Bota

Përplasja e Italisë me Euron mund të ketë nisur tashmë

Investuesit ishin më të lehtësuar sot, pasi populistët italianë dështuan të krijojnë një qeveri, dhe kjo hapi rrugë për shqetësime të reja, që zgjedhjet e ardhshme mund të shihen si një votë për të ardhmen e Euros.
Presidenti italian, Sergio Mattarella, refuzoi të emërojë një euroskeptik si ministër financash, duke i detyruar partitë e koalicionit, 5 Yjet dhe Legan, që ta shtyjnë formimin e qeverisë, të paktën tani për tani.

Vlera e Euros u rrit këtë të hënë, bashkë me aksionet dhe bonot qeveritare italiane, të cilat kanë qenë nën presion javët e fundit për shkak të programit të dy partive të koalicionit, të cilat do të ulnin 100 milionë euro taksa, duke shkelur ndoshta rregullat e qeverisjes me monedhën europiane.

“Matarela e bëri të qartë që s’do të lejojë asnjë politikë që mund ta vërë Italinë të përballet me BE-në, e të rrezikohet anëtarësimi i vendit”, shkroi Holger Schmieding, kryeekonomist te banka Berenberg.

Por rritja e vlerave në treg u zhduk shpejt, teksa investuesit u përballën me një pasiguri për të ardhmen e Italisë, një nga themeluesit e Euros dhe ekonomia e tretë më e madhe në BE.

Treguesit e bursës italiane ranë me 2.5% dje pasdite.

“Procesi zgjedhor u kthye në fazën e parë, dhe nuk ka vullnet të mirë rrotull”, tha Kit Juckes, një strategjist monedhe te Societe Generale. “Ka më shumë gjasa që të ketë zgjedhje të reja. Vetë zgjedhjet rrezikojnë të kthehen në një referendum për anëtarësimin në Euro”.

Stanjacioni ekonomik dhe vitet e gjata në reforma e kanë çuar borxhin e jashtëm të Italisë në mbi 2 trilionë euro, 130% e PBB vjetore. Është borxhi i tretë më i madh në botë, pas Japonisë dhe Greqisë.

Për të mbrojtur kursimet e italianëve

Matarela tha që duke mos emëruar ministrin e financave, ai bëri detyrën e tij dhe mbrojti kursimet e italianëve.

“Pasiguria e qëndrimit tonë për Euron ka alarmuar investuesit dhe depozituesit italianë e ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar në bono thesari dhe nëpër industritë tona”, tha Matarela të dielën.

“Humbjet në bursa djegin burimet dhe kursimet e industrive tona dhe të atyre që kanë investuar, duke u kthyer në rreziqe serioze për familjet italiane”, shtoi ai.

Italia ka që në Mars që vazhdon pa një qeveri. Ish zyrtari i FMN, Carlo Cottarelli, do të drejtojë administratën me një qeveri teknike, deri në zgjedhjet e reja që do të mbahen këtë vit ose në 2019-ën.

Si përdorues të Euros, Italia i është bindur rregullave të buxhetit të BE-së, masa që janë ngritur për të ruajtur qëndrueshmërinë e monedhës. Gjatë fushatës zgjedhore në mars, partitë populiste kërkuan që të hiqen këto rregulla e që të mbahet një referendum për Euron dhe për BE-në.

Analistët thonë se e ardhmja e Euros mund të vihet në dyshim nëse Italian mban zgjedhjet e reja brenda këtij viti.

Populistët nuk i kishin përfshirë premtimet e tyre shpërthyese në programin qeverisës, por tani ata mund të fajësojnë partitë politike, që u mohuan të drejtën për të qeverisur.

“Zgjedhjet e ardhshme mund të përforcojnë zërat kundër Euros”, shkruan Wolfango Piccoli, bashkëthemelues i Teneo Intelligence.

Drejtuesi i Lega-s, Matteo Salvini, ka thënë që vota tjetër do të jetë një referendum për ta çliruar Italinë nga regjimi skllavërues i detyruar nga Eurozona, Berlini, tregjet dhe nga bonot”, shtoi ai.

Tepër e madhe për të falimentuar?

Këtu po rrezikohet shumë për Italinë dhe për Europën.

Agjencia Moody’s paralajmëroi të premten se mund ta ulë vlerësimin e Italisë, pasi planet e populistëve rrezikuan ta dobësojnë qëndrimin e tyre fiskal dhe të ngadalësojnë përpjekjet për reforma ekonomike.

Ulja e vlerësimit do ta bënte më të vështirë për qeverinë italiane që të paguante borxhet, për shkak se do të rritej kostoja e huave të reja. Italia pritet të emetojë 250 miliardë euro këtë vit, nëpërmjet bonove qeveritare, sipas Reuters.

Ndryshe nga Greqia, që po nis të marrë vete pas tetë vitesh me ndihma ndërkombëtare, ekonomia italiane është aq e madhe sa të çorientojë të gjithë eurozonën, nëse pëson kriza ekonomike. Italia përbën 15% të të gjithë eurozonës dhe 23% të borxhit qeveritar. Greqia ka 3% të gjithë borxhit publik të Eurozonës.

Nëse bëhen fushata më të forta në Itali kundër Europës, investuesit do të jenë edhe më të pasigurt.

“Edhe pse u shty rreziku i të pasurit një ministër financash euroskeptik, pasiguria në Itali do të vazhdojë të ndikojë e të përhapet deri te fqinjët në muajt që vjen”, shrkuan Schmieding nga Berenberg.

CNN, Mark Thompson

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button