqiptare po rrisin skepticizmin për të përfitimet që do të sjellë anëtarësimi në BE, pavarësisht se vijojmë të jemi më optimistët në rajon.
Sipas Barometrit të Ballkanit të vitit të kaluar, 75% e bizneseve në Shqipëri e konsiderojnë si zhvillim pozitiv anëtarësimin në BE, në raport me 78% që mendonin në këtë mënyrë në vitin 2016. Gjithashtu qytetarët shqiptarë mbeten më optimistët në rajon për anëtarësimin me BE, pasi 80% e konsiderojnë një gjë shumë të mirë në raport me 40% e mesatares së popullsisë së rajonit që mendojnë në këtë mënyrë.

31 kapitujt e vështirë

Hapja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kalojë në një proces të gjatë që konsiston në përputhjen e 31 kapitujve që përfshijnë të gjithë aktivitetin jetësor në vend, që nga demokracia dhe institucionet e saj deri tek kriteret ekonomike dhe sociale.
Aktualisht, 31 kapitujt janë në zbatim që kur vendi mori statusin e vendit kandidat. Deri tani, të 31 kapitujt janë në fazën fillestare të zbatimit, që nënkupton përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së në të gjithë sektorët.

Më pas, zbatimi i ligjeve do të jetë sfida e procesit të hapjes së negociatave dhe anëtarësimit të plotë. Kapitulli i parë është lëvizja e lirë e mallrave, e cila në themel ka heqjen e barrierave tregtare dhe masave mbrojtëse kombëtare për kategori të veçanta. Shqipëria, në këtë kapitull, ka marrë vlerësim mesatar, për stadin që i kërkohet, pasi ende nuk kemi përmbushur legjislacionin dhe nuk kemi forcuar institucionet për mbikëqyrjen e tregut. Raporti i progresit dha vlerësime pozitive për procedurat e prokurimit publik, të drejtat e autorit dhe sigurinë ushqimore, si dhe vlerësoi tërësisht pa progres zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe investimeve në shkencë dhe teknologji.

Raporti i fundit i progresit që dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave e vuri theksin te krijimi i një ekonomie tregu funksionale dhe aftësinë për të përballuar me presion konkurrues dhe forca të tregut brenda Bashkimit.
Sipas raportit, Shqipëria ka bërë disa përparime dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin në funksionimin e ekonomisë së tregut. Komisioni Europian vëren se reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë vendimtare dhe kërkojnë përpjekje të mëtejshme. “Ligjet dhe rregullat që mbështetin klimën e biznesit mbetën të vështira dhe mangësitë në sundimin e ligjit vazhdojnë të pengojnë bizneset dhe investimet”, – theksohet në raport.

Bujqësia primitive venit perspektivën

Zhvillimet në sektorin bujqësor morën vlerësim negativ nga Raporti i fundit i Progresit, teksa ka vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk po përparon në çështje elementare për BE si titujt e pronësisë dhe regjistrat për fermat. Bujqësia, përveçse vuan nga copëzimi i tokës, ku rreth 350 mijë ferma zotërojnë mesatarisht një hektar, qeveria shqiptare, nga ana tjetër, nuk ka mundur të bëjë ende llogaritë në sektor. Nuk dihet si shkon ecuria e bizneseve të fermave pasi, nuk raportohen shitjet dhe fitimi në sektor. Në këto nivele, as që bëhet fjalë për zhvillim të sektorit të bazuar në teknologji dhe konkurrenca me BE-në as që diskutohet në këtë stad. Raporti i Progresit vë në dukje se shpenzimet publike për mbështetjen e fermerëve janë shumë të ulëta dhe nuk ka vijueshmëri nga viti në vit për sasinë e ndihmës së dhënë.

Lidhur me organizimin e tregut të përbashkët, në vajin e ullirit janë miratuar dy akte ligjore, që përafrojnë pjesërisht legjislacionin kombëtar përkatës me BE. Aktualisht nuk ka skema speciale të mbështetjes që synojnë mbrojtjen e peizazheve, habitateve natyrore, dhe biodiversitetit ose parandalimin e efekteve negative.

