Home / Ekonomia / OSHEE ul më tej humbjet, arkëton 17.8 miliardë lekë

OSHEE ul më tej humbjet, arkëton 17.8 miliardë lekë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi sot se niveli i humbjeve gjatë 3-mujorit të parë të vitit vijojnë rënien për të arritur në 27.7% nga afro 50% që ishte në vitin 2013.

“Të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti paraqesin tregues pozitiv, duke hedhur një hap drejt stabilitetit të mëtejshëm të financave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike SH.A (OSHEE). Niveli i humbjeve, si tremujor zbriti në 27.7%, nga afro 50% që ishte ne vitin 2013, pra dukshëm kemi një kapërcim treguesve me gati 2-fish”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga OSHEE.

Duke i krahasuar humbjet me 3-mujorin e parë 2017, sipas të dhënave, kemi një reduktim me 2.5%.

Edhe arkëtimet vijojnë trendin pozitiv. Sipas OSHEE-së, arkëtimet gjatë periudhës janar-mars llogariten 17.8 miliardë lekë, ose mbi 650 milionë lekë më tepër se 3-mujori i parë 2017.

“Theksojmë gjithashtu se tremujori 2018, shënon rritje të ndjeshme të arkëtimeve me vonesë (deri në 90 ditë), krahasuar me 3-mujorin 2017, 2.5% ose rreth 400 milionë lekë më tepër”, bën të ditur OSHEE.

Paralelisht me treguesit më lartë, paraqitet në performancë pozitive edhe niveli i borxhit.

“Borxhi i keq principal, për fatura 2007-2014, arriti në 47.8 miliardë lekë në fund të muajit mars, nga 67.8 miliardë që ishte në fund të vitit 2014, pra kemi reduktim në masën 29.5%”, thotë OSHEE.

Akt marrëveshjet, sipas OSHEE-së vijojnë të lidhen, ku prej dhjetorit 2014 e deri në fund të marsit kemi mbi 400 mijë kontrata të nënshkruara midis OSHEE dhe abonentëve.

Referuar të dhënave, 345,800 e abonentëve debitorë kanë pranuar ta paguajnë direkt debinë me një këst, duke përfituar reduktim kamate me 70 dhe 80%.

Leave a Reply

%d bloggers like this: