Arte

Bashkim Shehu: Jetojmë në kohë kulturalisht të këqija

  • Me romanin “Loja, shembja e qiellit”, shkrimtari Bashkim Shehu është shpallur fitues i çmimit letrar “Balkanika 2015”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë.

Me romanin “Loja, shembja e qiellit”, shkrimtari Bashkim Shehu është shpallur fitues i çmimit letrar “Balkanika 2015”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë. Jehona e këtij çmimi ende nuk ka dalë nga turet letrare të shkrimtarit, kur sapo u botua në Francë u përfshi në konkurrimin për Prix Méditerranée Etranger 2018, duke merituar Vlerësimin Special të jurisë, një çmim që jepet çdo vit për letërsinë e përkthyer dhe fituesit ndër vite janë Ismail Kadare, Umberto Eco, Jashar Qemal, Orhan Pamuk, Claudio Magris etj. Por në një kontekst më të gjerë të librave të tij, në raportin me shkrimin, letërsinë bashkëkohore shqiptare, me gjuhën, me ndikimet nga tradita dhe letërsia e huaj, shkrimtari Bashkim Shehu është ndodhur dje në Tiranë në festivalin “Ditënetët e librit”, duke u vënë për një orë përballë një auditori të zgjedhur, moderuar nga gazetari Ben Andoni, dhe me pjesëmarrjen e përkthyeses nga shqipja në gjuhën spanjolle Maria Roces Gonzales.

Shumë shkrimtarë kanë një përvojë krejtësisht personale për kohën e të shkruarit, se si e menaxhojnë krijimtarinë, për të cilën Shehu ka thënë se “nuk shkruaj me ngut, por ngadalë. Jo më shumë se dy faqe, çdo ditë në mëngjes, nga dy orë’. Ndërsa ka treguar se pjesa tjetër e ditës së tij kalon me përkthime, përfshirje në aktivitete kulturore, ose në është në përgjigje të ftesave, siç qe edhe rasti i mbrëmshëm përballë lexuesve të tij. “Prej disa viteve nuk kam një punë fikse, jam freelance. Kam arritur deri tani të kem në mëngjes kohën time për të shkruar”.

I pyetur për qasjen emocionale kur nis të shkruajë, Shehu është shprehur se stabiliteti emocional është një nga faktorët e domosdoshëm për të, ndonëse përmend se ka autorë që shkruajnë nën stres, ose nga dhimbja. “Unë më tepër besoj, dhe arrij të shkruaj vetëm në një gjendje të plotë qetësie, me mendje të ftohtë”, ose siç citon një shkrimtar Tomas Man, se shkruan “në ekstazë të akullt”.
Shehu është një shkrimtar i tërhequr, që krijon rrymën e tij, atmosferën e të shkruarit kur në raport me angazhimin social krijon një raport krejt tjetër. Nuk ka zhurmë kur ndan krijimtarinë dhe shkrimtarin si qytetar. Në këto dy kontekste, zëri i parë, ai krijues flet në një formë ndjeshmërie, duke thënë se “në krijimtari nuk ka duhet, por dua”. Ndërsa në kontekstin e letërsisë së angazhuar, Shehu thotë se për një shkrimtar nuk ka detyrim, por si qytetar tregon se ka një detyrim shtesë, detyrimin moral për të përdorur për mirë ndikimin e tij, si një personazh publik.