Ekonomia jonë udhëhiqet nga sektori i shërbimeve, por bujqësia ende mban një rol të rëndësishëm. Në vitin 2017, shërbimet zunë rreth 54% të PBB-së. Bujqësia mbeti sektori i dytë më i rëndësishëm (me rreth 22%), industria (13.3%) ka rritur gradualisht pjesën e saj të ekonomisë gjatë 10 viteve të fundit, kryesisht si një si rezultat i rritjes së prodhimit të naftës bruto. Brenda industrisë, prodhimi është relativisht i vogël (6.4%) dhe kryesisht prodhon produkte me vlerë të ulët dhe produkte me intensitet të lartë pune si tekstile e këpucë dhe ndërtimi (10.5%).

Bizneset që rrezikojnë

Kur Bullgaria dhe Rumania hynë në BE në vitin 2008, shumë biznese u mbyllën përfundimisht ose përkohësisht, për shkak se nuk plotësonin standardet e kërkuara nga BE-ja. Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë, sot sipërmarrës në agroindustri, mendon se e njëjta gjë do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme edhe në Shqipëri. “Në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, prodhuesit vendas, ose do të bllokojnë prodhimin, ose duhet të bëjnë investime të rëndësishme, që nuk dihet nëse do të mund t’i përballojnë dot, për shkak të kostove të larta”.
Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta-perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës dhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë pritet të jenë më të goditurat.

Adi Haxhiymeri nga Shoqata e Fabrikave të Përpunimit të Miellit, njëkohësisht administrator i fabrikës “Bloja” tha se, edhe në kushtet kur tregu nuk është liberalizuar tërësisht, industria e shqiptare nuk po e përballon konkurrencën e miellit nga rajoni. Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera në rajon aplikojnë politika të subvencionit të prodhimit të grurit, ndërsa Shqipëria jo. Edhe pse fabrikat shqiptare të përpunimit të miellit kanë investuar në teknologji moderne, ato nuk kanë akses të njëjtë në lëndën e parë si bizneset e tjera të përpunimit të miellit në Serbi dhe Maqedoni, pohoi ai.

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga biznese të vogla me 1-4 punonjës, që përbëjnë mbi 90% të totalit të ndërmarrjeve, ku mbizotëron vetëpunësimi dhe që shpesh janë në kufijtë e ekzistencës dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përshtatur standardet, që do të duhet të përmbushin detyrimisht teksa vendi do të integrohet gradualisht.

Ekspertet e çështjeve të integrimit mendojnë se hapja e tregut dhe integrimi me tregun europian vë në vështirësi sipërmarrjet e vogla, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Për rrjedhojë, ky proces do të sjellë edhe ndryshime të strukturës ekonomike (brenda sektorit), duke rritur konkurrencën dhe nevojën për ekonomi shkalle dhe biznese që mund t’i bëjë ballë tregut. Ai parashikon që priten gradualisht pasoja në këto sipërmarrje, por jo në çdo sektor ndikimi do të jetë i njëjtë. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, do të ndodhë një rialokim i fuqisë punëtore sipas nevojave të tregut të ri të integruar.

Shqipëria, 80% të eksporteve me BE, Italia ka monopolin

Shkëmbimet tregtare, për vitin 2017, me vendet e BE zunë 66,3% të gjithë tregtisë së Shqipërisë me jashtë. Gjatë këtij viti, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 77,1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zunë 61,6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,2%), Greqia (6,8%), Gjermania (6,8%), BE-ja mbetet burimi kryesor i IHD-ve në Shqipëri me 57.6% të totalit të investimeve në vitin 2017.
Tregtia me vendet e rajonit me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) zuri rreth 15% të eksporteve shqiptare të mallrave dhe 7.5% e mallrave të saj importon në vitin 2017.

