Opinion

Marksizmi në epokën e pabarazisë globale

Nga: Gwynne DYER

Pse kanadezët zgjodhën Justin Trudeau si kryeministër, ndërsa amerikanët zgjodhën Donald Trump si president të tyre? Të dy vendet kanë kultura të ngjashme dhe të ardhura pothuajse identike për frymë, por 20 përqind e të pasurve kanadezë fitojnë 5.5 herë më shumë se 20 përqind e më të varfërve. Në Shtetet e Bashkuara, një e pesta më e pasur e popullsisë fitojnë tetë herë më shumë se një e pesta e të varfërve. Pabarazia është e pashmangshme, por duhet të menaxhohet.

“Karl Marksi kishte të drejtë: socializmi funksionon. Ka gabuar vetëm për specien”, ka shkruajtur sociobiologu E.O. Uilson, autoritet për botën e milingonave. Por realiteti është pak më i komplikuar se kaq, dhe kjo është një kohë e mirë për të folur për këtë.

Marksi vdiq në mërgim në Londër më 1883 dhe nuk mund të fajësohet për dhjetëra miliona njerëz të vrarë në emër të marksizmit në Bashkimin Sovjetik, Kinë dhe tjetërkund, gjatë shekullit të njëzetë. Por Marksi me të vërtetë donte të ndryshonte botën, dhe qëllimi i tij ishte barazia: një “shoqëri pa klasa”.

Në momentin e forcës së vet më të madhe, në mesin e viteve tetëdhjetë, marksizmi mbizotëronte në jetën e një të tretës së banorëve të botës. Sot është ideologjia zyrtare e vetëm pesë vendeve, dhe madje në këto raste është mbi të gjitha një justifikim për regjimet autoritare, jo një sistem real vlerash. Por parimi i barazisë mbetet një vlerë qendrore në politikën e qenieve njerëzore, dhe sot dimë pak a shumë arsyen përse.

Kthesat e qytetërimit

Egalitarizmi midis qenieve njerëzore përbën një problem, që antropologu Bruce Knauft e quajti “kthesa në formë U-je“. Knauft vuri në dukje se të gjitha speciet e primatëve jo-njerëzorë, të tilla si shimpanzetë, gorillat, etj, janë thellësisht hierarkike (linja vertikale), ndërsa deri në njëqind mijë vjet para ardhjes së qytetërimit, paraardhësit tanë gjahtarë-mbledhës, ishin shumë egalitarë (në vijë horizontale).

Por me ardhjen e qytetërimeve në masë, pesë mijë vjet më parë, janë kthyer të dominojnë vlerat e shimpanzeve: kështu, deri jo shumë kohë më parë, të gjitha shoqëritë e qytetëruara ishin hierarki, të bëra nga privilegji dhe pushteti. Prej këtu është tërhequr një vijë tjetër vertikale, dhe si pasojë, kthesa në formë U-je.

Kjo ngre dy pyetje: si qeniet njerëzore e hoqën qafe normën e primatëve, dhe pse lëshuan sërish, kur u bënë “të civilizuar”? Përgjigja më e mirë për pyetjen e parë vjen nga antropologu Christopher Boehm, sipas të cilit njerëzit kanë qenë mjaftueshëm të zgjuar, për të kuptuar se lufta e zakonshme për dominim midis të gjithë primatëve meshkuj, mund të ketë vetëm një fitues.

Të tjerët ishin të dënuar për të qenë të mposhtur, si dhe për t’u poshtëruar dhe nënshtruar nga mashkulli dominues. Duke qenë se çdo individ kishte më shumë gjasa për të humbur se sa për të fituar, ishte në interes të përbashkët për t’i dhënë fund të gjithë lojës së dominimit – dhe për shkak se ndryshe nga primatët e tjerë, njerëzit zotërojnë gjuhën, kjo lejoi ata të kurdisnin minirevolucione, që arritën pikërisht atë qëllim.

