Politika

Negociatat me Greqinë, Bushati brenda javës takohet me Kotzias

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur nga Berati për negociatat me Greqinë, ku bëri të ditur se kësaj jave do të ketë një takim tjetër mes tij dhe homologut grek Kotzias.
“Kësaj jave do të ketë një takim tjetër mes meje dhe homologut Kotzias, ku do të vazhdojmë të diskutojmë dhe për mundësinë për të gjetur një marrëveshje për sa i përket delimitimit të zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do të ketë dhe një takim tjetër të ekipit negociator. Ky është një proces që ka hyrë në një fazë shpresoj të pakthyeshme, po që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe siç e kam theksuar, një marrëveshje e zbatueshme”, tha ai për mediat.

I pyetur lidhur me informimin e Presidentit Meta, Bushati tha: “Është krejt normale që presidenti të kërkoj informacione më shteruese për çështje që mendohet që kërkohet një informacion më i plotë. Ka një komunikim institucional dhe njerëzor me presidentit e Republikës për këtë çështje. Pas çdo raundi bisedimesh Presidentit të Republikës i është vënë në dispozicion e gjithë problematika e çështjeve që janë diskutuar dhe hapave që janë hedhur në këtë proces, po mbi bazë të Kushtetutës është Presidenti ai që lëshon autorizimin për një marrëveshje të tillë, prandaj është krejt e mirëkuptueshme çdo kërkesë e tij për informacion shtesë, apo më të detajuar për një çështje specifike”.

Për Bushatin negociatat me Greqinë nuk lidhet me 28 dhe 29 qershorin, datë ku do të merret dhe një vendim për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 29 apo 29 e kanë thjesht gabim. Nuk ka pikë diskutimi që na intereson për të mbyllur gjithë çështjet e hapura me fqinjët tanë, dhe në rastin në fjalë me Greqinë, sikundër është në interesin e Greqisë për të mbyllur kapitujt me Shqipërinë. Kjo është një tezë që është hedhur në opinionin publik kryesisht nga opozita që nuk gjen bazë. Në rast se për një moment do të merrnim të mirëqenë faktin që ne jemi në një presion për të mbyllur një marrëveshje me palën greke për shkak të datës 28 dhe 29, kundërpyetja është po pala greke në çfarë presioni është? Pse do të kishte interes për ata mbyllur në datën 28 apo 29. Për të gjithë ata që mendojnë që Shqipëria me nisjen e bisedimeve për anëtarësim nuk do të ketë më standarde apo kushte për të plotësuar, unë mund t’u them që e kanë gabim. Vetëm në procesin e bisedimeve për anëtarësim mund të jenë të paktën 300 raste ku vende të ndryshme anëtare mund të vendosin në tryeze çështje të cilat potencialisht mund ta bllokojnë një vend në tryezën e bisedimeve, prandaj çështja e datës 28-29 është jashtë këtij diskutimi. Nga ana tjetër ne e kemi çuar të gjithë këtë proces në një pikë ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të gjejnë zgjidhjen e përbashkët dhe për këtë çështje dhe të dalin nga tavolina bisedimeve me ndjesinë e mirë që secila palë ka fituar në këtë proces. Sepse jo më kot quhen negociatë, marrëveshje ku palët tentojnë të akomodojnë shqetësime të ndryshme që kanë përmes një proces negocimi dhe mirëkuptimi mes tyre”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button