Home / Politika / Rama: Ndërtimi i hoteleve me 4-5 yje ndryshon imazhin e vendit

Rama: Ndërtimi i hoteleve me 4-5 yje ndryshon imazhin e vendit

Ndërtimi i hoteleve me 4 dhe 5 yje në Shqipëri do të tërheqë firma të mëdha ndërkombëtare, duke ndryshuar imazhin e vendit në raport me sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve.

Në një takim në Durrës me operatorë turistikë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ka një qasje dhe interesim të madh sa i takon hoteleve me 4 dhe 5 yje”.

Duke folur për masat legjislative në mbështetje të paketës lehtësuese për investitorët në hotelet me 4 dhe 5 yje, Rama tha se “kjo na bën një vend me konkurrueshmëri të lartë në rajon sa i takon avantazheve”.

“Shumëkush keqkuptohet sikur këto investime bëhen për të pasurit. Në fakt, këtu ne sot në këtë investim që shpresoj të akreditohet ndërkombëtarisht me 5 yjet që meriton, jemi në një truall ku dikur kishte një godinë të rrënuar”, tha Rama.

Ndërsa sot, sipas tij, “këtu janë 60 të punësuar dhe 15 vende të lira pune të të gjitha kategorive”. Hoteli është i mbushur me turistë të huaj që shpenzojnë përditë, tha Rama, duke shtuar se kështu fiton sipërmarrësi dhe shteti.

“Hotelet me 4 dhe 5 yje do të na sjellin një numër turistësh shumë më të vogël se sa në nivelet e tjera të turizmit, por që harxhojnë shumë më tepër para, që mbeten këtu dhe ndikojnë në rritjen e rrogave dhe në punësim real”, tha Rama.

Kryeministri informoi se, “nesër do të ketë një takim me një grup investitorësh që vijnë nga shumë vende dhe kanë shprehur interes të drejtpërdrejt për të ndërtuar hotele me 5 yje dhe për të sjellë firmat e mëdha që ndryshojnë imazhin e vendit në raport me sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve”.

Shqipëria, tha Rama, është një nga vendet më të sigurta. Kryeministri solli shembullin e dy turistëve norvegjezë që kishte takuar dhe të cilët vinin për herë të tretë në Shqipëri pasi sipas tyre: ishte një vend me siguri të plotë, me çmime të lira dhe mikpritje fantastike.

“Por imazhi është ende që po të vish në Shqipëri mund të lësh lëkurën këtu. Ndaj edhe shumëkush që vjen habitet, sepse gjen një gjë krejt ndryshe nga ato që i kanë thënë. Këtë e kam dëgjuar edhe nga deputetët që vijnë për të verifikuar fakte, por habiten. Para disa muajsh një turist politik erdhi në Shqipëri dhe nuk dilte nga salla VIP e aeroportit pasi donte roje me pushkë dhe makinë të blinduar. Në fund i thamë: nuk e ofrojmë këtë shërbim, po deshe ik. Të nesërmen më takoi dhe më kërkoi ndjesë, pasi e kishte imagjinuar Shqipërinë 100% ndryshe”, tha Rama.

Kur në Shqipëri të jenë ngritur hotele me 5 yje, si në gjithë Mesdheun, sipas Ramës, “këto investime do të flasin vetë”.

Duke folur për vizionin për zhvillimin e turizmit, kryeministri Rama solli shembullin e Malit të Zi, një vend sipas tij, që në vitet ’90 ishte ‘delja e zezë’ e rajonit.

“Sot është një vend për të cilin flitet vetëm mirë e bukur. Mali i Zi ndoqi një politikë largpamëse, me durim dhe sakrifica, në raport me turizmin, por sot ka dalë në kategori tjetër. Nuk ka asnjë gjë më shumë se ne, veçse ka pasur në krye për mbi 20 vjet një burrë me vizion dhe vendosmëri unikale”, tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: