Kronika

Lufta kundër krimit, Xhafaj: Goditëm 9 grupe kriminale, në hetim 5 të tjera

Krimi i organizuar dhe lufta kundër korrupsionit ishin dy nga çështjet që ministrat Gjonaj dhe Xhafaj, ndanë  me Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit të Holandës, gjatë një seance dëgjimore.

Ministrja e Drejtësisë, Etila Gjonaj bëri me dije masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht masat në nivel politikash dhe ndryshimet ligjore si dhe rezultatet e deritanishme në  gjykimin e zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar për korrupsion.

Ndërsa kreu i Ministrisë së Brendshme ka përmendur operacionin “Forca e Ligjit” si një qasje ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar, duke shtuar se deri më tani janë identifikuar grupet kriminale, është bërë profilizimi i tyre, asetet dhe lidhjet e tyre.

Ndër rezultatet kryesore të arritura deri tani, Xhafaj përmendi goditjen e 9 grupeve të rrezikshme kriminale si dhe vijimin e hetimeve për 5 grupe të tjera kriminale, operacione këto të kryera edhe me bashkëpunimin e Europol-it dhe vendeve të tjera të BE-së. Hetimet dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta u konsideruan nga Ministri si jetike në luftën kundër krimit të organizuar, i cili vepron tej kufijve të një shteti.

Një çështje tjetër në të cilën u ndal ministri Xhafaj ishte edhe vetingu në policinë e shtetit dhe lufta kundër terrorizmit.

Në pjesën e dytë të takimit, të dy Ministrat iu përgjigjen pyetjeve të parlamentarëve. Këta të fundit, ndër të tjera, shprehen interesin e tyre për të ditur më shumë mbi mënyrën se si do të realizohet procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, afatet kohore, shpërblimin financiar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, impaktin që ky proces ka pasur në Gjykatën Kushtetuese.

Ministrja Gjonaj, në përgjigje të çështjeve të ngritura nga parlamentarët, u bëri me dije rezultatet e deritanishme të vetingut, si dhe besimin e saj që procesi i vetingut për 57 gjyqtarë dhe prokurorë të listës prioritare do të përfundojë shumë shpejt duke sjellë ngritjen e institucioneve të reja me kandidatë të vetuar.

Megjithatë, Ministrja u bëri me dije që ky proces nuk ka qenë pa vonesa për shkak të pengesave që janë krijuar në ngritjen e organeve të vetingut dhe fillimit të këtij procesi, përtej afateve të parashikuara në ligj. Gjithashtu, Ministrja u bëri me dije që përfundimi shumë shpejt i procesit të vetingut për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe vlerësimi i kandidaturave për vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese do të zgjidhë çdo çështje që lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Më tej, Ministrat u bënë me dije deputetëve që duke filluar nga 1 janari i vitit 2019, hyjnë në fuqi pagat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve që garantojnë një shpërblim financiar të denjë për funksionin që ata ushtrojnë.

Qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në raport me procesin e integrimit në BE ishte një tjetër pyetje e parlamentarëve. Në përgjigje të saj, Ministri Xhafaj i siguroi parlamentarët se procesi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria është i pakthyeshëm dhe jetik për vendin. Çelja e negociatave për anëtarësim është padyshim inkurajim i forcave progresiste në Shqipëri për thellimin e këtyre reformave si dhe i jep shpresë të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Ministri Xhafaj shprehu besimin e tij që ecuria e reformave, veçanërisht e asaj në drejtësi, nuk mund të ndikohet nga zhvillimet politike, duke shtuar se BE-ja është investuar fuqishëm në zhvillimin e tyre. Procesi i negocimit me BE-në do të sigurojë në të njëjtën kohë një mekanizëm efikas kontrolli dhe monitorimi të procesit të reformave në Shqipëri.

Kriminaliteti shqiptar në Holandë ishte një tjetër çështje e ngritur nga parlamentarët në këtë takim. Në përgjigje të saj, ministri Xhafaj u shpreh se ne e njohim këtë shqetësim dhe kemi gjithë vullnetin e duhur për ta adresuar atë.

Ministri u bëri atyre me dije se sipas statistikave zyrtare holandeze, në burgjet holandeze ndodhen vetëm 64 shtetas shqiptar, pjesa dërrmuese e të cilëve ndodhen në paraburgim.

“Ne jemi të gatshëm të dërgojmë në Holandë grupe oficerësh policie, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre holandezë të zhvillojnë analiza për situata konkrete që lidhen me kriminalitetin dhe emigracionin e paligjshëm”, tha Xhafaj.

Në vijim, ai u bëri me dije parlamentarëve, se shumë shpejt, Shqipëria do të vendosë një oficer kontakti në Holandë, të dedikuar për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me autoritetet policore holandeze

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button