Home / Bota / Çtensionim në frontin gjerman të luftës Merkel-Seehofer

Çtensionim në frontin gjerman të luftës Merkel-Seehofer

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer u bind. Ai do t’i japë kohë deri në fund të qershorit kancelares Merkel për të gjetur një zgjidhje europiane. Por kauza e kthimit në kufi të refugjatëve nuk ndryshon.

Në mosmarrëveshjen për politikën e azilit, ministri i Brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer është i gatshëm të presë deri në fund të qershorit për një zgjidhje europiane për këtë çështje. Këtë ai e bëri të qartë të hënën në një mbledhje të kryesisë së CSU-së në Mynih. Nëse deri atëherë nuk do të arrihen marrëveshje me partnerët e BE, do të nisin dëbime masive të migrantëve në kufijtë gjermanë, ka mësuar nga pjesëmarrës të takimit dpa. Merkel e ka pranuar afatin e vendosur nga Seehoder.

Siç bëjnë të ditura agjencitë e lajmeve, dpa dhe afp, ministri i Brendshëm, Seehofer do të nisë fillimisht me kthimin e atyre refugjatëve që kanë shënimin e ndalimit të rihyrjes në Gjermani. Ky udhëzim do të jepet në ditët e ardhshme.

Në të njëjtën kohë CSU-ja do të fillojë edhe me përgatitjet për kthimin në shkallë të gjerë të migrantëve. Por praktikisht me zbatimin do të fillohet, nëse nuk arrihet ndonjë kompromis në nivel europian. Kancelarja Merkel kishte kërkuar kohë deri në samitin e BE-së në fund të qershorit.

Miratim për kancelaren Merkel

Kancelarja gjermane u përpoq të bindte fillimisht kryesinë e partisë së saj, CDU për kursin e një zgjidhjeje europiane në çështjen e refugjatëve dhe jo veprime unilaterale. “Si vepron Gjermania, vendoset për atë nëse Europa do të qëndrojë e bashkuar apo ajo”, ka thënë Merkel, sipas afp. Deklaratat e Merkelit kanë gjetur miratim në kryesinë e CDU-së.

Politikanë të njohur të CDU-së bënë thirrje për unitet. “Natyrisht kjo është një situatë e fortë krize për unionin”, tha kryeministri i landit Saar, Tobias Hahn. “Por ne si CDU dhe CSU duhet të kuptojmë, që nga kjo krizë në marrëdhënien CDU dhe CSU të mos bëhet një krizë shtetërore, kjo duhet të mënjanohet.”

Nga java e kaluar ka shpërthyer një grindje e fortë mes dy partive të unionit, CDU dhe CSU. Ministri Horst Seehofer kërkon që të kthejë në kufi refugjatët e regjistruar në vendet e tjera të BE-së. Merkel e refuzon këtë dhe kërkon zgjidhje mes partnerëve europianë.

Qytetarët e Bavarisë të bashkuar pas CSU-së

Ndërkohë Partia Kristiansociale, CSU me bazë kryesore Bavarinë ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve bavarezë. Gati 71% e të anketuarve në një sondazh e mbështesin prishjen e koalicionit me CDU, nëse CSU-ja nuk e zbaton dot kërkesën e saj për kthim të refugjatëve në kufi. Rezultatet e sondazhit i publikoi Instituti Civey i ngarkuar nga gazeta “Augsburger Allgemeine”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: