Home / Politika / Rama: Askush si shpëton Vettingut. S’mbyllet historia vetëm duke u larguar nga Drejtësia

Rama: Askush si shpëton Vettingut. S’mbyllet historia vetëm duke u larguar nga Drejtësia

Qeveria nis llogaridhënien publike për çka është bërë në 6 muajt e parë të qeverisjes, çka do të bëhet dhe shtrirjen më tutje të bashkëpunimit me qytetarët.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e parë në Tiranë:

Shumë faleminderit për pritjen dhe durimin nën këtë diell aspak bujar!

Sot nisim një fushatë në të gjithë territorin e vendit, një fushatë ku e vetmja gjë që ndryshon nga një fushatë zgjedhore do të jetë që nuk do të ketë votim në fund. Ne do të prekim të gjitha njësitë administrative të vendit, jo vetëm bashkiake dhe do të flasim drejtpërdrejtë me qytetarët e të gjitha moshave, të të gjitha kategorive shoqërore, lidhur me çka kemi bërë në këto 6 muaj, me çka duam të bëjmë, por njëkohësisht do të dëgjojmë prej tyre se çfarë ata mendojnë për punën tonë dhe për se si, apo se sa, ne duhet të shtrijmë më tutje bashkëpunimin me qytetarët, për të përmirësuar punën.

Ky është një proces që e nisim sot, nga Tirana, ku ne jemi shumë të vetëdijshëm për sa shumë ka ende për të bërë, por besoj që vetëm ata që nuk duan të shohin dhe nuk duan të dëgjojnë, mund të mohojnë se sa shumë është bërë. Kjo punë shtrihet në të gjitha aspektet dhe nuk diskutohet që përbën një bazë shumë të mirë për të nesërmen.

Unë dua që të nënvizoj shumë shkurtimisht punën që ne parashikojmë të bëjmë në vijim për infrastrukturën; infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore, infrastrukturën shëndetësore. Janë 3 shkolla të reja që i shtohen 17 shkollave që janë tanimë në proces ndërtimi në Bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë që edhe qendrat shëndetësore të Tiranës do të njohin një transformim të ri. Ne kemi në projekt të transformojnë 300 qendra shëndetësore deri në vitin 2021, nga të cilat, 80 prej tyre këtë vit dhe një pjesë e konsiderueshme janë në Tiranë.

Po ashtu, përsa i përket çështjeve të sigurisë, ne po shtrihemi më shumë në komunitet përmes një qasjeje të re dhe të shumëpritur e të mirëpritur, besoj, edhe nga komunitetet që po njihen me të, për policimin në komunitet dhe për afrimin e strukturave të policisë me komunitetin.

Ajo që mbetet për t’u theksuar fort është nevoja që ne të vijojmë intensivisht, jo vetëm punën, por dhe komunikimin me qytetarët lidhur me punësimin. Gjatë kësaj fushate do të lancohet edhe Programi Kombëtar i Punësimit, jo si një strategji, por si një program i detajuar, ku ne do të shpjegojmë, duke treguar sektor për sektor, mundësitë e reja për punësim që do të krijohen. Jo më larg se dje, në Panairin e Punës pamë nga afër dhe shpresoj edhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh panë, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet mediave, se jemi në një periudhë kur kompanitë po krijojnë vende pune dhe kanë nevojë për punonjës të të gjitha kategorive, jo vetëm për punonjës që paguhen me rroga minimale në sektorin e manifakturës, por edhe për punonjës në banka, në kompanitë e telekomunikacioneve, në sektorin e IT-së, që është një sektor që po zgjerohet në vijimësi.

Ajo që mbetet një sfidë e madhe është intensifikimi i ndërveprimeve mes zyrës së punës dhe kompanive, për të mundësuar sa më shumë punësime për punëkërkuesit e regjistruar në zyrat e punës.

Jemi sot, pas një tjetër muaji që e kemi tejkaluar objektivin e punësimeve vetëm nga zyrat e punës. Objektivi i vitit është 25 mijë të punësuar vetëm nga zyrat e punës dhe besoj që do t’ia dalim.