Si reflektohet Shqipëria në Spanjë, në laboratorin krijues të Shehut?
“Mendoj se kujtimet zënë vend, jo kujtimet në sensin e ngjarjeve por të jetuara. Por si një lloj atmosfere të një kohe të caktuar, ku vërtiten ngjarjet e librave që shkruaj, dhe që ndihem mirë në atë botë gjysmë imagjinare, gjysmë reale, sepse kujtimet përzihen gjithmonë me imagjinatën. Ngjarjet e sotme më pak. Nuk mendoj se shkrimtari duhet medoemos të shkruajë për të sotmen”.
Në këtë bisedë ka ardhur edhe ndërhyrja e përkthyeses nga shqipja në spanjisht, e konsideruar si pasardhësja e përkthyesit të njohur, Ramon Sanches ndarë nga jeta shtatë vite më parë. Maria Roces Gonzales duke folur për veprat që kanë kaluar përmes duarve të saj, nga fondi letrar i Bashkim Shehut, tha se nga romanet e para, e deri tani ka ndryshuar krijimtaria e tij. Në veçanti Gonzales ka theksuar se letërsia shqipe ka gjetur strehën e saj në gjuhën spanjolle, ku shpesh i është dashur edhe të dalë jashtë kësaj bote, siç tregon për rastin e burgut të Burrelit, në krahasim me burgjet e Frankos së Spanjës.
Duke iu rikthyer shkrimtarit Bashkim Shehu, i pyetur për laboratorin e shkrimit, teknikat, ai është shprehur: “Për shkrimtarin e rëndësishme është të ketë stil autentik, të ketë një zë të vitin. Teknikat janë një gjë që importohen sikurse edhe mund të shpiken. Mendoj se kam përdorur disa regjistra stilistikë të ndryshëm që vijnë vetvetiu”.
Tani që ka disa romane në qarkullim, Bashkim Shehu i përgjigjet pyetjes mbi karakteret që ka shkruar, si janë sjellë personazhet e zakonshëm dhe ata të gdhendur. “Unë i bëj personazhet dhe disa të zakonshëm, e disa të pazakonshëm”.
Kur një shkrimtar përfshihet në dimensione të ndryshme, në këtë rast të Shehut qoftë duke u marrë me përkthimin, apo projekte të tjera letrare për të vështirësia më e madhe nuk qëndron në këto “kapërcime”. Shkrimtari tregon se vështirësia me e madhe për të është për të kaluar nga një vepër, në shkrimin e një vepre tjetër që do të shkruajë. “Kjo më ndodh mua, kur mbaroj së shkruari një roman duhet të rrijë një farë kohe. Edhe nëse e kam idenë për tjetrin që mund të shkruaj. Ndryshe e kam nga përvoja që nuk ecën puna. Mbasi kam mbaruar një libër, nëse jam përpjekur të shkruaj diçka menjëherë, kam prishur e kam hedhur në kosh të plehrave derisa kam gjetur tamam, tastierën ku duhet të godas”.
I pyetur se sa i ndikuar është nga letërsia bashkëkohore sot, Shehu është përgjigjur se “domosdo është mirë që të përfitosh nga të tjerët. Ka dy lloj krijuesish, po të marrim pikturën, duke sjellë dy tipa idealë: Shagall që ka një mënyrë të përcaktuar, të vetme që e zotëron në perfeksion, është edhe Pikaso që kalon nga një gjuhë pikture në një tjetër. Sigurisht, pa e krahasuar veten me Pikason, unë mendoj se i përkas atij rasti. Vetëm tipologjikisht, as personalisht jo. Nga ana tjetër, me siguri duhet të kem ndikim nga autorë bashkëkohore, them atë që ndiej kur lexoj, janë Danilo Kish, apo Roberto Bolano”.
Me kuriozitetin se në cilën traditë të letërsisë më të mirë shqiptare është mbështetur, Shehu tha se ndjen më afër tij Migjenin, Kutelin dhe Kadarenë. Përkthyesja e Shehut në gjuhën spanjolle duke plotësuar këtë bisedë tha se lexuesit spanjollë, ata që kanë nivel të lartë, sigurisht që tërhiqen nga veprat e shkrimtarit shqiptar, ndërsa për ata që lexojnë bestseller, thotë Gonzales, Bashkimi është i padeshifrueshëm.
Duke folur për një raport si përkthehet nga gjuhë të tjera, drejt Spanjës, Gonzales me një përvojë mjaft të gjatë të njohjes me Shqipërinë, tha se janë botuesit që i zgjedhin autorët, dhe jo ata si përkthyes.
Duke shtruar bisedën mbi krizën e romanit, dhe çfarë po ndodh sot me botën letrare, Shehu ka folur: “Vazhdimisht, gjatë gjithë modernitetit është folur për vdekje të romanit, sikurse për vdekjen e Zotit, është folur për vdekjen e letërsisë, autorit, njeriut, artit gjithmonë sikur është një seri nekrologjish. Nuk mendoj se romani ka vdekur apo se ka një krizë të romanit. Ndërkaq mendoj se në përgjithësi ka një farë rënie të letërsisë në krahasim me dekadat e para të shekullit XX. Këto luhatje në letërsi, të nivelit kanë ndodhur dhe do të ndodhin gjithmonë. Tani thjesht janë kulturalisht kohë të këqija”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button