Rezultat e CEFTA mbeten të pandryshuara që nga viti 2008, duke sugjeruar një potencial të madh të pashfrytëzuar për rritje të ardhshme, nëse lidhja ndër-rajonale përmirësohet dhe disa barriera teknike për tregtinë të eliminohen. Zhvillimi i një Zone Rajonale Ekonomike bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do i harmonizojnë, ka potencial për të gjeneruar rritje të pashfrytëzuar. Raporti i Progresit vë në dukje se eksportet shqiptare gjatë vitit 2017 u bënë më pak konkurruese për forcimin e monedhës kombëtare 4.2% në këmbim me euron.

Shqipëria, në vite, është në krizë për diversifikimin e eksporteve si në mallra ashtu dhe gjeografikisht, dhe rritjen e vlerës së shtuar. Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Italia.

Eksportet vazhdojnë të jenë të përqendruara në disa sektorë. Më 2017 rreth 76% e eksporteve të mallrave vijnë nga tre kategori produktesh: tekstile dhe këpucë (43.6%); minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike (16.6%); dhe materialet e ndërtimit dhe metalet (15.9%). Kjo mungesë diversifikimi e ekspozon ekonominë ndaj goditjeve specifike të industrisë si fason dhe çmimeve të energjisë.

Flet Gjergji Vurmo, ekspert në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim

Ushtrimi i vështirë i negociatave

Gjergji Vurmo, ekspert në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, shpjegoi se qasja ndaj negociatave të anëtarësimit në BE pritet të jetë e njëjta si në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Qasja deri-diku, akomodon sfidat dhe problematika që lidhen me vendin përkatës. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh që praktika e negociatave të anëtarësimit në BE është e tillë që, ndonëse negociata për një kapitull mund të mbyllet provizorisht, ai mund të rihapet në çdo kohë deri në momentin e përfundimit të negociatave për të gjithë kapitujt, tha Vurmo.

Cilat do të jenë kostot dhe përfitimet e Shqipërisë në aspektin ekonomik?

Kostot dhe përfitimet nga anëtarësimi janë temë e gjerë dhe e debatueshme. Për momentin nuk ka një analizë të plotë lidhur me këtë. E njëjta gjë vlen edhe për kostot/përfitimet në kuadër të negociatave. Është një “ushtrim” që duhet kryer në fakt jo thjesht për të bërë një “bilanc të faturës financiare”, por mbi të gjitha për të hartuar masa realiste për periudhën deri në dhe pas anëtarësimit, përfshirë këtu edhe nevojën për të përgatitur kapacitetet e duhura tek operatorët ekonomikë për të maksimizuar përfitimet në ekonominë shqiptare.

Sa mund të zgjasë procesi i anëtarësimit?

Nuk ka një kuadër kohor mesatar në këtë kuptim, pasi çdo gjë varet nga progresi i vendit përkatës në plotësimin e kushteve dhe standardeve për anëtarësim. Duhet të kemi parasysh se gjatë negociatave nuk negociohet legjislacioni i BE-së, por bihet dakord për masat / ndryshimet e nevojshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të plotësuar në praktikë (jo thjesht në letër) kriteret / standardet për secilin kapitull të acquis. Në këtë kuptim, procesi i anëtarësimit do të zgjasë aq kohë sa Shqipërisë do t’i nevojitet që të jetë në përputhje të plotë me të gjitha benchmarks të secilit kapitull.

A do të aplikohet i njëjti model negociatash si me vendet e grupit të fundit që u anëtarësuan në BE?

Grupi i fundit i anëtarësuar në BE (si grup) ishte në 2004 (zgjerimi i madh) dhe 2007 (Rumania dhe Bullgaria). Kroacia u anëtarësua në vitin 2013. Prej kësaj kohe, BE e ka vendosur theksin tek kapitujt 23 dhe 24. Qasja (jo modeli) ndaj negociatave pritet të jetë e njëjta si në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Qasja është deri-diku edhe “tailor-made” për të akomoduar sfida dhe problematika që lidhen me vendin përkatës. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh që praktika e negociatave të anëtarësimit në BE është e tillë që, ndonëse negociata për një kapitull mund të mbyllet provizorisht, ai mund të rihapet në çdo kohë deri në momentin e përfundimit të negociatave për të gjithë kapitujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.