Politika

Çështja e detit mes Shqipërisë e Greqisë e mësime për diplomacinë

Në librin “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, diplomati Shaban Murati ka qëndrim kritik ndaj marrëveshjes së vitit 2009 për detin mes Shqipërisë e Greqisë. Tema ka aktualitet.

Negociatat për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë një pikë e nxehtë e diskutimeve në 10 vitet e fundit. Në librin e tij “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, diplomati Shaban Murati e quan një kapitull të errët marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë, të vitit 2009, e cila u njoh si marrëveshja e detit. Hedhja poshtë e kësaj marrëveshje nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në 2010-ën si dhe rihapja e bisedimeve aktualisht me Greqinë e kanë bërë këtë temë më se aktuale.

Në bisedën me DW, diplomati Murati thotë se “së pari duhet thënë” që pala shqiptare “hyri në një çështje shumë të rëndësishme siç është çështja e bisedimeve për temën detare pa asnjë lloj përgatitjeje, pa asnjë lloj platforme, strategjie. Ekipi negociator nuk konsultoi as arkivën e dokumentacionit historik dhe diplomacisë, që ekzistonte në Ministrinë e Jashtme.” “Kjo mungesë përgatitjeje e bashkuar me mungesën e inferioritetit që ka karakterizuar diplomacinë në të gjitha qeveritë shqiptare në periudhën postkomuniste”, vazhdon Murati “bënë që të krijohej një asimetri e thellë në rezultatet e asaj që u quajt Marrëveshja e Detit.”

Murati: figura jo dinjitoze e diplomacisë shqiptare me pasoja dëmtuese për Shqipërinë

“Pasojat ishin në dy drejtime”, sqaron diplomati Murati. “Së pari që Shqipëria u cënua në integritetin e saj territorial duke humbur 350 km hapësire detare të cilat fatmirësisht nuk i humbi përfundimisht, sepse gjykata kushtetuese e anuloi këtë marrëveshje të dëmshme. Së dyti, është fakti që krijoi një problem artificial. Ishte artificial në gjenezën e tij, në vazhdimësinë qe ne pamë gjatë 10 vjetëve me presionin grek për rivënien në efektivitet të kësaj marrëveshjeje të pavlerë dhe të vdekur.”

Diplomati Shaban Murati në bisedë me DWDiplomati Shaban Murati në bisedë me DW

Diplomati Murati veçon faktin që diplomacia shqiptare refuzoi në 2009 çdo konsultë dhe ekspertizë me aleatët e saj.

“Ajo që të bën përshtypje në dinamikën apo prapaskenat e bisedimeve diplomatike mes Shqiperisë dhe Greqisë në atë kohë është fakti që Shqipëria i është nënshtruar kërkesës greke që mos të konsultojë, të mos marrë ekspertizë nga asnjë aleat i saj”. “Është e habitshme”, shprehet Murati “se si një shtet anëtar i NATOS i kërkonte Shqipërisë të mos konsultohej me SHBA, Italinë, as me Turqinë.” “E habitshme është kërkesa greke, po më e habitshme është kërkesa e Shqipërisë për t’ju nënshtruar kësaj kërkese greke” thotë diplomati. “Kështu Shqipëria e rriti inferioritetin e saj, inkompetencën e e saj, por nga ana tjetër krijoi një disekuilibër në partneritetin e saj me tre shtete aleate të NATOS të cilat afruan ekspertizën e tyre.”

Në librin e tij “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, diplomati Shaban Murati shkruan më tej se ka pasur një lloj nxitimi të diplomacisë shqiptare për ta përmbyllur marrëveshjen e detit. Përse ky nxitim?

“Ishte një urdhër politik për ta mbaruar marrëveshjen e detit sa më parë, meqë po afroheshin zgjedhjet parlamentare 2009 dhe qeveria e asaj kohe kishte nevoje për një përkrahje ndërkombëtare, përkrahjen e Greqisë e cila do të përdorte të gjitha instrumentat e saj të njohura që nga minoriteti grek në Shqipëri deri tek Kisha Ortodokse”, mendon diplomati. “Ky nxitim politik është i pazakontë dhe nuk gjendet në asnjë manual ndërkombëtar sidomos të të drejtave të detit. Rumania dhe Bullgaria kanë 27 vjet që diskutojnë për 17 km detare në Detin e Zi dhe deri sot e kësaj dite nuk është zgjidhur ky diskutim për detin”, kujton Shaban Murati.

