Home / Kosova / Vuçiç: Pavarësinë e Kosovës e kemi “vulosur” vetë

Vuçiç: Pavarësinë e Kosovës e kemi “vulosur” vetë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç thotë se nuk ka frikë nga sanksionet e mundshme të Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por më shumë e shqetësojnë problemet e tilla, siç është ikja e popullit nga Serbia dhe shkalla ulët e lindshmërisë.
Në një qëndrim ndoshta të papritur, ai thotë se vet Serbia, me politikën e saj të gabuar, e ka vulosur Pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq ka kujtuar se, për këtë situatë dhe rrethanat shumë të këqija në të cilat po zgjidhet çështja e Kosovës, “jemi deri diku vet përgjegjës, duke pasur parasysh politikën e gabuar të Serbisë dhe disa lëvizje, me të cilat praktikisht kemi vënë vulën në zarfin e Pavarësisë së Kosovës”.

Presidentin serb, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, e kanë pyetur gazetarët lidhur me informacionet për një marrëveshje ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkuara për Kosovën para pak ditësh në Uashington, respektivisht për “Dokumentin e Uashingtonit”.

Ai theksoi se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të “QUINT”-it në Uashington, duke thënë se “marrëveshja që ka mundur të arrihet atje nuk mund të jetë një surprizë e madhe, sepse janë vendet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës”.

“Nuk do të ketë sanksione, kjo është e gjitha që mund të them. Nuk pashë kurrfarë ‘Dokumenti të Uashingtonit’. Kam dëgjuar çfarë ofrojnë disa si parime të tyre. Diçka më është thënë gjysmë zyrtarisht. Kjo nuk është asgjë e re”, tha ai.

Vuçiq kujtoi gjithashtu se vendet e “QUINT”-it njohën Pavarësinë e Kosovës dhe “po përpiqen të shohin se çfarë mund të bëjnë serbët për të njohur Pavarësinë e Kosovës, brenda kufijve të këtij shteti të vetëshpallur”.

“Unë për këtë flas publikisht dhe në mënyrë të hapur para të gjithëve”, tha ai duke shtuar se, “ne serbët po bëhemi sikur asgjë të mos kishte ndodhur”.

Ai kujton vitet 1999, por edhe 2004 e 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës, kur siç thotë ai “disa ikën në Rumani, në vend që të ndërmerrnin masa, kurse disa ishin fshehur, e pastaj ndodhi një lëvizje katastrofale e viteve 2010-2011, kur vetë e kemi vënë vulën në zarfin e Pavarësisë së Kosovës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.