Home / Ekonomia / Çmimi i energjisë për furrat e bukës, OSHEE nuk ka ndryshim tarifash

Çmimi i energjisë për furrat e bukës, OSHEE nuk ka ndryshim tarifash

Referuar disa raportimeve në media dhe pretendimeve të shoqatave të prodhuesve të bukës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron se nuk ka asnjë ndryshim tarifash të energjisë elektrike. Ato janë përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë që në fund të vitit 2017 dhe janë në fuqi. Pretendimi i disa prodhuesve të bukës qëndron në faktin se kërkojnë të tarifohen si furra buke edhe ato pika që jo vetëm prodhojnë bukën por edhe tregtojnë produkte të tjera që nuk kanë lidhje me funksionin primar. Enti Rregullator i Energjisë ka përcaktuar saktësisht trajtimin me tarifë të diferencuar dhe të ulur vetëm ato furra buke që funksion të tyre kanë prodhimin dhe shitjen e bukës. Furrat që tregtojnë produkte të tjera përveç bukës nuk janë përfshirë nuk mund të përfshihen në këtë kategori. Më poshtë gjeni intervistën e dhënë për Top Channel nga drejtori i divizionit tregtar në OSHEE Elton Sevrani.
Pyetje: Një ditë më parë ka pasur një deklaratë nga prodhuesit e bukës që ankohen për cmimin e energjisë që sipas tyre nuk aplikohet çmimi i privilegjuar për të gjitha furrat…
OSHEE ka respektuar në vazhdimësi vendimet e ERE duke aplikuar çmimet e përcaktuara për kategori të caktuara të biznesit. Për vitin 2018, çmimet e caktuara nga ERE për furra buke e prodhim mielli për tension 0.4 janë 7.6 lekë, kurse për furra buke e prodhim mielli në nivel tensioni 10 dhe 6 kv është 7.1 lekë. Për të dyja këto kategori është aplikuar në mënyrë rigoroze ky çmim që nga fillimi i vitit dhe sot që flasim nuk ka asnjë ndryshim. Ne kemi monitoruar subjektet në terren dhe kemi evidentuar se mjaft subjekte që pretendonin se kishin furrë buke e prodhim mielli, rezultonin me aktivitet tjetër në disa raste deri dhe parukeri e lloto. Pra nuk kishte ndryshuar natyra e biznesit pas dhënies me qira të ambientit. Kemi marrë masa e më pas kemi ndërhyrë për sistemimin e kategorisë së biznesit që i takon.
Por një grup tjetër mjaft i rëndësishëm janë furra buke, prodhim mielli dhe prodhime të tjera që nuk përfshihen në këtë kategori vendimarrëse të ERE. Përveç bukës masive, e cila duhet subvencionuar dhe me të drejtë ka edhe këtë çmim, kemi një gamë të gjëra prodhimesh nga më të ndryshmet, pastiçeri, byrek, tregtim të produkteve të bulmetit, që ja ndryshojnë komplet natyrën këtij biznesi dhe nuk na lejojnë ne të aplikojmë këtë çmim të diferencuar dhe në avantazh të këtyre bizneseve. Kemi ndjekur me rigorozitet vendimet e ERE, kemi bërë ndryshimet e tarifës kur kemi parë se ky aktivitet është i ndryshëm nga ai i përcaktuar, pra ka një gamë mjaft të gjerë produktesh. Por dhe kemi kontribuar në zgjidhje, duke iu këshilluar ndarjen e ambienteve në dy aktivitete, pra aty ku kemi shërbimin e tregtisë të pasticerisë, produkteve të tjera, byrek etj. të ketë tarifë shërbimi me 14 lekë në tension të ulët. Për zonat ku ka prodhim, ku janë furrat e pjekjes dhe brumatriçet do të aplikohet çmimi 7.6 lekë.
OSHEE ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar për zgjidhjen dhe pastrimin e situatës, por nuk mund të bëhemi pjesë e një favorizimi të padrejtë. Sepse në qoftë se një subjekt tregton qumësht, kos e të tjera dhe përballë tij ndodhet një subjekt që kryen tregtinë në treg të lirë, por ama nuk prodhon bukë, të dy duhet të paguajnë energjinë sipas nivelit të tensionit që është përcaktuar nga ERE me 14 lekë për kilovat. Pretendimet e shoqatës ne i kemi diskutuar me ta, kemi kërkuar argumenta e kemi dhënë dhe kundër argumenta por ne do të zbatojmë vendimin e ERE.
OSHEE do të vazhdojë të këmbëngulë që furnizimi me energji për të gjithë klientët në rrjet, duhet të bëhet në përputhje me nivelin e tensionit me të cilët ata punojnë. Por në rastet e ndonjë situate specifike si furrat e bukës dhe fabrikat e miellit, ne do ta zbatojmë çmimin e diferencuar nëse ata do të zbatojnë me rigorozitet objektin e veprimtarisë së tyre.
Pyetje: A pritet ndonjë vendim të ERE?
Ne patëm në takimin e fundit me ERE dhe diskutime me prodhuesit e bukës të cilët shprehën shqetësimet e tyre. Ne jemi në gadishmëri për të kontribuar për zgjidhjen, ramë dakord të uleshim, të rishikonim volumin e energjisë të tregtuar nga këto subjekte, të shihnim peshën specifike që zë një kategori nga tjetra, për tu ofruar të dhënat që ata të vijnë me një propozim konkret sa mendojnë ata të jetë çmimi i azhornuar pas ndryshimit të tregut në lidhje me prodhimet e miellit e të bukës. Por në të gjitha rastet, ne do të insistojmë që kjo tarifë e re që duhet të miratohet nga ERE (nëse do ketë të tillë) të mos cënojë financat e kompanisë. Pra, ajo diferencë të ardhurash mesatarisht që është 3 lekë, si pasojë e subvencionimit të këtyre subjekteve, të mos shtohet me qëllim që të mos rëndojë në çmimin e klientëve të tjerë sepse kompania ka një buxhet të caktuar që duhet të plotësohet me të ardhurat e përgjithshme të siguruara prej saj. Pra, nëse përfiton një palë do rëndohet tarifa në një grup tjetër shoqëror që padrejtësisht do të paguajë diçka që nuk u takon.

Leave a Reply

%d bloggers like this: