Home / Rajoni / Maqedonia / Ndryshimi i emrit, protesta të dhunshme në Shkup, 25 të ndaluar dhe 7 policë të lënduar

Ndryshimi i emrit, protesta të dhunshme në Shkup, 25 të ndaluar dhe 7 policë të lënduar

Në Shkup janë zhvilluar mbrëmë protesta të dhunshme kundër marrëveshjes së arritur mes Zaev dhe Tsipras për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.
Protestat u përshkallëzuan në orët e mbrëmjes ku pati përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit.

Gjatë protestës ka patur 25 të ndaluar dhe 7 policë të lënduar.

Nuk ka informacione për të plagosur, ndërkohë që objekti i Kuvendit u blindua nga forca të shumta policore.

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes protestuesit u shtuan në numër, ndërsa nisi edhe dhuna me policinë. Gjatë ditës, në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protesta nga partia e opozitës, VMRO DPMNE. Lideri i kësaj partie, Hristijan Mickovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, duke e quajtur “tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”.

Ai ka thënë se partia që ai përfaqëson asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen e arritur në Prespë të Greqisë, duke paralajmëruar kështu bllokim në Kuvend, ku për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave, por edhe gjatë referendumit që parashihet të mbahet në vjeshtë.

Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: