Politika

Negociatat, Bushati: Opozita kërkon të vetëpërjashtohet. Të jetë më konstruktive

Në një bashkëbisedim me studentët, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se opozita po kërkon të vetëpërjashtohet nga procesi i hapjes së negociatave, duke kërkuar që ajo të jetë më konstruktive.
“E para, na duhet ta themi që vendimmarrja e BE nuk është vendimmarrje as për qeverinë shqiptare as për Edi Ramën. Është për të ardhur keq që opozita shqiptare ka vendosur një bast, ka një ton ultimativ a thua se më 28 do marr fund çdo gjë dhe në 29 nuk do të lindë sërish dielli në Shqipëri. Ne mendojmë se ky është një proces që prek të gjithë shqiptarët. Është për të ardhur keq që opozita me sjelljen e saj kërkon të vetëpërjashtohet qoftë dhe nga vetë kontributi që forcat politike kanë në këtë proces. Ne besojmë fuqimisht që në fund të këtij muaji, këshilli i BE, do t’i hapë një perspektivë të qartë Shqipërisë përsa i përket këtij procesi i cili e ritheksoj nuk do të jetë një proces i lehtë, nuk do të shoqërohet vetëm me të drejta, por do të shoqërohet dhe me detyrime. Në këtë kontekst unë dua të besoj dhe të shpresoj që opozita shqiptare do të duhet të jetë më konstruktive, jo për të fshirë dallimet politike mes nesh, dhe pluralizmin politik, ruajna Zot, po për tu bërë pjesë e atyre proceseve që konsiderohen si procese që kanë të bëjë me shtetkonsolidimin. Sa më shpejt ta kuptojmë ne këtë gjë si klasë politike, aq më e mirë do të jetë kjo për të gjithë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi”, tha Bushati

Duke folur para studentëve dhe për përfitimet e të rinjve përsa i përket arsimit dhe edukimit, ministri i Jashtëm tha se çelja e negociatave shton mundësitë dhe instrumentet që janë në dispozicion të institucioneve shqiptare, bizneseve e qytetarëve dhe ky është investimi më i mirë për gjeneratën e re.

“Besoj se ky është investimi më i mirë që ne mund të bëjmë për gjeneratën e re, sikundër unë shpresoj dhe nxis që ju të jeni sa më aktivë dhe kërkues ndaj nesh e ndaj çdo aktori publik që ka një zë në jetën publike për ta trajtuar sidomos këtë çështje me përgjegjësinë që i takon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button