Kronika

Gjyqtari i Kushtetueses në sitën e Vetingut, e rriti pasurinë me 13 herë në 14 vjet

Gjyqtari Fatmir Hoxha është anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese që përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në vitin 2017.

Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2011 do të përballet të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që përfshihet në procesin e vetingut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt.

Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani.

Fatmir Hoxha është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në vitin 1991 dhe e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1993 si kryetar i Gjykatës së Pukës. Në vitet 1996-1998 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Apelin e Tiranës, ndërsa në vitet 2003-2008 ka mbajtur pozicionin e kryetarit në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtron detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fatmir Hoxha nga viti 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë, deri në vitin 2017

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Hoxha zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 1.7 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e zotit Hoxha është rreth 23.2 milionë lekë ose 13 herë më e lartë.

Rritja e pasurisë familjare të zotit Hoxha vjen kryesisht nga blerja e një apartamenti në Tiranë në vitin 2011 për rreth 140 mijë euro. Sipas të dhënave të deklaruara prej tij në ILDKPKI, Hoxha ka ende borxhe të pashlyera për blerjen e kësaj pasurie.

Të ardhurat familjare të deklaruara nga zoti Hoxha vijnë kryesisht nga paga e tij si gjyqtar në masën 77.4 për qind, nga paga e bashkëshortes 13.7 për qind, nga shitja e një apartamenti në Shkodër dhe e një automjeti 5.9 për qind si dhe të ardhura nga interesa bankare në masën 2.9 për qind.

Të ardhurat totale për 15 vitet e deklarimit kapin vlerën e 29.4 milionë lekëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit dhe “flamujt e kuq’  që janë identifikuar gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata të zotit Hoxha që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me probleme me një shumë të pambuluar në vlerën e 1.9 milionë lekëve për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2011.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është edhe huaja ende e pashlyer me vlerë rreth 4.5 milionë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë  para fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë e vitit 2004  
Deklarata e pasurisë  e vitit 2005
Deklarata e pasurisë e vitit 2006
Deklarata e pasurisë e vitit 2007  
Deklarata e pasurisë e vitit 2008  
Deklarata e pasurisë e vitit 2009  
Deklarata e pasurisë e vitit 2010
Deklarata e pasurisë e vitit 2011
Deklarata e pasurisë e vitit 2012  
Deklarata e pasurisë e vitit 2013
Deklarata e pasurisë e vitit 2014  
Deklarata e pasurisë e vitit 2015  
Deklarata e pasurisë e vitit 2016  
Deklarata e pasurisë e vitit 2017

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button