Home / Bota / Komuniteti ndërkombëtar përshëndet marrëveshjen e emrit mes Shkupit dhe Athinës

Komuniteti ndërkombëtar përshëndet marrëveshjen e emrit mes Shkupit dhe Athinës

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteres përshëndeti marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë duke e cilësuar si “dukuri e lidershipit në rajon dhe më gjerë”.

Guteres shpreson se pjesëmarrësit në konfliktet e tjera në botë do të shohin si shembull këtë zhvillim dhe do të punojnë për arritjen e një zgjidhjeje nëpërmjet negociatave.

”Marrëveshja është e mirë, opozita është e keqe”, shkroi në Twitter shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias duke komentuar qëndrimin e kryeopozitarit grek, Micotakis, i cili tha se marrëveshja është e keqe dhe i bëri thirrje Ciprasit të mos e nënshkruajë.

SHBA përgëzoi kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras si edhe marrëveshjen historike për zgjidhjen e kontestit për emrin.

”Zgjidhja do të jetë e dobishme për të dyja vendet dhe do t’i përforcojë sigurinë rajonale dhe progresin. Kryeministrat Zaev dhe Cipras treguan vizion, guxim dhe angazhim në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të përbashkët”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nouert.

Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Federika Mogherini përshëndeti marrëveshjen e arritur mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras dhe njoftoi se do të udhëtojë në rajon për të nënshkruar marrëveshjen.

Ajo i mirëpriti përpjekjet e dy kryeministrave për vendosmërinë dhe lidershipin e tyre në arritjen e një marrëveshjeje historike.

“Ky sukses i takon udhëheqësve të të dy vendeve dhe ekipeve të tyre, por mbi të gjitha qytetarëve të të dy vendeve dhe Evropës. Procesi i negociatave të udhëhequra nga OKB, ndërmjetësimi i Nimetz dhe mbështetja e fuqishme e BE-së është një shenjë e qartë e forcës së diplomacisë multilaterale, dialogut, respektit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje ku të gjithë janë fitimtarë edhe për çështjet më të vështira. Së bashku, duhet të përdorim mundësinë që është gjerësisht e hapur për t’u bashkuar dhe për të konsoliduar erërat e paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Perspektiva e BE-së në Ballkan, e konfirmuar kohët e fundit në samitin e Sofjes, mbetet forca më e fortë stabilizuese për rajonin dhe ne kemi interes dhe përgjegjësi për ta përdorur mirë atë”, njoftoi Mogerini.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përshëndeti marrëveshjen për kontestin për emrin të arritur midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras dhe bëri thirrje që ajo të finalizohet.

“E përgëzoj marrëveshjen e arritur midis kryeministrit Cipras dhe kryeministrit Zaev për zgjidhjen e kontestit për emrin. Kjo marrëveshje historike dëshmon për diplomaci mjaft të durueshme dhe vullnetin e dy liderëve për ta zgjidhur këtë kontest i cili prej kohësh e prek gjithë rajonin. Tani bëj thirrje të dyja palët ta finalizojnë marrëveshjen e arritur nga liderët. Kjo do ta vendos Shkupin në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe do të ndihmojë të konsolidohet paqja dhe stabiliteti i gjithë Ballkanit Perëndimor”, thotë Stoltenberg.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati përshëndetën marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Dy udhëheqës progresivë të vendeve fqinjë shënuan historinë sot dhe i treguan Bashkimit Europian dhe gjithë botës se kur ka vizion dhe vullnet për të tejkaluar pengesat e së shkuar dhe të gjejnë hapësirat për të parë nga e ardhmja. Respekte për Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev. Ballkani sot është një vend më i sigurtë”, shkruan Rama në Twitter.

Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati e vlerëson pozitivisht këtë marrëveshgje të arritur duke e quajtur atë marrëveshje historike.

“Kjo i hap rrugën jo vetëm një vendi, por të gjithë rajonit drejt familjes Euro-Atlantike. Pavarësisht vështirësive, diplomacia tregoi që funksionon”, shkruan Bushati.

Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson e përshëndeti marrëveshjen e arritur midis kryeministrave të Maqedonisë dhe të Greqisë Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras për kontestin për emrin.

“Lajm fantastik është se kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras arritën marrëveshje për çështjen e emrit. Për këtë nevojitet lidership dhe guxim politik. I nxis të gjithë liderët politikë në të dyja vendet t’i njohin përfitimet të cilat i solli zgjidhja e kësaj çështje shumëvjeçare”, shkroi ministri britanik i Punëve të Jashtme në Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published.