Politika

Berlin: Diskutim për Shqipërinë në Bundestag

Po të qe për socialdemokratin Michael Roth, ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme  të Gjermanisë, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të çelen sa më shpejt.  Në lidhje me Shqipërinë, Roth përmend një sërë zhvillimesh pozitive që sipas tij duhen shpërblyer. Në krye të listës është procesi i rivlerësimit të gjyqësorit, vettingu, i cili sipas tij konsiderohet model për rajonin.

Negociatat do të kenë një impakt pozitiv për reforma të tilla: “Po të krahasosh zhvillimin në Shqipëri me atë në Serbi dhe Mal të Zi, të cilat po bëjnë negoicata konkrete për anëtarësim, mendoj se ky sinjal është një ndihmesë e madhe për stabilizimin e rajonit dhe dokumenton se ne e kemi seriozisht”, tha Roth të martën në mbrëmje në Berlin, gjatë një tryeze të rrumbullakët për Shqipërinë.

Qëllimi i tryezes së mbajtur në ambientet e Bundestagut ishte që të informoheshin deputetët dhe të interesuarit nga politika, shkenca, media dhe ekonomia rreth gjendjes aktuale në Shqipëri dhe të debatonin për përparësitë dhe anët negative të çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Por debati mungoi, pasi thuajse të gjithë  folësit në këtë tryezë ishin pozitivë ndaj çeljes së negociatave. I vetmi që e shihte pak më ndryshe gjendjen në Shqipëri, është Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin  parlamentar CDU/CSU:  Frei tha se rezulatet e Vettingut, që deri tani ka pasur vetëm pesë procese, nuk mund të shihen ende. Veç të tjerash Frei përmendi edhe tema të tjera, që ende nuk po zgjidhen, siç është reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit të organizuar: “Janë bërë përparime në luftimin e kultivimit të drogës, por jo në tregtinë me të,” vuri re ai. Grupi parlamentar i tij do ta caktojë së bashku me  partinë tjetër të koalicionit, SPD, një pozicion deri në qershor, me të cilin do të prezantohet kancelarja gjermane në samitin e Brukselit, në fund të qershorit.

Për Manuel Sarrazin-in, momenti i tanishëm është shumë i përshtatshëm: “Nëse nuk hapen tani, do të ketë një periudhë pauze të gjatë”,  tha deputeti i të Gjelbërve, i cili ishte edhe njëri prej  organizatorëve kryesorë të takimit. Sipas Sarrazinit mekanizmi i perspektivës europiane është i vetmi mekanizëm efektiv për reformat dhe ngritjen e instiucioneve demokratike.

Edhe Ardian Haçkaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvilllim në Tiranë, përmendi zhvillimet dhe përparimet që ka bërë Shqipëria në këto kohë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë juridik. Ai përmendi efektin e madh pozitiv që ka Vettingu, jo vetëm në drejtësi por edhe në komunikimin mes opozitës dhe pozitës, që sipas Haçkaj ka nisur të jetë konstruktiv. “Evropa është për ne një çështje ekzistenciale, por ne e dimë se është një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, tha politologu shqiptar.

Një mbështetje tjetër për negociatat erdhi edhe nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila vlerësoi procesin e reformës juridike, të cilën ajo e quajti një proces shumë të guximshëm, për të cilin Shqipërisë iu desh të ndryshonte një të tretën e kushtetutës dhe kujtoi ndër të tjera se integrimi i Shqipërisë në procesin e negociatave do të jetë një faktor stabilizimi në rajon, nisur nga fakti që “shqiptarët etnikë jetojnë në pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Aktiviteti i moderuar nga gazetari gjerman, Michael Martens, korrespondent i Evropës Juglindore dhe Turqinë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung,  ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Unioni Gjerman për Europën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button