Home / Kronika / Vettingu çon drejt mbylljes 9 gjykata, mijëra dosje stok nga mungesa e gjyqtarëve

Vettingu çon drejt mbylljes 9 gjykata, mijëra dosje stok nga mungesa e gjyqtarëve

Gjyqësori shqiptar po kalon një situatë emergjence për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe kufizimit të mundësive për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Pas mbylljes së gjykatës së parë dhe më të rëndësishmes në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, edhe nëntë gjykata të tjera, kryesisht të shkallës së parë, janë në prag mbyllje.

Situata alarmante është pasqyruar gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtur në datën 7 maji 2018. Gjatë kësaj mbledhjeje, KLD, përpos të tjerave, ka shqyrtuar edhe një raport mbi organikat e paplotësuara të gjykatave dhe mundësitë e transferimit të përkohshëm si dhe propozimeve përkatëse për plotësimin e vendeve vakant.

Gjatë kësaj mbledhje është dhënë alarmi për mungesën e gjyqtarëve në gjykatat e Kavajës, Krujës, Lezhës, Kukësit, Gjykatën Administrative të Shkodrës, Gjykatën Administrative të Durrësit, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe për Gjykatën Administrative të Apelit, të cilat funksionojnë me një deri në dy gjyqtarë.

Edhe gjyqtarët e mbetur janë të rrezikuar për shkak të procedimeve të ndryshme për abuzime. Për rrjedhojë, në këto gjykata janë bllokuar mijëra dosje që presin të gjykohen. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Durrës ende po gjykohen dosje të vitit 2014. Situata është e tillë në këtë gjykata kur ende nuk ka vepruar ligji i Vetingut, proces të cilit po i nënshtrohen fillimisht gjyqtarët dhe prokurorët në nivelet më të larta të drejtësisë.

Me veprimin e ligjit të Vetingut edhe në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, nisur nga trendi i deritanishëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndëshkuar, pritet të mbyllen më shumë se sa gjysma e gjykatave në të gjithë rrethet vendit.

Megjithatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e fundit, ka vendosur të shpallë një thirrje për gjyqtarët që japin pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht në këto gjykata. Por, ky propozim i Gerd Hoxhës është konsideruar nga anëtarja Brunilda Kadi si propozim qokash.

Diskutimet në KLD për gjykatat me probleme
-Marsida Xhaferllari: 
Asnjë gjyqtar nuk ka dhënë pëlqimin nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për t‟u transferuar përkohësisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë; Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, pranë së cilës ushtrojnë detyrën 13 gjyqtarë, me 1 gjyqtar më pak nga organika e miratuar prej 14 gjyqtarësh, në këtë gjykatë ka dhënë pëlqimin për transferim gjyqtarja Igerta Hysi; Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet, pranë së cilës ushtrojnë detyrën 3 gjyqtarë, me 1 gjyqtar më pak nga organika e miratuar prej 4 gjyqtarësh, në këtë gjykatë kanë dhënë pëlqimin për transferim gjyqtarja Rezarta Aliu dhe gjyqtari Dritan Hasani.

-Gjin Gjoni: Përveç Kavajës, Krujës dhe Lezhës dhe Kukësit është Gjykata e Shkallës së Parë Administrative në Shkodër e cila aktualisht është me 2 gjyqtarë dhe njëri prej tyre është me procedim dhe me masë disiplinore dhe në rast se ky Këshill i Lartë i Drejtësisë do vendosë, mbetet me një gjyqtar. Është edhe Gjykata e Shkallës së Parë Administrative Durrës, e cila aktualisht është një nga gjykatat, pas Gjykatës së Tiranës, me ngarkesë më të madhe dhe ka vetëm 3 gjyqtarë në përbërjen e saj dhe Gjykata e Shkallës së Parë Administrative mund të jetë një variant. Çështja e fundit, e tretë, është në lidhje me Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka bërë disa kërkesa në lidhje me komandimet e gjyqtarëve. Meqenëse çështjet në Gjykatën e Apelit Administrativ janë çështje të cilat po gjykohen të vitit 2014 dhe ne jemi në vitin 2018 dhe për shkak të ndryshimeve dhe të futjes në fuqi të kësaj gjykate, i gjithë sensi i krijimit të kësaj gjykate edhe nga organet shqiptare por edhe nga faktori ndërkombëtar, ishte për të gjykuar në një kohë rekord këto gjykime. Çështje administrative që presin për 4 vjet, mua më duket pak nonsens për vetë faktin për të cilën është krijuar kjo gjykatë.

