Home / Politika / Balla: Kuvendi i hapi rrugë pavarësimit energjetik të Kosovës

Balla: Kuvendi i hapi rrugë pavarësimit energjetik të Kosovës

“Pavarësisht deklaratave patetike që po mbahen në sallën e Kuvendit, Kuvendi i Shqipërisë përmbushi edhe sot të gjitha detyrimet duke votuar marrëveshje shumë të rëndësishme”.

Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e quajti të pakuptimtë përpjekjen e opozitës për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit.

Balla tha se, Kuvendi miratoi sot dy projektligje shumë të rëndësishme në fushën e energjisë dhe në sektorin e bujqësisë.

“Votuam dy marrëveshje shumë të rëndësishme, e para me KFV-në, qeverinë gjermane, që mundëson një investim shumë të rëndësishëm në rrjetin e transmetimit të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, aksi Tiranë-Prishtinë, një investim tërësisht nga KFV prej 42 milionë euro që është pjesë e një lidhje alternative të furnizimit të shkëmbimit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kalimi në Kuvend mundëson lëvrimin e fondit dhe më pas fillimin e investimit që e kemi quajtur “Pavarësia Energjitike e Kosovës”, tha Balla.

Ai veçoi po ashtu edhe marrëveshjen me BERZH, që ka të bëjë me tre furnizime në Myzeqe, Fushën e Korçës dhe atë të Konispolit sa i takon vaditjes. Këto tre zona, sipas Ballës, janë zonat më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare.

“Kishte dhe një vendim të rëndësishëm që Kuvendi mori sa i takon monitorimit të funksionimit të organeve të reja të drejtësisë, pjesë e paketës së reformës në drejtësi”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.