Home / Ekonomia / Midhja e Butrintit me salmonelë? Peleshi: Mashtrim kriminal

Midhja e Butrintit me salmonelë? Peleshi: Mashtrim kriminal

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, e ka cilësuar mashtrim kriminal, lajmin e ish ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti, se midhja e Butrintit është me salmonelë dhe të gjithë konsumatorët janë të rrezikuar.

Me anë të një postimi në Facebook, Peleshi shkruan se ky është një mashtrim kriminal dhe nuk ka asnjë të vërtetë.

“Të mashtrosh për çështje që lidhen me jetën është kriminale. Kur je edhe profesionist i fushës është dyfish kriminale. Ish-ministri që duhet të skuqet që nuk bëri asgjë për të zhbllokuar eksportet shqiptare të molusqeve (ndonëse i quan më të mirat e Mesdheut), sot përhap një mashtrim lidhur me gjoja ndalimin e tregtimit të midhjeve”, thekson Peleshi.

Ministri Peleshi sqaron se “e vërteta është krejt ndryshe: Analizat e midhjeve bëhen çdo 2 javë. Kur ka ndotje aktivizohet alerti. Kalimi nga qendra e pastrimit i bën midhjet të sigurta për konsum. Salmonela në midhje është sajesë e ulët. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë bllokim të tregtimit të midhjeve. Ka një detyrim të pazbatuar më parë (për këtë ish-ministri duhet të japë llogari) që midhjet duhet të pajisen me certifikatë veterinare duke kaluar nga qendra e pastrimit në Butrint’.

Ne, vijon Peleshi,m thjesht po e disiplinojmë këtë përmes AKU duke i bërë midhjet më të sigurta për konsumatorët.

“Nuk duam të gjobisim restorantet për një rregull që nuk është zbatuar, jo për fajin e subjekteve, për vite me radhë. Ndaj AKU është në një proces sensibilizimi. Ne e quajmë arrogancë edhe ushtrimin e të drejtës ligjore të sanksioneve për shkelje që vetë institucionet i kanë lejuar duke i kthyer në normë. I kam kërkuar Komisionerit të Sigurisë Ushqimore në Bruksel, lejimin e eksportit të molusqeve (bllokuar prej 25 vitesh), por për këtë duhet të bëjmë edhe ne detyrat tona. Në qoftë se audituesit e komisionit vijnë e shohin që midhjet tregtohen pa certifikatë veterinare, nuk e lejojnë eksportin edhe për 25 vjet”, nënvizon Peleshi.

“Panariti këtë e quan bllokim të tregtimit të midhjeve më të mira në Mesdhe. Në rastin më të mirë, profesori ka ngelë në klasë gjatë 4 viteve në ministri. Në rastin më të keq, mashtron me vetëdije”., shkruan Peleshi.

Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, në një postim në Facebook shkruan se “në pragun e sezonit , kur midhja e Butrintit përgatitet të jete në menutë dhe pjatat e mijëra turistëve që po frekuentojnë plazhet tona, doli lajmi i bujshëm nga AKU: “Midhja e Butrintit me salmonelë”!!! Ndal konsumit të saj!! Ndërkohë asnjë raport zyrtar analitik mbi ngarkesën bakteriale, serotipin e identifikuar, mostrat e mbledhura metodën zbuluese të përdorur”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: