Bota

Merkel: Trumpi shkel besimin në rendin ndërkombëtar

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mendon se bashkëpunimi ndërkombëtar është në krizë – mes të tjerash prej tërheqjes së SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin. Në këtë kuadër ajo kërkon të forcohet multilateralizmi.

Tërheqja nga marrëveshja atomike me Iranin nga ana e Presidentit të SHBA, Donald Trump është një “shkak për shqetësim të madh, edhe një shkak për keqardhje” dhe shkel “besimin në rendin ndërkombëtar”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në Konventën kombëtare të Katolikëve në Mynster. “Nuk është e drejtë” që të tërhiqesh në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje për të cilën është rënë dakord njëzëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha Merkel.

Përballë vendimit të diskutueshëm të Uashingtonit politikania e CDU-së e sheh multilateralizmin “në një krizë të vërtetë”.”Kur secili bën atë që i pëlqen, ky është një lajm i keq për botën”. Njëkohësisht Merkeli tha se “do të angazhohet edhe më tej për partneritetin transatlantik”. Detyra për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar tani është më urgjente se kurrë më parë.

Përballë numrit në rritje të konflikteve në botë, Merkeli bëri thirrje që të mos bëhemi indiferentë “Ky rrezik ekziston përballë numrit të madh të imazheve të njerëzve,dinjiteti i të cilëve shkelet me këmbë”. Një numër i madh konfliktesh ndërkohë nuk zhvillohet shumë larg, “por direkt para derës së shtëpisë sonë”.

“Hap pas për diplomacinë e paqes”

Edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier (SPD) u shpreh në Konventën e katolikëve për tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Iranit. Ky është një “hap pas për diplomacinë e paqes” dhe një refuzim i paqes përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, tha Steinmeieri.

Ministri i zhvillimit i Vatikanit, kardinali Peter Turkson, tha në aktivitet se është për të ardhur keq, që vendimi i SHBA rëndon raportin me Evropën. Vendet evropiane megjithatë kanë një shans po të kërkojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin, theksoi ai “Paqja nuk arrihet përmes armëve, por përmes dialogut”.

Donald Trumpi e pati bërë të ditur të martën tërheqjen nga marrëveshja atomike me Iranin. Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë të ditur se do t’i përmbahen marrëveshjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button