Kosova

Merkel pret Thaçin në Berlin: Të zbatohen marrëveshjet Kosovë-Serbi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Merkel tha gjatë një konference për media se ka pasur zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim.

“Temë qendrore lidhur me përafrimin drejt Bashkimit Evropian janë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo sipas pikëpamjes sime dhe sipas bisedës që kemi pasur sot është një temë qendrore që nuk është temë aq e thjeshtë, por duhet të themi se ka pasur zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim”.

“Marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen dhe unë mendoj që aktualisht prioritet është edhe çështja energjetike dhe këto biseda do të zhvillohen gjatë takimit tonë në Sofje të Bullgarisë ”, tha Merkel.

Merkel tha se sfidues për shtetin e Kosovës mbetet sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, numri i lartë i papunësisë dhe problemet tjera që ndikojnë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Kemi tashmë 10 vjet që Kosova është shtet i pavarur dhe prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të them që është arritur shumë. Më shumë se 100 shtete kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kemi ende shumë probleme të pazgjidhura dhe ka hapa që duhet të ndiqen, mirëpo ka edhe përmirësime me rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, tha Merkel.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se në kontekst të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës për integrim në Bashkimin Evropian ‘është jetike që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet ndërshtetërore dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj porosia ime si president i Kosovës për shtetin e Gjermanisë dhe kancelaren Merkel është se ne jemi gati si Kosovë të hapim këtë kapitull për të bërë hapin vendimtar me dialogun me Serbinë për arritur marrëveshjen ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës nënvizoi se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë fare e lehtë as për Kosovën e as për Serbinë, mirëpo siç theksoi ai ‘nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara’.

“Duhet të gjemë mënyrën që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare dhe të hapim epokën e paqes dhe pajtimit ndërmjet popujve tanë, marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke”, tha Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Berlin, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Gjermani, siç thuhet për të shtyrë përpara agjendën bilaterale dhe evropiane të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button