Opinion

Si luan Erdogani me idenitetin e dyfishtë të turko-gjermanëve

Nga KEMAL HÜR

Meqenëse Erdoganit nuk i lejohet të zhvillojë fushatë elektorale në vendet BE-së, mijëra turq nga Gjermania shkuan fundjavën e kaluar në Sarajevë.

Vënia e zjarrit një shtëpie turqish në Solingen, një akt racist ka ndodhur 25 vjet më parë, më datën 29 maj. Aty u vranë pesë vajza dhe zonja e familjes Genç. Kancelari gjerman në atë kohë Helmut Kohl (CDU) nuk shkoi të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Dieter Vogel tha se arsyeja ishte “se kancelari kishte Zoti e di, se sa takime të tjera shumë të rëndësishme,” duke sqaruar se nuk ishte e nevojshme të fillonte “turizmi i ngushëllimeve”.

Ka kaluar kohë që kur kanë ndodhur këto ngjarje dhe disa gjëra kanë ndryshuar. Në ceremoninë përkujtimore që zhvillohet me këtë rast javën e ardhshme do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel (CDU). Edhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu do të marrë pjesë. Ishte dëshira e shprehur e Mevlüde Gençit, nënës, gjyshes dhe tezes së viktimave të vrara, që në ceremoninë përkujtimore të marrin pjesë përfaqësues nga qeveria gjermane dhe nga qeveria turke.

Që kur ka ndodhur sulmi 75-vjeçarja Genç, mundohet  për pajtim dhe është nderuar për këtë me Kryqin Gjerman për merita të veçanta. Kur e vizitova pesë vjete më parë në shtëpinë e saj të re në Solingen, dhe fola me të për një intervistë nuk pata asnjë pikë dyshimi se ajo mban qëndrim refuzimi ndaj urrejtjes, është për faljen dhe për bashkëjetesën. Një grua e fortë që të lë mbresa, që ka vendosur që në vitin 1996 të marrë nënshtetësinë gjermane. “Unë jetoj në Gjermani, kështu unë dua të jem gjermane,” tha ajo kur mori nënshtetësinë.

Botë prej kohësh multipolare

Krejt ndryshe me sa duket ka ndodhur zhvillimi i një anëtari tjetër të familjes: Kamil Gençit, dy breza më i ri se Mevlüde Genç. Ai prezantohet në twitter me një sllogan që gjermanëve u duket patetik, por çdo turku i kujtojnë pikëpamjet e nacionalistëve dhe fashistëve turq: “Një flamur, një gjuhë, një komb.” Flamuri, gjuha dhe kombi i tij janë turke. Faqja e tij në facebook bën propogandë për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Kështu që nuk është nevoja të habitesh, që Kamil Genç niset nga Solingeni për të parë presidentin e tij në një miting zgjedhor në Sarajevë.

Marrëdhëniet gjermano – turke, të cilat po diskutohen shumë, përfshijnë të dy polet dhe janë të vështira për t’u analizuar, siç është e vështirë të analizosh dy qëndrime diametaralisht të kundërta brenda një familjeje. Nëse ndjekim diskutimet në media dhe sidomos në rrjetet sociale, gjejmë përgjigje që janë shumë të thjeshta për mungesën e integrimit, për shembull. Një përgjigje banale, që përdoret sa herë lindin konflikte në shoqërinë e migracionit.
Ne duhet të pranojmë se botët ku ne jetojmë janë multipolare dhe njerëzit kanë identitete hibride. Mesut Özil, mund të jetë në këtë botë edhe lojtar i kombëtares gjermane edhe idhtar i presidentit turk, megjithëse unë mendoj se fotografimi i tij me Erdoganin është gabim moral. Bekir Alboga, mund të jetë edhe i ngarkuari me dialogun nga myslimanët turq të Gjermanisë edhe të kandidojë për partinë e Erdoganit në Turqi. Kenan Kolat, prej shumë vitesh zëdhënës i turqve në Gjermani, mund të jetë edhe në kryesinë federale të partisë socialdemokrate gjermane, SPD, dhe të përfaqësojë partinë turke CHP.

