Rajoni

Luca Jahier: Anëtarësimi i plotë i BP në BE-e vetmja alternativë

Konferenca e nivelit të lartë në Sofie “Kohezioni ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor”. Pjesërmarrësit thonë se e vetmja alternativë e BP dhe BE është bashkëpunimi dhe integrimi.

Kontributi i shoqërisë civile në progresin e Ballkanit Perëndimor, në rrugën e anëtarësimit në BE, është kryefjala e konferencës që nis sot (15/05/2019) në Sofie. Ajo zhvillohet në prag të samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, dhe organizohet nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian ( EESC) dhe Instrumenti i Komisionit Europian për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim të Informacionit  (TAIEX), nën kujdesin e Presidencës bullgare të Këshillit Europian. Përfaqësues nga shoqëria civile e BE dhe BP, sindikatat, institucionet e BE, diplomatë, zyrtarë të lartë të Bullgarisë do të diskutojnë për situatën aktuale në rajon.

Rrugët për integrimin ekonomik, kohezionin social, dhe konektivitetin mes rajonit dhe me BE, të drejtat e grupeve vulnerable,  barazia gjinore si parakushte për perspektivën europiane, janë temat qëndrore të konferencës së sotme. Konferenca do të përpilojë rekomandime për krerët e shteteve dhe qeverive të BE që do të takohen këtë javë në samitin e 17 majit.

Ballkani Perëndimor ka shansin e të ardhmes europiane

Ballkani Perëndimor është ndër rajonet më të varfëra në Europë.  Sipas EESC, “vendet e rajonit mund të arrijnë për 40 vjet konvergjencë të plotë me standartet e jetesës së BE”. Por situata aktuale në BP shfaqet edhe më e vështirë po të kihet parasysh korrupsioni, ndikimi i krimit të organizuar, dobësia e institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit, diskriminimi ndaj grupeve shoqërore vulnerabël dhe në minorancë. Rajoni ka një shans unikal për të dalë nga kjo situatë: përputhjen e interesit të tij për të hyrë në BE me interesin e BE për ta patur pjesë të tij. Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social, Luca Jahier tha për DW:

“Gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shansin të ecin përpara në rrugën e tyre evropiane. Për të siguruar që procesi është krejtësisht në pronësi të gjithë qytetarëve, organizatat e shoqërisë civile duhet të përfshihen plotësisht në Planin e Veprimit të Strategjisë së miratuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor”.

Bashkëpunimi ҫelësi pë të përshpejtur zhvillimin ekonomik dhe social

Pa zhvillim ekonomik dhe social, pa bërë të vetat vlerat që janë në themel të BE nuk mund të flitet për progres në procresin e hyrjes në BE. Bashkëpunimi mes BE dhe BP për të ecuar në këtë drejtim është e vetmja rrugë. “Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor  kanë një interes të përbashkët për të punuar më fuqishëm së bashku dhe për t’u  garantuar të gjithë qytetarëve tanë zhvillim ekonomik dhe social si dhe siguri.  E ardhmja e rajonit është një e ardhme europiane. BE dhe vendet e BP kanë përfituar nga progresi në procesin e integrimit, tregtia është dyfishuar gjatë 10 viteve të fundit. BE është sot partneri i parë tregtar i rajonit, investitori më i madh dhe partneri më i besueshëm politik dhe gjeostrategjik. Jam i bindur se nuk ka alternativë tjetër si për  BE ashtu edhe BP,  përveç të hedhin hapa të vazhdueshëm, transformues dhe të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë “, theksoi për DW, Presidenti i EESC , Luca Jahier.

Komiteti Ekonomik dhe Social Europian është një organ konsultativ i themeluar në vitin 1957 nga Traktati i Romës. Ai ka 350 anëtarë nga gjithe Europa që emërohen nga Këshilli i Bashkimit Europian. Komiteti përfaqëson shoqërinë e organizuar civile. Roli i tij konsultativ u mundëson anëtarëve dhe organizatave që ata përfaqësojnë, të marrin pjesë në procesin vendimmarrës të BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button