Home / Kronika / Evitimi i përmbytjeve në Fier, Republika Çeke financon 50 mijë euro

Evitimi i përmbytjeve në Fier, Republika Çeke financon 50 mijë euro

Ambasada e Republikës Çeke do të financojë rreth 50 mijë euro për rindërtimin e urës mbi kanalin e degës së Martinës në Ferras, Njësia Administrative Levan, Fier, projekt që pritet të evitojë përmbytjet në këtë zonë.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Jaroslav Ludva, nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit për rindërtimin e urës mbi kanalin e degës së Martinës në Ferras, Njësia Administrative Levan.

Ura në fjalë ka qenë një nga shkaqet e përmbytjeve në Ferras dy vitet e fundit. Si pasojë e reshjeve dhe vërshimit të lumit Vjosë, ura mbi kanalin e degës së Martinës, duke qenë e ngushtë, pengonte në shkarkimin e ujërave, duke shkaktuar përmbytje të zonës.

Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Jaroslav Ludva siguroi se “ky nuk do të jetë bashkëpunimi ynë i fundit”.

“Kishim edhe dy projekte nga bashki të tjera, por projekti i Bashkisë Fier ishte më i mirë. Jam i bindur se do të kemi shumë të tjerë në të ardhmen”, tha ai.

Kryetari Subashi falënderoi ambasadorin dhe Qeverinë e Republikës Çeke për këtë mbështetje.

“Ambasadori ka ardhur për herë të parë në Fier gjatë periudhës së përmbytjeve ku premtoi mbështetje dhe bashkëpunim në zbutjen e këtij fenomeni. Ka parë situatën dhe ka vlerësuar interesimin e Bashkisë Fier për zbatimin e projektit. Tani jemi të gatshëm të nisim që nesër me procedurat me dokumentacionin dhe në fillim të vjeshtës besojmë se do të kemi urën e re dhe bashkë me të edhe minimizimin e një prej shkaktarëve të përmbytjes së zonës”, tha Subashi.

Paralel, grupi i ekspertëve dhe specialistëve më të mirë në Fier e jo vetëm, por edhe në Shqipëri është duke punuar me studimin e situatës, gjetjen e shkaktarëve dhe ndërhyrjeve që duhen bërë për eleminimin e daljes së lumit Vjosë nga shtrati.

“Kemi arritur në konkluzione të cilat me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare do të përkthehen në ndërhyrje konkrete për të eleminuar daljen e Vjosës nga shtrati”, tha Subashi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: