Politika

Ministri gjerman për deklaratën e Wadephul: S’mbajmë qëndrim për politikat e brendshme

Ndërsa pritet të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të vijuar me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, nga Tirana zyrtari i lartë gjerman deklaroi sot se “reforma në drejtësi do jetë kyçe në vendimmarrjen për hapjen e negociatave”.

Gjatë një konference për shtyp, sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange, tha “progresi në reformën e drejtësisë, përshpejtimi i reformave në procesin e drejtësisë është një nga hapat e rëndësishme që do të kenë ndikim në këtë vendimmarrje dhe siç jeni të informuar ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve”.

“Patjetër që edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë të Shqipërisë. Sistemi i drejtësisë është i rëndësishëm edhe për ne, ka një rëndësi të madhe, kjo është arsyeja që unë kam ardhur sot”, tha ai.

Lidhur me vendimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Lange tha se “ne do ta marrim vendimin tonë në kohë, vendim që do merret para mbledhjes së Këshillit Europian. Çështja e zhvillimeve në fushën e drejtësisë do të luajë një rol të rëndësishëm. Sistemi i drejtësisë është çelësi për një zhvillim ekonomik. Një shtet i së drejtës që funksionon është dhe baza për funksionimin e ekonomisë dhe biznesit”.

I pyetur lidhur me deklaratën e zv/kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, Christian Lange tha se “e kam dëgjuar deklaratën e kolegut Wadephul dhe mund t’u them që Gjermania nuk e ka traditë të mbajë qëndrim mbi çështje të politikës së brendshme prandaj edhe kjo gjë më ka surprizuar”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse çështja Tahiri është pengesë për hapjen e negociatave,  ai tha se “nuk është praktikë e zakonshme e Gjermanisë të mbajë qëndrime për politikat e brendshme të shteteve”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button