Por sfidë është po ashtu, që gjithmonë e më shumë njerëzit që kërkojnë punë, veçanërisht ata që janë më të rinj të vetëdijesohen, së pari, se shteti nuk është punëdhënës, por është punëkrijues. Që do të thotë se duhet të luftojmë fort me mendësinë se vetëm puna në shtet është punë dhe se midis punës në shtet dhe punës në privat, kur mungon kjo e para, është më mirë kafeneja, sesa puna te privati, pavarësisht se, me të drejtë, njerëzit ngrenë shqetësime të natyrave të ndryshme lidhur me çfarë duhet të përmirësohet në marrëdhëniet e punës brenda sektorit privat.

Ne duhet të vazhdojmë të shtyjmë fort për arsimin profesional dhe formimin profesional. Ka shumë njerëz, të cilët drejtohen në zyrat e punës dhe janë me dëshirën për të filluar punë, por për 1001 arsye nuk zotërojnë asnjë aftësi për punë. Janë fizikisht plotësisht të aftë, por nuk zotërojnë asnjë aftësi të veçantë për të filluar punë. Për këta njerëz, ne kemi rritur volumin e kurseve të formimit profesional, kemi ndërtuar një sistem të ri bashkëpunimi me kompanitë, për të financuar formimin profesional. Kush është një i papunë që ka dëshirën dhe vullnetin të fillojë punë, por nuk ka aftësinë për të hyrë në një kompani të caktuar, merr financim nga shteti, që është mbi mesataren e ndihmës aktuale ekonomike, për një, dy, apo tre muaj, sipas nevojës, për të bërë trajnimin e mjaftueshëm profesional që të mund të hyjë në rrugën e punësimit.

Jemi në një fazë ku sigurisht ka jashtëzakonisht akoma shumë për të bërë dhe gjithmonë nuk duhet harruar se në raport me Shqipërinë që duam, jemi ende larg, por në raport me Shqipërinë që kishim, sot, ne kemi të gjithë arsyet që të jemi jo vetëm krenarë, por dhe optimistë, pasi të mos harrojmë që kemi realizuar një objektiv madhor dhe kemi materializuar një qëllim madhor, marrjen e rekomandimit pozitiv, pa kushte, nga Komisioni Europian, për të çelur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë.

Shumëkush mund të bëjë komente, të cilat mund të ngrenë pikëpyetje të natyrave të ndryshme, apo mund të krijojnë idenë se kjo ka qenë një gjë e lehtë. Më besoni që kjo ka qenë një gjë e vështirë, e cila është realizuar falë reformave dhe falë punës së jashtëzakonshme që ne kemi bërë, sepse Komisioni Europian nuk është një institucion, i cili jep indulgjenca, apo bën gjeste bujarie. Nuk është një institucion, i cili merr vendime strikt politike. Është një institucion, i cili vlerëson vetëm faktet dhe shifrat e progresit në çdo aspekt.

Bëhet fjalë për vlerësime objektive, për të cilat është e angazhuar një makineri e tërë ekspertësh e analistësh, – analistë prej vërteti, jo si ata që ju jeni të detyruar t’i dëgjoni përnatë në televizor, ndërkohë që unë, për fat të mirë nuk e kam fare sinjalin e atyre televizioneve ku këta njerëz përpiqen të bëjnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë.

Po ashtu kemi realizuar një qëllim shumë të madh, duke hapur rrugën e vetting-ut.

Të gjithë janë shumë të vetëdijshëm se sa shumë përpjekje u deshën, për të çarë shtegun e reformës në drejtësi. Një reformë e thellë, jashtëzakonisht e vështirë, një reformë që të tjerët as nuk e menduan se mund të ndodhte ndonjëherë në Shqipëri e jo më ta ndërmerrnin dhe që ne e bëmë të mundur.