Të gjitha këto shoqëri të vogla të gjahtarëve ishin egalitare sepse verponin, siç shkruante Boehmi, në “hierarkitë e dominimit të kundërt”: anëtarët e zakonshëm ishin aleate me njëri-tjetrin dhe kishin nënshtruar meshkujt alfa potencialë. Edhe sot, traditat e shoqërive aborigjene pasqyrojnë këtë revolucion të vjetër: ata janë egërsisht egalitarë dhe zotërojnë mekanizma të fuqishëm shoqërorë, për t’ua ulur kokën këtyre, kur e ngrejnë më shumë se sa duhet.

Qeniet njerëzore kanë jetuar në grupe të vogla pa hierarki, pa as një udhëheqës formal, mjaft kohë, aq sa për të përfshirë këto vlera egalitare në kulturën tonë dhe ndoshta në gjenet tona. Por edhe qytetërimet më primitive ishin të shumta dhe kjo i kishte anulluar mekanizmat e kontrollit shoqëror, të bazuara në identifikimin dhe pengimin e meshkujve potencialë alfa. Për më tepër, shoqëritë e mëdha zotëronin ekonomi të ndërlikuara, që kërkonin procese të centralizuara të vendimmarrjes. Dhe kështu meshkujt alfa kanë marrë kontrollin, duke shkaktuar mijëvjeçarë të tërë tiranie.

Kjo gjë përfundoi vetëm gjatë dy shekujve të fundit, kur revolucionet demokratike filluan t’i përmbysnin mbretërit, perandorët dhe diktatorët. Por pse pikërisht në atë moment?
Ndoshta sepse rritja e mediave (në një fazë të parë vetëm gazetat e shtypura dhe edukimi masiv) u ka rikthyer miliona njerëzve, aftësinë për t’u organizuar dhe sfiduar ata që i kanë dominuar.

Menaxhimi i pabarazisë

Shpirti egalitar nuk kishte vdekur brenda tyre dhe kështu ata shfrytëzuan mundësinë. Sot më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në vende që janë pak a shumë demokratike. Por kjo është vetëm barazia politike. Ne kurrë nuk kemi rizbuluar barazinë materiale të gjahtarëve-grumbulluesve, dhe hierarkitë sociale vazhdojnë.

Qëllimi i Marksit ishte që të rimerrej terreni i mbetur i humbur (edhe pse ai kurrë nuk e kishte thënë kështu) dhe për të krijuar një shoqëri pa klasa, që jetonte në barazi absolute. Ishte një qëllim kaq joshës, sa që miliona njerëz dhanë jetën e tyre për të, por ishte një fantazi.

E vetmja mënyrë për të arritur këtë lloj barazie përsëri në një shoqëri moderne masive ishte zbatimi i kontrollit të rreptë social – dhe të vetmit njerëz të aftë për të kryer një kontroll të tillë ishin diktatorët e pamëshirshëm. Rrëzimi i komunizmit na ka mësuar diçka: Barazia absolute ka çmim shumë të lartë.

Por edhe një pabarazi e madhe e ka një çmim. Njerëzit që jetojnë në shoqëritë bashkëkohore demokratike mund të pranojnë shumë pabarazi, veçanërisht nëse ekziston një shtet social mjaft i zhvilluar, për të mbrojtur të varfrit. Megjithatë, kur dallimet e të ardhurave bëhen shumë të larta, politikat e qeverisë bëhen të shëmtuara.
Pse kanadezët zgjodhën Justin Trudeau si kryeministër, ndërsa amerikanët zgjodhën Donald Trump si president të tyre? Të dy vendet kanë kultura të ngjashme dhe të ardhura pothuajse identike për frymë, por 20 përqind e të pasurve kanadezë fitojnë 5.5 herë më shumë se 20 përqind e më të varfërve. Në Shtetet e Bashkuara, një e pesta më e pasur e popullsisë fitojnë tetë herë më shumë se një e pesta e të varfërve.
Pabarazia është e pashmangshme, por duhet të menaxhohet.

/Internazionale – Bota.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button