Home / Ekonomia / Investimet e huaja direkte pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë

Investimet e huaja direkte pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se investimet e huaja direkte po njohin rritje edhe këtë vit dhe pritet të arrijnë vlerën e rreth 1 miliard dollarëve për vitin 2018.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Investimeve që zhvilloi sot punimet në Tiranë, ministri Ahmetaj u ndal tek statistikat e Bankës së Shqipërisë për investimet e huaja.

“Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte shënuan vlerën e 284 milionë eurove, shifër kjo që rezulton me rritje vjetore prej 62% ose në nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit”, tha ministri.

Sipas tij, investimet e huaja për vitin 2017 llogariten 907 milionë euro dhe nëse krahasojmë ecurinë e investimeve të huaja të tremujorit të parë të këtij viti me atë të vitit të shkuar parashikojmë që këtë vit investimet e huaja të shkojnë në 1 miliard dollarë.

“Ecuria pozitive e investimeve të huaja direkte dhe atyre vendase reflekton trendin e ekonomisë shqiptare në 4-5 vitet e fundit”, u shpreh Ahmetaj.

Ahmetaj solli në vëmendje faktin se deri në vitin 2013 ne kishim një model ekonomik të bazuar të konsumi dhe remitancat, si burimi kryesor i të ardhurave nga jashtë, një model ekonomik që, sipas tij, dukshëm i kishte konsumuar kapacitetet e veta dhe nuk prodhonte më punësim.

Sot, vijoi ai, 5 vite pas aplikimit të një qasjeje të re të zhvillimit ekonomik të orientuar drejt modelit që bazohet tek eksportet dhe investimet, tek prodhimi shifrat tregojnë një panoramë krejt tjetër.

“Përveçse rritja ekonomike është katërfishuar, investimet e brendshme dhe të huaja janë kthyer në dy nga gjeneratorët e rritjes”, deklaroi kreu i financave publike.

Ministri komentoi edhe raportin e fundit të Bankës Botërore, në të cilin theksohet se eksportet neto kanë ndihmuar rritjen ekonomike veçanërisht eksporti i shërbimeve përfshirë turizmin dhe eksporti i mallrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.