Presidenciale

Nishani dekoron Federatën “VATRA” dhe veprimtarё të shquar shqiptaro-amerikanё

nishani-okbPresidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë qëndrimit të tij në New York vlerësoi dhe nderoi në një ceremoni madhështore dekorimi kontributin mjaft të rëndësishëm të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA” me Medaljen mё tё lartё tё “Flamurit Kombëtar”, si dhe dy personalitete tё shquar tё saj, Agim Karagjozi dhe Gjon Bucaj, me medaljen “Nderi i Kombit”.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në prani të shumë bashkatdhetarëve, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi kontributin historik pёr çështjen shqiptare, atdhedashurinë dhe dëshirën e mirë të tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, SHBA-në.
Presidenti Nishani vuri në pah mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të demokracisë së re shqiptare, SHBA-së dhe të udhëheqësve të saj në çastet më vendimtare të historisë së kombit shqiptar.
Ai gjithashtu vlerësoi lart rolin e pamohueshëm të Diasporës shqiptare në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave shqiptare dhe rritjes së imazhit të vendit tonë në SHBA dhe kudo në botë.
“Themeluesit e kësaj Federate Mbarë-shqiptare: i gjithanshmi Imzot Fan Noli, eruditi Faik Konica, juristi Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Llambi Çikozi, Elia Tromara, dy herë kryeministri Kostaq Kota e shumë të tjerë patën largpamësinë e duhur historike, ndjenjën e pastër patriotike, vullnetin e mirë dhe energjinë e pashtershme që organizata juaj të shndërrohej vërtet në një vatër të ngrohtë dhe përkujdesëse për bijtë e mërguar të shqipes, këtu në Amerikën e largët’!” u shpreh Nishani në ceremoni.
Përveçse kanë qenë personalitete të shquara në fushat e tyre, të gjithë drejtuesit e “Vatrës”, tha ai, kanë dhënë kontribute të pamohueshme në bashkimin e shqiptarëve në Amerikë dhe gjetkë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button