Kronika

Xhaçka në Izrael: Të gatshëm për bashkëpunim në fushën e Sigurisë e Mbrojtjes

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Izrael, e para vizitë e një ministri Mbrojtjeje të Shqipërisë në këtë vend. Në Tel Aviv, ministrja Xhaçka u prit përmes një ceremonie zyrtare nga ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Avigdor Liberman.

Në takimin me homologun e saj izraelit, ministrja Xhaçka i konsideroi si të një rëndësie të veçantë marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Nga ana e tij ministri Liberman vlerësoi rolin e Shqipërisë për garantimin e sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor dhe u shpreh se dy vendet ndajnë të njëjtat vlera si aleatë strategjikë për sigurinë në rajon.

Ministrja Xhaçka e cilësoi Izraelin si një aleat të vyer të NATO në luftën kundër terrorizmit dhe shprehu gatishmërinë e vendit tonë për një memorandum bashkëpunimi në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes mes dy vendeve.

Ministrja Xhaçka ftoi homologun e saj izraelit për bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes edhe për Qendrën e Ekselencës së NATO-s për studimin e fenomenit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë. Temë e takimit mes dy zyrtarëve të lartë ishte edhe siguria kibernetike, industria ushtarake si dhe një projekt i afërt për shkëmbimin e modeleve dhe kurrikulave në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak.
Ministrja e Mbrojtjes u takua edhe me zyrtarë të Drejtorisë Ndërkombëtare të Bashkëpunimit të Mbrojtjes (SIBAT).

Në Jerusalem, ministrja Xhaçka zhvilloi takime në Këshillin Kombëtar të Sigurisë si dhe bëri homazhe e vendosi kurorë me lule në Yad Vashem, Memoriali në nderim të viktimave të Holokaustit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button