Por jeni edhe të vetëdijshëm dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, pa dallim, ju kujtohet se për sa muaj u detyruan t’i binin rreth e përqark, sepse nuk kalonin dot në bulevard për shkak të një çadre që kishte bllokuar bulevardin dhe që ishte vendosur midis Shqipërisë që kemi dhe Shqipërisë që duam, si një pengesë e vetting-ut dhe e fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi prej vërteti.

Tanimë vetting-u ka nisur. Rezultatet ju po i shihni çdo ditë përmes kanaleve të informimit publik dhe ato do të shkojnë duke u thelluar. Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar do të largohen nga sistemi. Cilido dhe cilado që nuk është në gjendje të provojë legjitimitetin e pasurisë, nuk është në gjendje të provojë integritetin e vendimmarrjeve në të shkuarën, nuk është në gjendje të provojë aftësitë për të qëndruar në sistemin e ri të drejtësisë, nuk do jetë më pjesë e sistemit. E kjo është një arsye e fortë për të qenë optimistë për të nesërmen.

Ndërkohë të gjithë atyre që thonë se si mund të mbarojë me kaq, domethënë, si mundet që njerëz që demonstrojnë pasuri marramendëse, ta mbyllin historinë vetëm duke u larguar nga sistemi, u them se ky është vetëm fillimi.

Ky është vetëm fillimi, sepse ajo çka ne presim të realizohet përmes këtij procesi, është të ndërtohet një sistem, i cili është realisht i pavarur, është realisht efikas dhe është realisht i guximshëm mbi bazën e të gjitha atributeve që jep Kushtetuta, duke garantuar që të gjithë, pa përjashtim, edhe gjykatësit e prokurorët që largohen sepse janë ata që janë, edhe politikanët që prej 28 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër, përveçse kanë akuzuar njëri-tjetrin dhe kanë krijuar idenë se jemi të gjithë njësoj e të gjithë duhen futur në një thes, të përballen me këtë sistem dhe të ndahet më në fund shapi nga sheqeri, sepse nuk ka askund dhe në asnjë komunitet e në asnjë pyll, qenie që të jenë njësoj.

Ne kemi shumë për të bërë, ne kemi shumë për të përmirësuar, ne kemi shumë për të reflektuar dhe të gjitha këto mund të bëhen duke mos humbur lidhjet me njerëzit, duke mos humbur dëshirën dhe vullnetin për t’i dëgjuar njerëzit e mbi të gjitha, duke mos humbur për asnjë çast, pasionin për t’ju shërbyer njerëzve. Sepse vërtetë një hall i një personi është një hall shumë i vogël, thuajse i padukshëm nëse e shikon nga larg, por, nëse e ke vetë atë hall, është halli më i madh.

Sa më shumë e sa më shpejt të jemi në lartësinë e sfidës për të trajtuar hallin e çdo njeriu në këtë vend si hallin tonë, aq më shpejt do të realizojmë ambiciet që kemi të gjithë sëbashku. E për këtë, platforma e bashkëqeverisjes është një instrument i sigurt që garanton marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes çdo individi, në qytet apo në fshat, i pasur apo i varfër, me njohje apo pa njohje, me ministrin përkatës në sektorin e të cilit është dhe halli i këtij individi.

Me thirrjen që të gjithë ata të përdorin platformën, të mos humbasin kohë duke u ankuar, të mos humbasin kohë duke u sorollatur, duke kërkuar miq e duke kërkuar rrugë për të paguar për hallin që duan të zgjidhin, por thjesht të humbasin vetëm 3 minuta për të shkruar në platformë, me garancinë që brenda 10 ditësh të marrin përgjigjen që meritojnë dhe në rast se meritojnë atë që kërkojnë, marrin atë që kërkojnë, unë ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që në këtë proces që fillon sot, ne të kemi sa më shumë kontakte dhe të mësojmë sa më shumë nga ju dhe nga të gjithë ata që do të na begenisin duke na vënë në dispozicion veshët e tyre.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.