“Vija e kuqe” për çdo qeveri dhe diplomaci shqiptare që negocion për detin është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i 15 prill 2010, thotë ai.

“Ky vendim ka rrezuar si antikushtetues objektin e marrëveshjes 2009, që do të thotë ka rrëzuar çështjen e kufirit detar. Kufiri detar mes Shqipëisë dhe Greqisë ka ekzistuar historikisht, është sanksionuar ne dokumeta, akte, protokolle ndërkombëtare dhe në mënyrë të paligjshme është futur nga delegacioni i Ministrisë së Jashtme në bisedimet e 2009. Kjo do të thotë që çdo bisedim që është bërë, bëhet dhe do të bëhet me Greqinë është i paligjshëm, nëse këto bisedime do të diskutojnë kufirin detar”

Dy çështjet që mund të diskutojë Shqipëria dhe Greqia për detin

Diplomati Murati thotë në bisedë me DW se “dy janë çështjet që mund të diskutojmë për temën e detit me Greqinë: çështja e “shelfit kontinental” dhe “zona ekonomike ekskluzive””. “Nëqoftëse diplomacia e sotme do të arrijë të fusë në mënyrë gjenerike termin “zona detare” do të bëjë një gabim, do të përsërisë gabimet e marrëveshjes që kishte marrëveshja e mëparshme që fliste për zona detare, sepse automatikisht i dha mundësinë tjetrit të diskutojë kufirin detar.”

“Ajo që është interesante është fakti që Greqia, kur ka kërkuar hapjen e bisedimeve në janar 2007 i ka kërkuar në mënyrë specifike për “shelfin kontinental”. “Tragjike është se vetë delegacioni shqiptar ka mbytur veten me duart e veta dhe ka transformuar objektin e bisedimeve nga bisedime me shelfin në bisedime për kufirin detar. Kjo është ajo që unë e quaj intrigë greke apo shqiptare.”

Pse u tërhoq Greqia nga hapësira detare që i ofronte marrëveshja e parë?

“Fakti është që marrëveshja e vitit 2009 është një marrëveshje e vdekur, e paqenë dhe inekzistente” thotë Murati. “Është e gabuar teza e dëgjuar në publik, që Shqipëria do të fitojë me shumë se ç’humbi në vitin 2009. E para nuk mund të krahasohet një marrëveshje e vdekur me një marrëveshje aktuale. E dyta nëse i përmbahemi kësaj teze do të thotë se ti po rinegocion të njëjtat koncepte apo tematikë si marrëveshja e vdekur, sepse marrëveshja e vdekur e detit diskuton kufirin detar dhe nëse del me këtë tezë do të thotë që po diskuton kufirin detar, gjë që ty si shtet, si diplomaci ta ndalon Gjykata Kushtetuese.”

“Greqia nuk ka hequr dorë nga marrëveshja. Dhe fakti që Greqia nuk thotë kurrë se për çfarë po bisedohet, Greqia nuk ka një akt zyrtar të heqjes dore sepse për të hequr dorë nga një marrëveshje ndërkombëtare duhet një akt juridik, ose një akt qeveritar, ose një akt diplomatik siç qe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që hodhi poshtë marrëveshjen”.

Negociatat aktuale me Greqinë – jo transparente

Në bisedë me DW, diplomati Shaban Murati thotë së fundi se “publiku akoma nuk ka transparencën se për çfarë u bisedua dhe kush e mori nismën e bisedimeve aktuale, sepse në diplomaci për të filluar një objekt diskutimi mes dy shteteve duhet që dikush të marrë nismën në bazë të notave të përcaktuara dhe në bazë të një tematike të caktuar”. “Pra publiku nuk është informuar, se cila është tematika, cila është pala që nisi dhe mbi ç’bazë nisën bisedimet, a filluan me tematikën e vjetër, pra me korrigjimin e tematikës së vjetër që do të ishte një gabim shumë i madh, apo filluan vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button