Kosova

Ndërron jetë Fadil Vokrri, Kryetari i Federatës së Futbollit

Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë sot pas një komplikimi shëndetësor.

Vokrri ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ka pësuar një sulm në zemër në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Por, gjendja e tij u përkeqësua dhe ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I lindur në Podujevë, Fadil Vokrri njihej edhe si Diego Maradona shqiptar, për shkak të mënyrës si lëvizte dhe forcës me të cilën gjuante. Idhulli i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, Vokrri shkëlqeu me FC Prishtina, duke regjistruar madje disa paraqitje për përfaqësuesen e Jugosllavisë. Pikën kulmore Vokrri dhe yjet e tjerë shqiptarë e arritën kur e mposhtën Yllin e Kuq të Beogradit në shtëpinë e vet, në Marakana.

Karrierën Vokrri e nisi tek KF Llapi, për të kaluar në Prishtinë në vitet 80-të të shekullit të kaluar, ku për këtë skuadër në 172 paraqitje shënoi 55 gola.

Pastaj ai u transferua tek Partizani i Beogradit ku në 55 paraqitje arriti të shënonte plot 15 herë. Fadil Vokrri ishte ndër të parët shqiptarë që arriti ta çelte derën për të luajtur në skuadrat e huaja, duke luajtur për Nimes dhe Fenerbahçe.

Ai ishte i preferuari i tifozëve të skuadrës turke, por shkëlqimin që e pati arritur tek Prishtina dhe Partizani nuk mund ta shfaqë asnjëherë në tokën turke.

Në shkurt të vitit 2008 ai u zgjodh president i Federatës të Futbollit të Kosovës, me mandat katërvjeçar. Fadil Vokrri konsiderohet njeriu me më shumë merita për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button