Politika

Lu: Askush nuk është mbi ligjin, po kapen peshqit e mëdhenj

“Askush nuk është mbi ligjin, po hetohen dhe po ndiqen penalisht peshqit e mëdhenj”, – ka deklaruar sot Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, gjatë konferencës me temë “Modelet e reja të biznesit për OSHC-të”.

Duke folur për rolin dhe rëndësinë që ka shoqëria civile, ambasadori Donald Lu tha se “OJQ kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vëzhgimin e zgjedhjeve, por edhe në monitorimin e marrëveshjes së 18 majit, që solli kaq shumë ndryshime të ndërlikuara një javë para zgjedhjeve. Shoqëria civile shqiptare duhet të jetë krenare për të gjitha këto gjëra dhe shumë të tjera, por nuk duhet të bëheni dembel, ka ende shumë për t’u bërë, prandaj kemi punuar për të ndihmuar organizatat e shoqërisë civile që të bëhen më të pavarura financiarisht dhe më të suksesshme”.

Duke folur për sfidat e ardhshme, diplomati amerikan tha se “… do të isha shumë i lumtur që shoqëria civile të na bashkohet në thirrjen për arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj, kriminelë”.

Lu tha se falë shkrimeve në media, shumë politikanë të inkriminuar nuk janë më pjesë e jetës politike në Shqipëri. “Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Froku, Aqif Rakipi, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve këta politikanë nuk janë më në Kuvend apo Bashki. Për reformën në drejtësi, fëmijë, pensionistë, mësues dhe njerëz të zakonshëm u mblodhën në 21 korrik 2016 për të kërkuar që reforma të miratohet dhe sot OJQ-të po vëzhgojnë vettingun, krijimin e KLGJ, KLP,  SPAK-ut dhe BKH-së”, – tha ambasadori.

Në vijim, ambasadori i SHBA-së tha se “Shqipëria ka mbështetur kapjen e peshkut të madh trafikantit të drogës Met Kanani që u arrestua në Turqi me 22 mars. Urdhëra arresti janë lëshuar edhe për dy trafikantë të tjerë në vend, si Klement Balili dhe Arbër Çekani dhe ata duhet të kapen. Kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Roshi po ndiqen penalisht, hetimet po vazhdojnë, vazhdojnë, vazhdojnë, ndaj  Saimir Tahirit dhe Adriatik Lallës”.

Ambasadori Donald Lu ka përshëndetur dorëheqjen e ish-ministrit Saimir Tahiri për dorëzimin e mandatit të deputetit për t’u hetuar si qytetar i thjeshtë.

“Askush nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin se zoti Tahiri do të përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet”, – theksoi Lu.

Më tej, Lu tha se “OJQ dhe gazetarët shqiptarë duhet të punojnë për të ndihmuar publikun për të kuptuar se pse këta persona janë kaq të rrezikshëm dhe kemi pritshmëri që do të arrestohen dhe ndiqen penalisht”.

Së fundmi, Lu tha se “nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve. Atëherë, Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të ndritur. Një të ardhme në Bashkimin Europian. Një të ardhme pa trafik droge. Një të ardhme në të cilën qytetarët e zakonshëm nuk mund të kenë frikë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo është e ardhmja që shqiptarët meritojnë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button