-Gerd Hoxha: Në rastin konkret ndodhemi përpara një emergjence, por kjo nuk na shtyn që ne të mos respektojmë siç duhet ligjin. Duhet të respektojmë patjetër parashikimin e nenit 46 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve”, ku ka të bëjë me transferimin e përkohshëm. Nuk kemi pse të fokusohemi në disa emra të caktuar. Ne duhet të bëjmë, të plotësojmë procedurën. Duhet që të lançojmë këtë thirrje dhe t’u themi gjyqtarëve të japin pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht në gjykatat që kanë probleme, dhe nuk janë vetëm këto gjykata por ka edhe gjykata të tjera. Mbasi ata të japin pëlqimin, do t’u kërkojmë pëlqimin kryetarëve të gjykatave për këta gjyqtarë dhe pastaj mund të procedojmë me plotësimin e vendeve në këto gjykata. Kështu që… E kemi të detyruar këtë. Ne mund të bëjmë transferim me zor, domethënë pa pëlqim, vetëm në rastet kur nuk ka.

-Brunilda Kadi: Atëherë, unë nuk jam plotësisht dakord me atë që tha Gerti sepse kjo do dojë edhe analizën nga ana e Këshillit për të gjitha këto gjykata ku do të ketë nga këto kërkesa. Dhe ne të gjithë biem dakord që kjo situatë nuk është normale dhe ne nuk jemi në kushtet ideale të nenit 46 edhe duke e bërë këtë. E kemi theksuar që, jemi në situatë emergjente dhe po bëjmë një interpretim të zgjeruar. Se nuk i qëndrojmë dot pikë për pikë nenit 46 dhe ideja pse është ajo dispozitë.

-Gerd Hoxha: Okej! Pse është zgjedhur Përmeti atëherë?

-Brunilda Kadi: Ja, një sekondë. Dhe nuk mendoj se është e mjaftueshme… Ja ta them si e lexoj unë raportin unë Gerti.

-Gerd Hoxha: Në qoftë se ne duam të bëjmë qoka këtu, unë jam kundër qokave këtu. Nuk bëjmë qoka.

-Brunilda Kadi: Unë mendoj që ajo që po propozon ti është me qoka. Ideja është që mendimi i kryetarit nuk ka lidhje me analizën sepse siç e thotë edhe tek raporti, mendimi i kryetarit nuk është obligues për Këshillin por analiza e secilës nga gjykatat. Për shembull, meqë more rastin e Korçës, ne nuk e dimë se si është gjendja e Gjykatës së Korçës. Kryetari mund të thotë: -Okej, le të vijë iksi që ka bërë kërkesë, por gjendja e gjykatës së Korçës mund të jetë… kërkon analizë dhe ne i bie që analizojmë të gjitha gjykatat e Shqipërisë që të marrim pastaj këtë vendimin që propozon Gerdi. Unë besoj që raporti është bërë mbi bazën edhe të afërsisë gjeografike. Apo jo? Është edhe e sqaruar tek raporti, që kur vjen puna tek Kukësi, shikohen gjykatat përreth dhe shikohet cila nga gjykatat dëmtohet më pak dhe midis këtyre do shikojmë aty ku ka kërkesë.

-Gerd Hoxha: Afërsia gjeografike nuk parashikohet më si kriter. Ka qenë më përpara.

-Ilir Meta: Mirë! Më falni! Atëherë, unë mendoj që ajo procedura që tha Gerdi është më transparente. Nuk e di, do ta bëjmë vetëm për këto 5 gjykatat që kemi këtu në bazë të studimit, apo…?

-Gjin Gjoni: Të fusim edhe administrativet. Apeli Administrativ, shkallën e parë të Durrësit Administrativ dhe Shkodrën.

-Ilir Meta: Jemi dakord Marsida?

-Marsida Xhaferllari: Neve, mendimin e kryetarëve të gjykatave për rreth e kemi marrë. Megjithatë, në qoftë se ju vendosni që të merret tek të gjitha gjykatat, ne në dispozicion jemi. E marrim.

-Astrit Haxhialushi: Për sa i përket raportit të paraqitur nga Kryeinspektorja, mua më duket se është bërë një punë me të vërtetë serioze dhe njëkohësisht duke qenë një nga anëtarët më të vjetër të KLD-së, dua të vë në vëmendje të anëtarëve të tjerë të KLD-së, e kam këtu përpara, ne kemi një vendim të KLD-së…

-Ilir Meta: Mos të kthehemi mbrapa. Ju lutem! Duhet të orientohemi në KLD drejt dhënies së zgjidhjeve. Koha për teori pa fund ka ikur. Jemi në fund të kësaj KLD-je. Më fal! Të lutem! Të japim zgjidhje për problemet që na kërkohet me transparencën maksimale brenda kësaj situate. Dakord? Kështu që me duket se propozimi që tha Gerdi ishte më racionali. U miratua. Të mos kthehemi mbrapa./shqiptarja

Leave a Reply

Your email address will not be published.