Home / Politika / Lange: Gjermania mbështet hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në

Lange: Gjermania mbështet hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në

Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange dhe delegacionin që e shoqëron, ku dhe mori rikonfirmimin e mbështetjes së Gjermanisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Gjatë takimit, kryetari i grupit të PS-së Balla e falënderoi përfaqësuesin e Qeverisë gjermane dhe të Bundestagut për mbështetjen e fortë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu për vijimin e procesit me hapjen e negociatave për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë.

”Jemi në një moment historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të anëtarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse kemi ende shumë, shumë punë për t’u bërë vend anëtar. Gjermania ka asistuar hartimin e Reformës në Drejtësi dhe po mbështet plotësisht implementimin e saj. Procesi i Vetingut po ecën sipas pritshmërive”, – u shpreh Balla.

Më tej, Balla e informoi sekretarin federal Lange se KPK deri tani ka shortuar dhe ka filluar hetimin administrativ për dhjetëra çështje, ndërkohë që çdo javë ka vendime për gjyqtarë apo prokurorë që kalojnë në sitën e Vetingut.

“Përgjatë këtyre 30 viteve, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliardë euro direkt dhe po kaq indirekt. Do të dëshiroja të vlerësoja rolin e zyrës së Kfw dhe GIZ. Për ne janë shumë të rëndësishëm edhe si mbështetës, edhe si partnerë, që janë shumë aktivë në koordinimin e ndihmës së huaj duke marrë rolin e donatorit kryesor bilateral në shumë sektorë të zhvillimit të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e energjisë, infrastrukturës ujore; arsimit dhe formimit profesional etj”, – u shpreh ai.

Ndërsa, sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange u shpreh se që nga vizita e tij e kaluar në Tiranë, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të dukshëm përpara në rrugën e saj europiane.

“Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë”, – theksoi Christian Lange.

Po ashtu, Lange tha se “Gjermania si iniciuese, e konsideron Procesin e Berlinit një etapë të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, rritjes së bashkëpunimit rajonal, infrastrukturë, përmirësimit të konektivitetit në energji, komunikim dhe rritjen e bashkëveprimit dhe shkëmbimeve mes vendeve të Ballkanin Perëndimor”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.