Bota

Trump pret amerikanët e liruar nga Koreja e Veriut

Trump u shpreh se kjo “ishte një natë speciale për këta njerëz realisht të mëdhenj”, duke i pritur me duartrokitje teksa zbrisnin në bazën “Andrews” të Forcave Ajrore, pranë Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se të tre ata u liruan si gjest i vullnetit të mirë përpara takimit të planifikuar mes presidentit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un. Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se vendi i samitit do të shpallej “brenda 3 ditësh”.

Trump dhe bashkëshortja e tij Melania hynë në avionin që ishte ulur rreth orës 2:45 të mëngjesit në bazën ajrore, e pak minuta më vonë dolën prej andej së bashku me 3 të liruarit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi faktin që Kim Jong-uni lejoi njerëzit të largoheshin nga vendi i tij “gjë që me sinqeritet, as nuk mund të mendohej se do të ndodhte përpara takimit”.

I pyetur nga mediet nëse kjo ishte një arritje që e bën atë krenar, Trump tha se kjo do të bëhej e mundur “vetëm kur i gjithë gadishulli të denuklearizohej”.

“Është nder për mua, sigurisht. Por, lavdia reale do të shënohet kur të arrijmë fitoren në asgjësimin e armëve bërthamore në gadishullin Korean”, tha ai.

Trump tha se shpresonte që një ditë të mund të udhëtonte drejt Koresë së Veriut, e se besonte që Kim Jong-uni dëshironte padyshim ta rikthente vendin e tij në “botën reale”.

Tre të liruarit, Kim Hak-song, Tony Kim dhe Kim Dong-chul, dolën të buzëqeshur dhe u shfaqën në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se ishin të dënuar me punë të detyrueshme dhe të rëndë në vendin komunist.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button