Erdogan ndihmon ithtarët jashtë vendit që të rrisin vetëdijen

Çfarë përkufizimi do të kishte integrimi, nëse ne i akuzojmë këta tre persona publik për mangësi integrimi? Po aq e ndërlikuar është edhe pyetja se pse 10 000 turq që jetojnë në vendet e tjera udhëtojnë 1 mijë kilometra me autobuz dhe makina, për të dëgjuar një fjalim 40 minutësh të Erdoganit në Sarajevë. Stacionet televizive turke transmetojnë çdo lloj aktiviteti që bën sundimtari i vetëm. E vështirë është po ashtu të kuptosh pse 60 përqind e zgjedhësve turq në Gjermani, që përfitojnë nga të drejtat demokratike, që mund të organizohen të lirë në shoqata politike dhe fetare shkojnë votojnë në Turqi për një njeri, që e ka marrë gjithë pushtetin në duart e veta, që fut në burg çdo njeri që e kritikon, që ndalon shtypin e lirë dhe qeveris i vetëm vendin që prej puçit që dështoi. Erdogan qeveris si një bos i mafies, që e keqpërdor politikën në favor të vetes.

Në sytë e zgjedhësve të tij ai është burri i fortë, që për herë të parë në historinë e Turqisë flet me evropianët, pa pasur komplekse inferioriteti. Një politikan, që shfaqet me siguri në vetvete dhe që ndihmon ithtarët që ndodhen në vende të tjera jashtë Turqisë, që të bëhen po ashtu të sigurt në vetvete. Turku në Gjermani nuk është më ai punëtori i huaj që bën punët e këqija, ose ai emigranti. Presidenti ndodhet në të njëjtin nivel me më të fuqishmit e botës. Të dalësh me të në fotografi nuk është turp, por e mbush me krenari një turk që është parë gjithnjë me nënvleftësim.

Puna është si kuptohet demokracia

Përkrahja e Erdoganit nga turqit e Gjermanisë nuk është vetëm çështje integrimi. Është më shumë çështje demokracie, si kuptohet demokracia, është çështje e arsimit.
A nuk është i integruar Özil-i? Apo kjo pyetje nuk luan më rol për yllin botëror dhe multimilionerin, që mund të punojë dhe jetojë në çdo vend të botës? Më e rëndësishme do të ishte pyetja se sa vlerë ka në Turqi liria e mendimit dhe liria e shtypit? A është ai i vetëdijshëm për rolin që ka si “shembull për integrimin e arritur në Gjermani”? Sa i formuar dhe informuar politikisht është ai, për ta ditur se Erdoganit i hyn në punë çdo votë që vjen nga turqit që jetojnë jashtë vendit dhe e shfrytëzon për këtë fotografinë e bërë bashkë gjatë fushatës elektorale?

Unë dyshoj që këto pyetje të shqetësojnë ithtarët e Erdoganit, që shkojnë e ndjekin atë ngado që vete. Po ashtu siç dyshoj në tezën se ata përkrahin despotin turk sepse janë të përjashtuar nga politika gjermane. Edhe kjo do të ishte përgjigje e pamjaftueshme.
Mevlüde Genç ka humbur dy vajza dhe tre mbesa. Ajo nuk flet gjermanisht, por ajo identifikohet me Gjermaninë dhe bashkëjetesën paqësore. Nëse do mundoheshim të kuptonim këtë grua, do të kuptonim mbase marrëdhëniet e komplikuara gjermano- turke.

/Kemal Hür, ka lindur në Anadollin lindor dhe jeton që prej 1980 në Berlin. Ai ka studiuar gjermanistikë, sociologji dhe teatër dhe punon si gazetar i lirë për programet e radios gjermane Deutschlandradio.

/DW

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button