Politika

Seanca për Teatrin- Balla kërkon shkarkimin e Vokshit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të frenojë deputetët e tij nga aktet e dhunës gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Medias dhe Edukimit, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar si dhe kërkoi shkarkimin e kryetares së këtij komisioni, Albana Vokshi.

Në në një deklaratë për mediat në ambientet e Kuvendit, Balla theksoi se “ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliajt dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Komision”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, duke paraqitur dokumentin që 11 anëtarë të përhershëm kanë kërkuar praninë e Veliajt dhe Kumbaros, tha se “është e papranueshme që një parti politike të dërgojë në Komision deputetë të pajisur me vezë në xhepa për të sulmuar punonjësit e Gardës”.

“Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal”, nënvizoi Balla.

Balla e falënderoi Veliajn që pranoi të merrte pjesë në komision.

Ai u shpreh se “po konsiderojmë nenet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e Vokshit. Drejtimi në këtë mënyrë i komisionit është i patolerueshëm”.

Seanca dëgjimore në Komisionin e Medias për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar u zhvillua me debate të ashpra për shkak të pranisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pas debateve me kryetaren e komisionit Albana Vokshi , kreu i bashkisë Veliaj dhe mazhoranca u larguan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button