Home / Kronika / Paratë dhe përgjimet rëndojnë akuzën për korrupsion ndaj ish gjyqtarit të Apelit

Paratë dhe përgjimet rëndojnë akuzën për korrupsion ndaj ish gjyqtarit të Apelit

 

Prokuroria ka përfunduar hetimet ndaj ish gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë Shkëlqim Miri duke kërkuar dënimin e tij me burg për veprën penale të korrupsionit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim dosjen kundër ish gjyqtarit të gjykatës ë Apelit Tiranë Shkëlqim Miri, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. Bashkë me Mirin, Pokruroria e Krimeve të Rënda ka ngarkuar me përgjegjësi penale për korrupsion aktiv dhe tre persona të tjerë.

Organi i akuzës beson se e ka të provuar përfshirjen e ish gjyqtarit në veprime anti-ligjore, pasi ai dyshohet se ka marrë një rryshvet prej 30 mijë eurosh dhe ka dhënë një vendimin që favorizon lirimin nga burgu e një të pandehuri të dënuar më herët me 20 vjet burg.

Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017, pas ngritjes së akuzave për korrupsion pasiv. Gjykatat e tre niveleve i kanë rrëzuar të gjitha kërkesat e tij për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie.

Në rast se gjendet fajtor ish gjyqtari rrezikon dënimin nga 3 deri në 10 vjet burg. Shkëlqim Miri, 46 vjeç ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë kë qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

I kontaktuar nga BIRN të premten avokati i gjyqtarit, Ardian Visha tha se ishte në pamundësi për të komentuar mbi akuzat e ngritura.

Përgjimet telefonike dhe sasia e konsiderueshme e parave të sekuestruara në shtëpinë e Shkëlqim Mirit, janë provat kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vërtetuar akuzat e ngritura për ish gjyqtarin e gjykatës së Apelit.

Sipas kërkesës për gjykim, të cilën BIRN e disponon, Miri ka përdorur vëllain e tij për të përfituar shumën e parave prej 30 mijë eurosh në këmbim të ndryshimit të vendimit për masën e dënimit e të pandehurit të akuzuar për vrasje.

Fillimisht hetimi i prokurorisë ka nisur pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë  favorizuar të pandehurin Gentian Doda. Doda u gjet fajtor për akuzën e vrasjes në vitin 2012 dhe është dënuar më 20 vjet heqje lirie.

Katër vite më vonë, në shkurt të vitit 2016,  Gjykata e Lartë prani kërkesën e të pandehurit për rishikimin e vendimit të dënimit dhe urdhëron rigjykimin e çështjes nga Gjykata e Rrethit Mat.

Në shtator të 2016, Gjykata e Rrethit Mat ndryshoi kualifikimin ligjor të veprës penale që Doda akuzohet, nga vrasje në plagosje me dashje, dhe  vendos dënimin e tij me 8 vjet burg.

Prokuroria e apelon vendimin dhe një muaj më vonë, në tetor 2016 Gjykata e Apelit Tiranë regjistron çështjen, me relator gjyqtarin Agim Bengo dhe trupë gjykuese Shkëlqim Mirin dhe Flutura Skënderin.

Pikërisht në këto moment fillojnë dhe negociatat mes të afërmeve të Gentian Dodës dhe vëllait gjyqtarit Miri. Sipas përgjimeve telefonike, Doda kujdeset të siguroj shumën e parave prej 15 mijë euro nëpërmjet një miku të tij me banim në Angli.

“Do të marri një miku im në telefon [dhe] do të japi 15 euro. Duhet ti plotësosh 30 dhe ti çosh diku me Albanin,” thuhet në transkriptin e bisedës që Doda bën nga qelia e burgut me vjehrrin e tij Nezir Abdullaj.

Duke iu referuar një tjetër bisede telefonike, mes nënës së të dënuarit për vrasje dhe një shtetasi tjetër, Prokuroria  pretendon se ka vërtetuar se kjo shumë parash ishte e destinuar për gjyqtarin Miri.

“Mos u mërzit se i kemi rregulluar të gjitha, kam çuar dokumente, gjërat janë gati gjërat. Ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë, sepse kam mbaruar punë para nja dy ditësh, i kam takuar unë ata, u kam dhënë ca dokumente. Shyqyr ka me dal ai se na ka fikë. S’kemi as brekë me veshë, jemi shkund krejt. I thashë atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çfarë me të dhënë tjetër veç shpirtit. I kemi sqaruar ato gjërat mos u mërzit ne presim veç të dali,” thuhet në përgjimin e paraqitur si provë në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Më 23 maj  2017, në orët e vona të mbrëmjes, shuma e parave prej 30 mijë euro i është dorëzuar kushëririt të gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Të nesërmen, i pandehuri Doda është njoftuar se marrëveshja ishte mbyllur. “Tashmë gjithçka është në rregull.. nga mesi i muajt që vjen,” është mesazhi që i dënuari për vrasje merr në qelinë e burgut.

Gjatë hetimeve prokuroria ka vërtetuar se më datë 7 qershor 2017 Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rethit Gjyqësor Mat, i cili favorizonte pozitën e të pandehurit Doda

Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të përfshirjes së gjyqtarit Prokuroria ka ndërmarrë edhe kontrollin e banesës së Mirit, ku ka rezultuar se janë gjetur një shumë e madhe parah në cash, ku përfshiheshin 174,810 euro, 10,149,000 lekë dhe 1,000 USD.

Prokuroria arsyeton se kjo shumë parash është me burim të pajustifikuar. “Është administruar një kopje e deklaratës së pasurisë së të pandehurit e depozituar më datë 25 janar 2017. Rezulton se ky shtetas deri në momentin e dorëzimit të deklaratës zotëronte një llogari bankare me shumën e 22.643 euro dhe një llogari në shumë e 63.077 lekëve,” thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë, e cila e konsideron këtë fakt një provë me vlerë për të vërtetuar  se ish gjyqtari ka marrë parë në këmbimin të favorizimit të  të pandehurit Gentian Doda.

“Shumat e sekuestruara nuk i përgjigjen të ardhurave të deklaruara më parë prej të pandehurit Shkëlqim Miri dhe të përfituara në mënyrë të ligjshme,” vijon kërkesa për gjykim.

Ndërsa avokati i Shkëlqim Mirit ka deklaruar se kjo shumë parash ka burime të ligjshme.

“Shuma e konsiderueshme natyrisht është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë. Ky gjyqtar ka 25 vite që punon me një pagë të konsiderueshme, bashkëshortja e tij ka një pagë të konsiderueshme gjithashtu,” ka deklaruar për mediat avokati Ardian Visha.

Duke i dorëzuar gjykatës materialet filmike, bisedat telefonike por edhe vendimet e gjykatës që kanë çuar në favorizimin e të pandehurit Doda, Prokuroria e Krimeve të Rëndë kërkon dënimin e Shkëlqim Mirit me akuzën e korrupsionin pasiv. Nën akuzë janë vendosur edhe Kujtimi Miri, Alban Buci dhe Gentian  Doda për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë /Birn

Leave a Reply

%d bloggers like this: