Politika

Bregu: Opozita, e pranishme në dialogun e nivelit të lartë

Majlinda_Bregu_laughingIsh-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, tashmë përfaqësuese e opozitës në këshillin e integrimit, së bashku me dy deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, Eduard Halimi dhe Arben Ristani, ka konfirmuar se opozita do të jetë e pranishme në dialogun e nivelit të lartë, që do të zhvillohet ditën e hënë.

Pikërisht në fillimjavë, në Tiranë do të mbërrijë, ndoshta për herë të fundit në rolin e Komisionerit europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Stefan Fule, dhe axhenda kryesore mbi të gjitha do të përmbajë 5 prioritetet e vendosura për çeljen e negociatave për anëtarësim, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, ndërkohë që Fules do t’i bëhen të ditura edhe shqetësimet e zakonshme të opozitës.

“Nesër do të jemi në dialogun e nivelit të lartë, së bashku me dy kolegët e mi të opozitës, Halimi-Ristani, ku do të bëjnë të ditur gjithë problematikën tonë, që ju e njihni. Edhe pse vijon bojkoti i Parlamentit, në dialogun e nivelit të lartë duhet të shkojmë për të diskutuar për avancimin e masave të kërkuara, ku mbi të gjitha do të diskutohet edhe reforma në drejtësi, si dhe do të diskutohet mbi hapjen e negociatave. Ju e dini qëndrimin e opozitës për reformën në drejtësi, ndërsa këto çështje por edhe të drejtat e njeriut do të jenë në themel të diskutimeve që do të zhvillohen nesër. Arsyet e distancimit tonë tashmë dihen dhe nuk është e nevojshme që edhe komisioneri Fule të dëgjojë të njëjtat gjëra si gjithmonë, por prioritete do të jenë 5 prioritetet e vendosura nga BE. Të gjithë e dimë që Parlamenti është vendi i diskutimeve, kundërshtimeve apo dakordësimeve politike për reforma e për gjithçka, por duket se ende nuk janë plotësuar kushtet për rikthim”, u shpreh deputetja e PD, Majlinda Bregu.

Të premten, zëdhënësi i Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Peter Stano, konfirmoi se Stefan Fule do të vizitojë Tiranën ditën e hënë, për të bashkëdrejtuar me kryeministrin Edi Rama raundin e 4-t të Dialogut të Nivelit të Lartë për prioritetet kyçe, që nisi Nëntorin e vitit të kaluar, “me qëllim intensifikimin e punës së Shqipërisë ndaj reformave të domosdoshme në fushat kyçe me mbështetjen e Komisionit Europian”.

Të drejtat e njeriut, gjyqësori, korrupsioni, krimi i organizuar dhe reforma e administratës publike janë 5 prioritetet kyçe që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës e i qëndrueshëm, kërkohet dialog politik konstruktiv mes palëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button